Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla – Schwartz thekson se vendi i saj është i përkushtuar për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë, që do të duhet të rezultonte me njohjen e ndërsjellë. Ajo shton se sa më parë që Serbia ta njohë realitetin me shtetin e ri të Kosovës në Ballkan, aq më shpejt do të përparonte drejt rrugës evropiane. Zonja Gërvalla – Schwartz foli edhe mbi çështjen e liberalizimit të vizave mes BE-së dhe Kosovës, ndërsa pritet që me 13 tetor Republika Çeke, e cila ka kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, ta trajtojë këtë çështje gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian. Sipas ministres Gërvalla-Schwarts, Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara për liberalizim vizash dhe kjo çështje më shumë sesa përgjegjësi e palës kosovare, është tashmë e Bashkimit Evropian çka mund të vinte në pikëpyetje kredibilitetin e tij. Me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës bisedoi gazetarja Menada Zaimi.
Zëri i Amerikës: Zonja ministre, kohët e fundit është vënë re një vëmendje e shtuar e faktorit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Cili është vlerësimi juaj, kur është realiste që të kjo marrëveshje të arrihet ndërmjet dy vendeve?
Donika Gërvalla: Unë nuk mund të jap parashikime rreth kohës se kur mund arrihet një marrëveshje e tillë. Çfarë unë mund të them është që Kosova është shumë e përkushtuar për të arritur një marrëveshje finale, e cila do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi. Unë mundem vetëm të theksoj nevojën për një marrëveshje të tillë për shkak se koha po kalon. Kosova është realitet si shtet i pavarur dhe sovran qe 15 vjet dhe ky është një fakt i pakapërcyeshëm edhe për Serbinë. Kapitulli historik i pavarësisë së Kosovës është përmbyllur, në ndërkohë është çështje e Serbisë edhe për arsyet e saj të brendshme që sa më parë ta njoh realitetin me shtetin e ri të Kosovës në Ballkan, aq më shpejt do të hapin dhe rrugën për vetveten drejt rrugës evropiane, nëse e dëshirojnë.
Zëri i Amerikës: Le të flasim për një çështje të ndjeshme për Kosovën. Republika Çeke e cila mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian ka paralajmëruar që me 13 tetor do të hedh për diskutim në Këshillin Evropian çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Sa optimiste është qeveria e Kosovës se kjo gjë do të realizohet dhe shpejt?
Donika Gërvalla: Ne në vazhdimësi kemi punuar në baza ditore për të arritur progres në çështjen e liberalizimit të vizave, sepse është padrejtësi e madhe që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të vetmit në rajonin tonë të cilët nuk mund të lëvizin pa aplikuar për viza dhe procesi i aplikimit për viza është jashtëzakonisht i gjatë, i shtrenjtë dhe i komplikuar. Prandaj, përderisa është konstatuar disa herë që Kosova i ka përmbushur, madje më shumë sesa që ka qenë e kërkuar, kriteret për liberalizim vizash, është në fakt në pyetje kredibiliteti i Bashkimit Evropian më shumë sesa që përgjegjësia bie në anën tonë. Unë dua të jem optimiste për datën 13, por siç e kemi praktikuar edhe deri tani ne nuk japim parashikime, nuk japim data sepse mjaft në të kaluarën janë bërë parashikime të gabuara, janë hapur shishe shampanje, është festuar që është bërë pardje liberalizimi i vizave. Duam të jemi shumë serioz edhe me partnerët tanë evropianë, do ta përshëndesnim jashtë mase liberalizimin e vizave, por le të presim se cili do të jetë veprimi. Në fakt arsye për të mohuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës nuk ka.
Zëri i Amerikës: Në muajin maj Kosova ka paraqitur edhe kërkesën për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Sa ka gjasa që të miratohet kjo kërkesë?
Donika Gërvalla: Unë tani nga Washingtoni do të udhëtoj drejt në Strasburg ku tani në fillim të tetorit do të hapet edhe sesioni i ri i Asamblesë Parlamentare. Aty ne në vazhdimësi që nga muaji maj jemi duke punuar jo vetëm me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, jo vetëm me delegacione të ndryshme por edhe me kryeqytetet e shteteve anëtare me qëllim që të kemi një proces sa më të shpejtë. Ne e dimë që ky është një proces, aplikimi nuk nënkupton që ti anëtarësohesh automatikisht. E dimë që për shtetet e rajonit procesi ka qenë shumë i gjatë, ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta shkurtuar këtë proces në rastin e Kosovës. Pavarësisht nga vendimet që merren në Strasburg në këtë kohë të ndërmjetme, ne jemi duke punuar në Kosovë që legjislacionin tonë, veprimet e qeverisë, transparenca, demokracia, mbrojtja e të drejtave të njeriut, vetingu në gjyqësi e të tjera procese t’i qojmë përpara me qëllim që të shkurtojmë sa më shumë kohën në pritje të një vendimi pozitiv për Kosovën.
Zëri i Amerikës: Zonja ministre, Shqipëria ka ndërmarrë një nismë për të hedhur poshtë raportin e të dërguarit të këtij Këshilli, Dick Marttyt, që është në themelet e Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë. A ka një bashkërendim mes qeverisë së Kosovës dhe Tiranës zyrtare mbi këto çështje?
