Gjeopolitika pa rregulla dhe rikthimi i ligjit të më të fortëve

min lexim

A do të sjellë dekada e tretë e shekullit XXI-të triumfin e autokracive dhe të autokratëve si  Vladimir Putin dhe Xi Jinping ? Po, ata do të fitojnë. Për të kuptuar shkaqet e kësaj fitoreje të dukshme, le ta fillojmë me shembullin e Ukrainës, ku sot po zhvillohet një përplasje mes ushtrive jo shumë të ndryshme nga ato tipike, që ndodhën gjatë periudhës së luftërave të mëdha të shekullit XX. 

Në këtë luftë, Rusia ka treguar të gjithë forcën e një regjimi tipik autokratik. Udhëheqësi i saj i padiskutueshëm (një Duçe i vërtetë!), i forcuar nga mbështetja morale e Kishës Ortodokse dhe Patriarkut të saj, vendosi i vetëm nisjen e një sulmi të madh ushtarak kundër një vendi demokratik, pa hasur asnjë kundërshtim të brendshëm.

Atëherë, pse Putini po lejon eksportin e grurit ukrainas? Për dy arsye. Së pari, Perëndimi dhe veçanërisht Evropa nuk mund të rrezikojnë të shohin revolta në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, për shkak të rritjes stratosferike të kostos së bukës në vendet që janë në prag të falimentimit, por që nga ana tjetër janë të detyruara të subvencionojnë shpenzimet ushqimore për qytetarët e tyre që ndodhen nën kufirin e varfërisë. 

Për më tepër, uria do të provokonte një valë mbresëlënëse migrimesh masive nga Afrika dhe Magrebi, me pasoja katastrofike për stabilitetin e vendeve mesdhetare të BE-së si Italia, Greqia dhe Spanja. Pra edhe Putini e merr si të mirëqenë faktin që në këtë pikë, është më mirë që Evropa të rrezikojë një konfrontim detar me rusët, duke i shoqëruar anijet tregtare me luftanijet e NATO-s, ose mundësisht nga ato të vendeve neutrale të Lindjes së Mesme, tashmë aleatë historikë të Moskës, si Egjipti. 

Arsyeja e dytë:duke u treguar bujar me hapjen e korridoreve humanitare ndërkombëtare për transportin e mallrave ushqimore, Putin nis një “fushatë falënderimi” ndaj të gjitha atyre vendeve afrikane që ose abstenuan ose votuan kundër dënimit të Rusisë në Asamblenë e OKB -së .

Për Putinin, lëshimi në çështjen e eksportit të grurit ukrainas nuk është një problem, duke qenë se ai dikton ngjarjet në fushën e betejës. Dhe se sido që të jetë, herët a vonë, Ukraina, ose të paktën një pjesë e konsiderueshme e saj, duhet të bëhet sërish ruse, pavarësisht çdo lloj kostoje në shkatërrime materiale dhe humbje jetësh njerëzore. 

Atila fitoi kështu dikur, përmes strategjisë së “tokës se djegur”. Ndaj duhet të harxhohet i gjithë arsenali i raketave konvencionale, në mënyrë që të mos mbetet në këmbë asnjë shtëpi e “rebelëve”. 

Dhe e gjithë kjo bëhet e mundur nga fakti se në Moskë burokratët e nivelit të lartë, oligarkët dhe gjeneralët, janë si kukulla në duart kriminale të Carit të ri, që duket i vendosur të ri–vizatojë hartat gjeopolitike të ekuilibrit të fuqive në botë, duke qenë se Evropa (dhe ne e kemi treguar sërish!) është një gjigant prej balte!

Por në fund edhe pjesa tjetër e Perëndimit, do ta kënaqë dëshirat e tij për të rifituar paqen dhe rifillimin e “biznesit si zakonisht”, pasi tek e fundit ne nuk dimë çfarë të bëjmë me gjakun dhe lirinë e humbur të të tjerëve. 

Në këtë kuadër jo–liberal putinian, Duma (parlamenti rus), ministrat, aparatet administrative, ushtarake dhe të sigurisë, janë plotësisht të skllavëruar dhe të prirur t’i binden verbërisht vullnetit despotik të liderit të tyre, duke shkuar deri aty sa të votojnë dhe zbatojnë ligje që shtypin çdo zë kundër dhe zhdukin opozitën nga hapësira politike dhe mediat kombëtare.

