Kryeprokurorja e Ukrainës për krimet e luftës dhe autoritetet evropiane u takuan sot për të bashkërënduar hetimet mbi mizoritë, që po shkaktojnë sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës, duke paralajmëruar se një dështim për ta bërë këtë do të inkurajonte autokratët. Zyrtarët që u takuan në Hagë të Holandës thanë se janë hapur 20 mijë hetime për krime lufte nga ekipe që drejtohen nga vende të ndryshme. Ata vunë theksin se provat që po mblidhen duhet të jenë të organizuara mirë dhe të besueshme.
Përfaqësues të lartë nga vende anëtare të Bashkimit Evropian, zyrtarë të vendeve të tjera të Evropës përfshirë edhe ata nga Ukraina, u takuan sot në Hagë, për të diskutuar rreth bashkërëndimit të hetimeve për krime lufte të kryera nga forcat e Rusisë në Ukrainë.
“Ashtu siç e kemi një strategji për ambientin dhe për virusin covid19, ne kemi nevojë për një strategji llogaridhënieje, e drejtuar nga besimi universal se të gjithë jemi të mbrojtur me ligj. Të sigurohemi që të gjitha rrugët të çojnë drejt drejtësisë, tani dhe në të ardhmen”, tha ministri i jashtëm holandez, Wopke Hoekstra.
“Ndërsa flasim, fëmijët, gratë dhe burrat, të rinjtë dhe të moshuarit, po jetojnë në terror. Ata po vuajnë në Ukrainë dhe në shumë pjesë të botës, të pikëlluar për atë që humbën dje, duke mbajtur frymën se çfarë mund të humbasin sot dhe çfarë mund të sjellë e nesërmja. Në një kohë si kjo, ligji nuk mund të jetë spektator”, tha Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan.
Ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba përsëriti thirrjen e vendit të tij për krijimin e një gjykate speciale për veprimet e Rusisë në Ukrainë.
“Kemi dëgjuar një sërë rezervash që kur lindi ideja për herë të parë në fillim të marsit. Shumica shprehën shqetësimin se kjo përpjekje mund të zëvendësojë gjykatat dhe tribunalet ndërkombëtare ekzistuese, duke i dobësuar ato. Dua të ritheksoj qartë: ne nuk kemi qëllim të tillë dhe ky nuk do të jetë rezultati i përpjekjeve tona”, tha ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Forcat ruse kanë bombarduar qytetet ukrainase duke i kthyer në gërmadha dhe duke lënë pas trupa në rrugët e qyteteve dhe fshatrave që ata sulmuan nga muaji shkurt. Ukraina thotë se dhjetëra mijëra civilë kanë vdekur ndërsa Moska mohon se i ka vënë në shënjestër civilët.
Ka pasur gjithashtu raporte se ukrainasit po keqtrajtojnë të burgosurit rusë, megjithëse, shumica dërrmuese e akuzave të dokumentuara nga organizata si Kombet e Bashkuara, janë për mizori që besohet se janë kryer nga Rusia dhe përfaqësuesit e tyre.
Komisioneri i Drejtësisë i Bashkimit Evropian, Didier Reynders, theksoi nevojën për bashkërëndim në mbledhjen e provave.
“Bashkërëndimi është një fjalë e rëndësishme sepse ne duhet të punojmë jo vetëm për muajin e ardhshëm, vitet e ardhshme, por ndoshta për dekadat e ardhshme dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të sjellë para drejtësisë të gjithë autorët e mizorive në Ukrainë”, tha zoti Reynders.
Holanda, vendi ku u mbajt ‘Konferenca për Llogaridhënie në Ukrainë”, shpreson që takimi i sotëm të ndihmojë për krijimin e një strategjie për ndjekjen penale dhe ofrimin e ekspertizës ndërkombëtare për krimet e luftës për hetuesit në terren.
Rusia mohon përfshirjen në krime lufte dhe thotë se po kryen një “operacion special ushtarak” për të mbrojtur banorët rusishtfolës dhe për të çrrënjosur nacionalistët./VOA