Donika Gërvalla: Jo, një bashkërendim nuk ka pasur lidhur me këtë çështje, por ju duhet të më kuptoni që unë nuk komentoj veprimet e qeverisë shqiptare. Unë komentoj marrëdhëniet tona të përbashkëta të cilat janë të mira si rrallëherë në shumë fusha. Është e vërtetë që kemi divergjenca sa i përket “Ballkanit të hapur”. Kemi divergjenca edhe në raport me atë se si kryeministri shpesh pa asnjë nevojë, bëhet avokati kryesor i (Aleksandar) Vuçiçit në vende dhe mediume të ndryshme ndërkombëtare duke i ndihmuar Vuçiçit të mos bëhet pjesë e politikës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së në raport me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, për të qenë shumë e sinqertë, mendoj që asnjëherë më parë marrëveshjet konkrete që kemi me Shqipërinë, nuk kanë qenë të implementuara me një shpejtësi të tillë si deri tani dhe nuk kanë qenë më tepër në kuptimin e asaj që t’u shërbejnë qytetarëve në të dyja anët e kufirit edhe në Shqipëri edhe në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Nëse nuk ka pasur, duhej të kishte?
Donika Gërvalla: Duhej të kishte pasur edhe në të kaluarën, ama ne kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira sa u përket edhe dy qeverive me njëra tjetrën, por edhe sa u përket ministrive veç e veç me njëra tjetrën, sepse jemi të interesuar që marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Kosovës t’u shërbejnë qytetarëve dhe jemi të interesuar që të implementojmë sa më shumë prej tyre. Këto 18 muajt e parë të kësaj qeverisjeje kanë treguar se me Shqipërinë mundësitë janë shumë të mëdha, por edhe ritmi me të cilin jemi duke punuar është goxha i lartë. Vendimi për hekurudhën mes Durrësit dhe Prishtinës është një prej tyre që do të jetë tepër i rëndësishëm për ekonominë në Kosovë dhe ekonominë në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Zonja ministre, ka një përplasje brenda ministrisë që ju drejtoni me ata punonjës që kërkojnë të ketë një organizim sindikalist brenda saj. Madje sot sipas shoqatës së sindikatave të anëtarëve të shërbimit të jashtëm përfaqësues të ministrisë suaj kanë hyrë me dhunë brenda zyrave tyre dhe kanë marr në posedim gjithë materialin që ata kanë brenda. Si ju përgjigjeni këtyre akuzave, a po e bllokoni ju një organizim sindikalist brenda ministrisë?
Donika Gërvalla: E para që duhet kuptuar dhe që është shumë e rëndësishme, është që zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, koalicioni ynë qeveritar i ka fituar me premtimin për reforma të thella institucionale, pra për një funksionalizim të institucioneve tona për një punë më efikase në institucionet tona. Asgjë më tepër apo asgjë më pak nuk ka ndodhur në ministrinë e Punëve të Jashtme e cila është pararendëse e reformave. Ne kemi bashkuar dy ministri, pra kemi fuzionuar ish ministrinë e Diasporës me ish ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me një rregullore të re të punës kemi krijuar një ministri të përbashkët. Sa i përket organizatës sindikale, natyrisht unë kam jetuar 30 vjet në Gjermani dhe pretendoj se më mirë se shumë kush në Kosovë jam e njohur me procedurat dhe nevojën e përfaqësimit sindikal. Unë mendoj që një numër i vogël i njerëzve që pretendon të marrë përsipër që janë përfaqësuesit sindikal në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të duhej që në radhë të parë të dalin para pasqyrës dhe të flasin me vetveten sepse shkelja e ligjit e para nuk pranohet dhe e dyta, përfaqësuesit e sindikatave pra drejtuesit e sindikatave nuk mund të jetë dikush, sipas ligjit, nga pjesë e menaxhmentit, pra që është drejtor departamenti dhe që aty nisë problemi ku njerëzit e vetemëruar dhe vet të deklaruar marrin përsipër të shpjegojnë nëpër mediume se cilat janë problemet dhe cilat nuk janë. Unë vazhdimisht që nga ardhja në marsin e vitit të kaluar kam qenë shumë e hapur me të gjithë dhe jemi përpjekur të gjithë së bashku, ju e keni parë edhe pjesëmarrjen e një gjoja proteste që është organizuar në Prishtinë që nuk ka qenë nga punonjësit real të ministrisë së Punëve të Jashtme, por ka qenë një numër jashtëzakonisht i vogël. Unë jam e përkushtuar që krahas përmirësimit me vendet tjera, me shtetet partnere dhe aleate jam shumë e përkushtuar që të krijojmë një strukturë efikase në ministrinë e Punëve të Jashtme.
Zëri i Amerikës: Sot është Dita ndërkombëtare për qasje të informacionit, kemi patur edhe një material lidhur me këtë çështje dhe ministria që ju drejtoni ka marr një gjobë prej 13 mijë eurosh nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për shkak të refuzimit për lejimin e qasjes të informacioni. Pse kjo mungesë e transparencës ndaj publikut?
Donika Gërvalla: Mendoj që kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës, mendoj se kjo qeveri larg së qeni perfekte në punën e saj, ka ofruar qasje qoftë në dokumente publike por qoftë edhe në përgjithësi në informacione që kanë të bëjnë me qeverinë, ka ofruar qasje shumë më të madhe jo vetëm për gazetarë por edhe institucione apo për shoqërinë civile. Unë shumë gëzohem që shoqëria civile dhe mediat në Kosovë janë kaq të zëshme në kërkesat e tyre për më shumë transparencë sepse mendoj që kjo i shërben një demokracie më të fortë në Kosovë. Ne kemi nevojë për një transparencë edhe më të lartë edhe pse tregojnë edhe matjet ndërkombëtare që Kosova sa i përket të drejtës së lirisë së mediave ka kërcyer në organizata ndërkombëtare disa vende lart, prandaj larg së qeni perfekt, jemi duke u munduar që të jemi edhe më mirë. Megjithatë të mos harrojmë që kjo është qeveria më transparente që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës./VOA