Guvernatori Ron DeSantis në një tubim të republikanëve në Miçigan

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, i cili pritet të shpallë kandidaturën për president, vizitoi për herë të parë këtë vit Miçiganin, një shtet i rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale, i transformuar nga shumica demokrate nën udhëheqjen e guvernatores Gretchen Whitmer. 

Vizita vuri në dukje stilet e ndryshme të udhëheqjes mes guvernatorit republikan dhe homologes së tij demokrate. Ata shënuan fitore dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2022, duke i bërë ata politikanët më të spikatur të partive të tyre përkatëse. 

Në Florida, DeSantis dhe asambleja e dominuar nga republikanët e kanë çuar shtetin më djathtas, duke zhvilluar një luftë kulturore. Në Miçigan, guvernatorja Whitmer ka udhëhequr përpjekjet për ta mbështetur me ligj të drejtën për abort dhe avancimin e reformës gjithëpërfshirëse të kufizimit të armëve me ndihmën e demokratëve që për herë të parë në disa dekada kontrollojnë të gjitha degët e qeverisjes në këtë shtet. 

Zonja Whitmer është një aleate e fortë e Presidentit Joe Biden dhe një përfaqësuese e udhëheqjes së tij në partinë demokrate. Zoti DeSantis është një nga kandidatët kryesorë të mundshëm që dëshiron të sfidojë Presidentin Biden në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. 

Vizita e së enjtes ishte gjithashtu një nga paraqitjet e para të guvernatorit DeSantis jashtë shtetit pas ngritjes së akuzave penale ndaj ish-presidentit Donald Trump. Vëmendja e madhe për zotin e Trump e ka bërë më të vështirë fushatën e kandidatëve të tjerë të partisë republikane. 

Ish-presidenti Trump shpesh sulmon zotin DeSantis, një gjë që guvernatori i Flordës e ndan me guvernatoren Whitmer, të cilën zoti Trump e ka etiketuar “ajo gruaja nga Miçigani” gjatë kohës kur ishte president i vendit. Së fundmi, ish-presidenti Trump ka shtuar kritikat ndaj guvernatorit DeSantis, duke thënë gjatë një tubimi fushate në Teksas më 25 mars se politikani nga Florida është i pabesë dhe “në rënie të lirë”. 

DeSantis filloi turneun e së enjtes duke folur në një tubim të partisë republikane në pjesën qendrore të Miçiganit. Ai nuk e përmendi zotin Trump, por kritikoi Presidentin Biden, të cilin e quajti “të dobët” dhe “të kontrolluar nga elementët e majtë të partisë së tij”. 

Zoti DeSantis i tha turmës se ai solli “një mesazh optimizmi bazuar në atë që kemi bërë në shtetin e lirë të Floridës”, ndërsa e cilësoi “axhendën e tij të guximshme“. Ai bëri krahasime të politikave të arsimit dhe koronavirusit në shtetin e Miçiganit me ato në shtetin e Floridës. 

“Më kujtohen gjatë pandemisë së koronavirusit njerëzit që ikën nga ato kufizime të ashpra në Miçigan”, tha zoti DeSantis. “Njerëzit trajtoheshin shumë, shumë keq dhe prindërit më thoshin se ishin të mërzitur me shkollat dhe gjithçka tjetër.” 

Përfaqësuesi i shtetit Bill G. Schuette, një republikan i zonës së Midlandit, prezantoi zotin DeSantis në tubim dhe e cilësoi Miçiganin si “anti-Florida”. 

Që nga fillimi i punimeve të asamblesë në Florida në fillim të marsit, DeSantis ka punuar për zgjerimin e të ashtuquajturit ligj të shtetit “Mos thuaj homoseksual”, i cili ndalon programet e diversitetit dhe barazisë në universitetet publike dhe eliminon kufizimet për armëmbajten. Shteti gjithashtu ka filluar përpjekjet për miratimin e një ligji për ndalimin e aborteve pas javës së gjashtë të shtatëzanisë, që mbështetet nga zoti DeSantis. 