Falë censurës së regjimit, dezinformimi shtetëror lë totalisht në hije kostot e luftës dhe humbjet e konsiderueshme në jetë njerëzore, duke luajtur me nacionalizmin dhe ndjenjën e të drejtës së Rusisë për të rifituar rolin e një fuqie të madhe, të cilën e humbi pas fundit të Luftës së Ftohtë. 

Siç e kemi parë, as lutjet, kërcënimet dhe madje edhe sanksionet ekonomike gjithnjë e më të ashpra, nuk mund ta nxisin Duçen e sotëm që të negociojë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje diplomatike për luftën e vazhdueshme në Ukrainë. 

Dhe kjo sepse nga njëra anë, sanksionet janë të padobishme nëse kundërshtari juaj mund të asfiksojë në çdo moment ekonominë tuaj, duke reduktuar furnizimet me energji nga të cilat vareni shumë. Nga ana tjetër, pafuqia vendimmarrëse e Evropës, buron nga vetë natyra e demokracive, duke qenë se liderët e qeverive të tyre përkatëse janë të detyruar të përballen çdo ditë me opinionet e tyre të brendshme publike dhe parlamentet e tyre. 

Perëndimi nuk është një monolit, dhe për rrjedhojë nuk ka si Kina dhe Rusia një politikë të jashtme, ushtri, qeveri dhe Asamble Popullore të përbashkët. Jo vetëm në këtë pjesë të botës, të dëmtuar nga një deficit demografik katastrofik, por ka shumë shtete sovrane me politika të jashtme dhe interesa divergjente (madje shpesh konfliktuale), por edhe në ato konglomerate hibride që sundohen nga traktate të përbashkëta, si p.sh Bashkimi Evropian, që nuk kanë të përbashkët as buxhet, as mbrojtje dhe as qeverisje! 

Prandaj, Kontinenti i Vjetër po shpenzon ende më shumë se 10 herë për armatim sesa është realisht e nevojshme, duke u detyruar të mbajë 27 ushtri dhe qindra sisteme armësh, për shkak të xhelozive dhe egoizmit kombëtar.

Janë pikërisht vendet kombëtare përgjegjëse në çështjet e mbrojtjes së përbashkët, që kanëharxhuar aq shumë burime, duke ua marrë industrive civile dhe kërkimit shkencor. Tek e fundit kështu ka qenë për 70 vite.

Është paguar një haraç për të ruajtur krenarinë e fuqive të vogla, të cilat nuk mund të bëjnë asgjë kundër kryeneçësisë dhe arrogancës së gjigantëve të super-armatosur, si Rusia dhe Kina. Ato nuk janë në gjendje të shprehin një vullnet të përbashkët dhe as një veprim kolektiv kompakt dhe vendimtar, duke i lënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përballen me armikun e ri të përbashkët. 

Kësisoj, sot Perëndimi nuk ka një zë të vetëm për t’iu kundërpërgjigjur dominimit totalitar të autokracive, të cilat, siç e kemi parë në rastin e furnizimeve ruse me energji dhe të globalizimit të tregjeve, financohen me paratë e sistemeve ekonomike liberale, për të mbajtur në këmbë regjimet e veta diktatoriale.

Ajo që po ndodh në Ukrainë,shpjegon qartazi se përse udhëheqja e unifikuar e një kombi të madh, apo e një grupi kombesh, është një problemi i vërtetë që nëse nuk zgjidhet, do ta kthejë peshoren në favor të autokracive brenda kësaj dekade.

Tashmë është e qartë për të gjithë:pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të NATO-s dhe pa shpalljen e pakushtëzuar të një Zone të Ndalimit-Fluturimit, forcimi i përkohshëm (përmes dërgesave të reja me armë) i ushtrisë ukrainase, vetëm sa do të shtyjë në kohë rezultatin e pashmangshëm. 

Rusia ka një ushtri shumë të madhe, një popullsi 4 herë më të madhe se Ukraina, një opinion publik hiper-nacionalist, gjeneralët rusë kanë qenë gjithmonë në favor të strategjisë së “tokës së djegur”, dhe ata janë të vendosur ta përdorin plotësisht forcën shkatërruese të ushtrisë së tyre. Në këto kushte, në këmbë do të mbete vetëm një mur, ai i pacifizmit dogmatik.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

(VIDEO) Drejtuesit e procesit: Testimi po shkon pa probleme

Story i radhës

Një baba që kujdeset për fëmijët e tij, apo që bën punë shtëpie, nuk duhet të shihet si më pak mashkull

Të fundit nga