Në Ditën e Alfabetit Shqip, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë një hap konkret për lehtësimin e qarkullimit mes dy vendeve, duke vënë zyrtarisht në funksion sistemin e kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, e cila thekson se sistemi do t’u mundësojë udhëtarëve kryerjen e kontrolleve kufitare të të dyja vendeve me vetëm një ndalesë.
Sipas Azizit, në Qafë Thanë kalojnë çdo ditë mijëra qytetarë që udhëtojnë për të takuar familjarë, për punë, studime apo vizita, ndërsa sistemi i ri synon të reduktojë kohën e pritjes dhe të thjeshtojë procedurat kufitare.
Vetëm gjatë vitit 2025, në Qafë Thanë janë regjistruar mbi 2.3 milionë kalime udhëtarësh, duke përbërë më shumë se gjysmën e të gjitha kalimeve në pikat kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Sistemi “One Stop Shop” pritet që pas Qafë Thanës të shtrihet edhe në pikat e tjera kufitare mes dy vendeve.