Tubimi në Midland, ku mori pjesë zoti DeSantis, tërhoqi mbi 100 protestues. Presidentja e Bordit të Arsimit në Miçigan, Pamela Pugh, e cila ka mbaruar studimet në Universitetin A&M në Florida, mori pjesë në protestë dhe tha se protestuesit donin “të siguroheshin që Ron DeSantis e di se nxitja e urrejtjes merr fund” në Miçigan. 

Miçigani mund të jetë shteti i pestë që do të mbajë zgjedhjet paraprake të partisë republikane dhe mund të jetë shumë i rëndësishëm për kandidatët për president. 

Votuesit e Miçiganit nuk kanë mbështetur republikanët që nga vitit 2016, kur shteti votoi në favor të zotit Trump. Demokratët kontrollojnë zyrat e guvernatorit, prokurorit të përgjithshëm dhe sekretarit të shtetit. Për herë të parë pas 40 vitesh, demokratët tani kontrollojnë edhe degën legjislative të shtetit. 

Demokratët e Miçiganit i kanë dhënë përparësi mbrojtjes së të drejtës së abortit dhe të drejtave të tjera riprodhuese dhe mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBTQ+. 

Të mërkurën, Whitmer nënshkroi ligjin, i cili shfuqizon një ligji të vitit 1931 për ndalimin e abortit, pasi votuesit në nëntor mbështetën propozimin për përfshirjen e të drejtës për abort në kushtetutën e shtetit të Miçiganit. 

Guvernatorja Whitmer kritikoi Floridën dhe shtetet e tjera të udhëhequra nga republikanët për miratimin e ligjeve “jo-amerikane, kundër lirisë dhe të neveritshme” të abortit. 

Për sa i përket numrit të vendeve të punës, Miçigani shënoi një rritje prej 2.1% gjatë vitit të kaluar, duke u renditur në vendin e 35-të në vend. Florida u rendit e dyta me 4.6%. Florida pati rritjen më të madhe të popullsisë se çdo shtet tjetër nga viti 2021 deri në vitin 2022, me nivel 1.9%, ndërsa popullsia e Miçiganit u ul paksa gjatë së njëjtës periudhë. 

Megjithatë, “shumica e këtyre lëvizjeve pasqyrojnë prirjet afatgjata që janë të lidhura me klimën dhe ekonominë më shumë sesa politikën”, thotë Brad Hershbein, një ekonomist i Institutit W.E. Upjohn për Studimin e Punësimit. 

“Florida ka qenë në rritje gjatë dekadave të fundit, pavarësisht se cila parti kontrollonte zyrën e guvernatorit, kryesisht për shkak të klimës dhe heqjes së taksës shtetërore mbi ardhurat”, thotë ekonomisti Hershbein. 

Ligji për armëmbajtjen, një çështje gjithnjë e më polarizuese pas sulmeve në shkolla në fillim të këtij viti shkollor, ka ndryshuar gjithashtu shumë në Miçigan dhe Florida. 

Guvernatori DeSantis dhe republikanët kanë filluar të heqin kufizimet që u vendosën pas sulmit të vitit 2018 në shkollën e mesme në Parkland. DeSantis nënshkroi një projekt-ligj të hënën që do të lejojë mbajtjen e armëve të fshehura pa patur nevojë për leje të posaçme. Ai ka thënë se dëshiron të lejojë njerëzit që të kenë të drejtën për të mbajtur armë haptas në zonat publike. 

Në Miçigan, demokratët janë afër miratimit të një pakete ligjore për sigurinë me 11 projekt-ligje për kufizimin e armëmbajtjes që guvernatorja Whitmer tha se do ta nënshkruajë, pas një sulmi me armë në Universitetin Shtetëror të Miçiganit në shkurt./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Limaj: Avokati im Karim Khan lëshoi urdhërarrest për Putinin

Story i radhës

Sulmuesi i Kosovës shënon, skuadar e tij në gjysmëfinale të Kupës së Rumanisë

Të fundit nga