Veprimtari Halil Geci ka reaguar lidhur me kërkesat për dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit Xhelal Sveçla, duke pretenduar se këto kërkesa janë pjesë e përpjekjeve politike për dobësimin e kryeministrit Albin Kurti.
Në një reagim publik, Geci ka thënë se Gërvalla dhe Sveçla janë dy shtylla kryesore të qeverisjes së Kurtit dhe se përpjekjet për largimin e tyre kanë nisur shumë kohë para rastit tragjik të Arlinda Zekajt.
Ai ka vlerësuar se rasti i Arlindës nuk duhet të përdoret për përfitime politike apo sulme ndaj Qeverisë, duke kërkuar që çdo kërkesë për dorëheqje të mbështetet në fakte, përgjegjësi konkrete dhe shkelje të dëshmuara.
Geci ka mbrojtur gjithashtu punën e Sveçlës në fushën e sigurisë dhe atë të Gërvallës në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, duke pretenduar se kërkesat për largimin e tyre lidhen me përplasjet më të gjera politike dhe interesat e grupeve të caktuara.
Në fund, ai ka theksuar se debati për përgjegjësinë politike duhet të bazohet në fakte dhe jo vetëm në akuza politike.
Shkrimi i plotë pa ndërhyrje:
PËR TA DOBËSUAR ALBIN KURTIN, SË PARI SYNOHET TË LARGOHEN DY SHTYLLAT KRYESORE TË QEVERISJES SË TIJ: DONIKA GËRVALLA DHE XHELAL SVEÇLA
Përpjekjet për largimin e Albin Kurtit dhe Donika Gërvallës nga pushteti nuk janë të sotme. Ato datojnë që nga ardhja e tyre në pushtet, me votën plebishitare të qytetarëve.
Mes drejtësisë, sovranitetit dhe interesave të grupeve të fuqishme, beteja vendimtare e Kosovës mbetet sundimi i ligjit dhe mbrojtja e institucioneve nga çdo ndikim i paligjshëm.
Për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës, nevojiten guxim dhe vendosmëri për ta vënë vendin në binarët e shtetit ligjor dhe për t’ua hequr nga duart oligarkëve një shtet të kapur, të sunduar përmes ndikimit, interesave dhe logjikës së forcës.
Kjo që po kërkojnë sot disa nga oligarkët opozitarë, që Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla të japin dorëheqje, është një tregues i krizës së vetë opozitës.
Kosova ka nevojë për drejtësi të barabartë për të gjithë, njësoj, jo për një drejtësi që përdoret sipas interesave politike dhe oligarkike, të drejtuara nga ata që e gërryen Kosovën për 26 vjet me radhë, duke e kthyer në një karashmak (gjyveç), jo vetëm për t’u pasuruar vetë, por edhe për t’i ngopur djajtë e Beogradit, të cilët flasin shqip, por punojnë për Shumadinë.
Megjithatë, rasti i Arlindës nuk duhet të shndërrohet në pretekst për përfitime politike apo për sulme ndaj Qeverisë dhe Albin Kurtit. Kjo që po kërkojnë sot disa nga kundërshtarët politikë nuk është e panjohur për votuesit.
Ju që po kërkoni dorëheqjen e Donika Gërvallës, a mund të na tregoni sa kohë ka ajo në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe cilat janë gabimet konkrete që ka bërë gjatë drejtimit të këtij dikasteri, për të cilat mendoni se duhet të japë dorëheqje?
Sipas bindjes sime, kërkesat për largimin e Donika Gërvallës dhe Albin Kurtit kanë ekzistuar edhe para rastit tragjik të Arlindës. Për këtë arsye, zhvillimet e sotme duhen analizuar në kontekstin më të gjerë të përplasjeve politike dhe të interesave që përplasen rreth qeverisjes së vendit.
Nga ana tjetër, Xhelal Sveçla, në drejtimin e institucioneve të sigurisë, ka qenë pjesë e politikës së Qeverisë për shtrirjen e autoritetit shtetëror dhe forcimin e rendit në veri e në tërë territorin e Kosovës. Mbështetja e sovranitetit dhe luftimi i krimit të organizuar janë detyrime shtetërore që duhet të zbatohen me profesionalizëm, përgjegjësi dhe respektim të ligjit.
Edhe sikur Donika Gërvalla të largohej nga skena politike, kjo nuk do të thoshte domosdoshmërisht se do të përfundonin përplasjet e opozuzes me Albin Kurtin. Sipas vlerësimit tim, ai mbetet objektivi kryesor politik i kundërshtarëve të tij, për shkak të qëndrimit që ka mbajtur për sovranitetin e Kosovës dhe për ndryshimin e mënyrës së qeverisjes.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i debatit politik: nëse synohet ndryshimi i Qeverisë përmes garës demokratike, kjo është pjesë e sistemit parlamentar; nëse synohet dobësimi i institucioneve për të mbrojtur interesat e oligarkëve politikë dhe interesat e paligjshme, kjo do të përbënte një problem serioz për shtetin dhe qytetarët.
Largimin e Donika Gërvallës e kërkojnë ata që frikësohen nga konfiskimi i pasurive të pajustifikuara dhe nga përgjegjësia për zbardhjen e vrasjeve të pazbuluara.
Dorëheqja nuk kërkohet vetëm me akuza politike, por duhet të arsyetohet me fakte, përgjegjësi konkrete dhe shkelje të dëshmuara.
Burimi: botasot.info


