Gripi i pulave/ Zgjerohet rrezja e infektimeve: AKU konfiskon 100 mijë vezë

min lexim

Pavarësisht masave për izolimin e gripit të shpendëve, virusi po zgjerohet çdo ditë me një vatër të re, që kur u konfirmua prezenca e tij në vendin tonë.

Pas Durrësit e Korçës, dje u zbulua një vatër e re në Dibër, duke e çuar në tre numrin e qarqeve të infektuara. Afro 200 pula oborri në fshatin RrethKalë në Njësinë Administrative Muhurr kanë ngordhur ditën e djeshme. Inspektorët e AKU Dibër kanë marrë mostrat menjëherë, rezultatin e të cilave banorët e kanë marrë përmes medias.

DEKLARATA 

Me argumentin se me të njëjtën sëmundje po lufton sot e gjithë Evropa, numri 2 i Bujqësisë, Ermira Gjeci, bëri sërish një deklaratë publike duke qetësuar konsumatorët se nuk janë të rrezikuar.

“Dua të sigurojmë konsumatorët se nuk ka asnjë rast nga studimet e bëra që sëmundja mund të transmetohet nga konsumimi i nënprodukteve të shpendëve”, nënvizon Gjeci, teksa shton se Autoritet Kombëtar i Ushqimit është në terren në secilin subjekt tregtues mishi dhe po kontrollon çdo produkt për të garantuar sigurinë ushqimore.

Por faktet tregojnë të kundërtën. Së paku në Fier, Vlorë e Lezhë ku kanë shkelur kamerat televizive, janë tregtarët që thonë se nuk iu ka ardhur askush për kontroll, por janë mjaftuar vetëm me telefonata mbi kujdesin që duhet të tregojnë në transportimin e shpendëve.

“Për kontrolle nuk na kanë thënë gjë, na kanë marrë në telefon dhe na kanë thënë që të mos ecim me makina me transportin e shpendëve, se flitet për përhapje gripi, kurse për kontrolle këtu s’ka ardhur kush, tani kam në shpi zog të vogël nga 1000 kokë e ndërsa pula kam nja 600 copë, probleme nuk kemi sepse këtu kemi ambiente jashtë dhe i bëjmë vaksinimin, i bëjmë vetë çdo gjë, kontrollet, se duam që të jemi të garantuar, ne nuk kemi stalla të mëdha. Nuk ka shumë interes, por ato kërkojnë besim, unë kam 10 vjet këtu dhe klientelën që kam unë, me porosi e kam të njëjtën, por kërkojnë besim. Unë veterinerin e kam privat, e marr njëherë në 2 javë për mbarëvajtjen e tufës, se unë të pres të fillojë ngordhja nuk ke pse e merr më, në zonë nuk dalin, pasi këtu, pulat duhen vaksinuar çdo vit”, thotë një tregtar në tregun e Lezhës.

Ngjashëm ka ndodhur edhe në qytete të tjera ku jo vetëm që nuk është zbatuar urdhri për monitorimin e tregjeve, por shpesh tregtohet pa zbatuar kurrfarë standardi të sigurisë ushqimore. Pavarësisht rasteve të bëra publike në media, sërish apeli shkon për qytetarët, të cilët nuk duhet të blejnë mish shpendësh të pacertifikuar si dhe të sinjalizojnë në numrin e bërë publik.

ZONAT NË KARANTINË 

Prej së mërkurës, pulat në zonat e zbuluara në tre qarqe janë futur në karantinë. Lajmin e konfirmon zv.ministrja, ndërkohë që sinjale për prezencën e gripit të shpendëve janë dhënë dhe në zona të tjera. “Aktualisht, zonat në karantinë janë: Durrës, perimetri me rreze 10 km në qarkun Durrës me qendër në fshatin Rrashbull. Dibër, perimetri me rreze 10 km në qarkun Dibër, me qendër në fshatin Rrethkal (rasti pozitiv në shpend oborri). Korçë, perimetri me rreze 10 km në qarkun Korçë me qendër në fshatin Prespë të vogël(rasti pozitiv i pelikanit kaçurrel)”, deklaroi Gjeci. Masa e vetme e ndërmarrë derimë tani është ajo e karantinimit dhe e monitorimit, por me përmasat e reja që mori situata nuk u mor asnjë masë ekstra, pavarësisht se u lajmërua një gjë e tillë. Disa vende të Bashkimit Evropian, si Franca, Gjermania, Polonia, Hungaria, Svizra, Spanje, Italia, Greqia kanë konfirmuar raste te pranisë së Influencës aviare në shpendë të egër dhe në stabilimente të rritjes së shpendëve, shton zv.ministja duke e cilësuar këtë “flamë” si një prej shtatë sëmundjet kryesore më të cilat po luftojnë sot disa shtete të unionit. Aktualisht prekshmërinë më të madhe e ka Franca, ku janë prekur 540 stabilimente dhe kanë ngordhur dhe eliminuar 72.000.000 shpendë.

AKU konfiskon mbi 100 mijë vezë të një stabilimenti

Paralelisht me ngordhjen e qindra mijëra pulave të mbetura në stabilimentet e prekura vijon procesi i groposjes së tyre me ritme të ngadalta. Pyetja është çfarë bëhet me ato pak vezë që janë prodhuar në këtë hark të shkurtër kohor nga pulat e infektuara. Pavarësisht se ekspertët thonë se në momentin që shpezët infektohen, nuk prodhojnë më vezë, ka një kontingjent të prodhuar tashmë, por që nuk duhen nxjerrë në treg.

Janë autoritetet ato që nuk duhet ta lejojnë, ndonëse në çdo rast këshilla e vetme ka qenë gatuarja e mirë e tyre, si e shpendëve ashtu edhe e pulave, me qëllim për të shmangur çdolloj rreziku kontaminimi. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mësohet të ketë bllokuar dhe konfiskuar gjithë prodhimin e vezëve që datojnë nga 19 marsi, ditë kur u konfirmua gripi i shpendëve e derimë sot. Drejtori i përgjithshëm i një stabilimenti të prekur, Andi Duka tha se janë shumë të paqartë mbi mënyrën se si duhet të veprojnë, për shkak se nuk ka një urdhër të shkruar për ta.

“Në fillimet e kësaj historie pati një reagim të vonuar nga institucionet e përfshira, sepse nuk besohej që ishte një grip shpendësh. Urdhër eliminimi të shprehur shumë qartë nuk kemi, por kemi një urdhër për eliminim/asgjësimin e pulave të ngordhura. Lë shumë vend për interpretim, por verbalisht na është thënë…”. Pra, edhe ato pak pula që kanë mbetur dhe prodhojnë vezë ende, sipas Dukës, po konfiskohen nga AKU e madje edhe gjurmohen më tej. “Çfarë veze prodhohet, nuk duhet të dalë në treg me vulën tonë, por edhe nëse del ajo është një vezë e marrë nga stabilimente të pa infektuara ose e importuar”, shton ai. Por çfarë duhet të konsumojnë konsumatorët, duke qenë se stabilimentet e prekura janë më të mëdhatë që furnizojnë me vezë gjithë vendin?! Duka thotë se kërkesa për vezë e krijuar me vakumin e infektimeve në masë është plotësuar përmes importit nga vende të BE-së. Kjo ka bërë që çmimi i tyre në të shumtën e rasteve të dyfishohet, në mos më tepër. Një gjë e tillë do të ndodhë derisa stabilimentet e prekura të ripopullojnë tufat me zogj e shpend të shëndetshëm.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

10 veprime të pasjellshme që i bëni pa vetëdije

Story i radhës

650 raste aktive me koronavirus

Të fundit nga