Përderisa fondet ngarendin njëri pas tjetrit, pa transparencë dhe pa llogaridhënje humbet interesimi dhe besueshmëria e qytetarëve (mërgimtarëve) edhe për rastet emergjente! Pa ndëshkimin e abuzuesve të maksi fondeve “3 përqindëshit”, “Vendlindja Thërret” dhe fondeve tjera nga koha e luftës çlirimtare, vështirë se do të kthehet besimi ndër bashkatdhetarët edhe për një kohë të gjatë!
Pa zbardhjen e fondeve paraprake, nuk do të kenë suksese fondet e reja
Mund të konsiderohet e logjikshme heshtja e qeverive paraprake ndaj abuzuesve të fondeve të luftës çlirimtare, pasi në të shumtën e rasteve drejtuesit e ish partive në pushtet dhe njerëzit e tyre ishin edhe bartës të fondeve të luftës! Por në asnjë rrethanë nuk mund të justifikohet heshtja e Albin Kurtit ndaj abuzuesve të fondeve të sipërpermendura, pasi i njëjti dy vite më parë, më 12 prill 2020 në cilësinë e kryeministrit në detyrë (i shkarkuar) e kishte hapur “Fondin Emergjent” përmes një xhirollogarie të posaçme duke kërkuar nga diaspora shqiptare ta ndihmojë qeverinë me mjete financiare për menaxhimin e pandemisë “COVID 19”, për të cilin fond asnjëherë deri më sot nuk u bë transparente shuma e parave të grumbulluara dhe as lëvizjet financiare të atij fondi!
Siq dihet, Albin Kurti e ka paralajmëruar edhe themelimin e “Fondit Sovran”, fati i të cilit varet nga menaxhimi i “Fondit të Sigurisë!
Pa u zbardhur e vërteta e fondeve paraprake, përkatësisht fondit të “3 përqindëshit”, “Vendlindja Thërret”, “Fondit Emergjent” dhe fondeve të tjera, mërgatës tonë as që do t’i bëjnë përshtypje themelimet e fondeve të reja!
Themelimet e fondeve nuk ishin premtime të kryeministrit aktual
Të gjithë i dimë premtimet e Albin Kurtit gjatë fushatave zgjedhore. Kishte premtuar rritjen e buxhetit për ushtrinë, por asnjëherë nuk e kishte permendur hapjen e fondeve humanitare, por premtim e kishte themelimin e ‘Bankës Zhvillimore’!
Ikja nga premtimet elektorale dhe parimet politike e ka kthyer Albin Kurtin në personalitet të dyfishtë, të cilit më nuk i beson as elektorati i LVV-së e lërë më qytetarët e vendit. Albin Kurti sikur (qëllimshëm) po harron se Kosova është shtet sovran me infrastrukturë të organizuar në të gjitha nivelet dhe me një buxhet shumë të pasur sesa qeveritë paraprak. Po ashtu Albin Kurti qëllimshëm po i harron edhe të hyrat e mërgatës sonë apo “remitencat” siq po i quajnë në zhargonin politik, të cilat janë mbi 1 miliardë euro në vit dhe prapë po kërkojnë para “kesh” nga mërgimtarët!
Albin Kurti duhet t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat shtetërorë për financimin e institucioneve shtetërore, përfshirë Ushtrinë e Kosovës (FSK-në).
Me përvetësimin e nismës së mërgatës për “Fondin e Sigurisë”, Albin Kurti përveq humbjes së besimit e ka shpërfaqur papjekurinë e tij politike dhe paaftësinë qeverisëse me vendin!
“Fondi i Sigurisë” do të jetë fundi i mbrapsht i fondeve humanitare nga ana e qeveritarëve, ngase më askush nuk do t’i besoj askujt që vie në krye të ekzekutivit!
Kemi pasur qeveri të pakonsoliduara mirë, me mbështetje të vogël dhe të madhe qytetare, me buxhet më të ulët sesa 1/3 e buxhetit aktual, por asnjëherë nuk kemi pasur hapje të fondeve humanitare qeveritare, për arsyen e thjeshtë se shteti nuk mbahet me ndihma humanitare por me investime kapitale, zhvillim ekonomik dhe mirëqenje qytetare e cila bëhet bazament i fuqishëm i të gjitha segmenteve shtetërore!
Politikanët e ditëve të sotme shtetin nuk e duan më shpirtë por më bark
Patriotizmi nuk matet me gjuhë populliste, as me ngjyra partiake por me punë dhe vepra konkrete. Të jesh patriot do të thotë të jepësh çdo gjë për shtet dhe atdhe pa marrë asgjë prej tij.
Të thirresh dhe të çirresh se je në ballë të një fronti dhe të qëndrosh në fund të kolonës nuk është patriotizëm. E njëjta gjë vlenë edhe për themeluesit e fondeve, emrat e të cilëve, për të mos thënë asnjëherë, rrallë i gjen në listat e donatorëve!
Kur jemi tek fondet, e më konkretisht tek “Fondi i Sigurisë”, të parët që duhej t’i prinin listës së donatorëve do duhej të ishin themeluesit e fondit, përkatësisht qeveritarët me dhënjën për fillim të një page mujore, pastaj të gjithë ata që i kanë pagat më të lartat në rajon dhe më të larta sesa mërgimtarët në perëndim, filluar nga deputetet e Kuvendit, prokurorët dhe gjykatësit, bankierët dhe oligarkët e fuqishëm ekonomik.
Politikanët që e duan shtetin më bark e jo më shpirtë, mendjen e kanë tek xhepat e tyre të thellë dhe jo tek forcimi i shtetit dhe mirëqenja e qytetarëve.
Karrieristët e etur për pushtet nuk zgjedhin rrugë dhe mjete, por janë të gjendje të sakrifikojnë edhe jetëra njerëzish për të mbajtur, gjegjësisht për të marrur pushtetin.
Në fund të këtij shkrimi dëshiroj t’ua kthejë një përgjigje të përbashkët të gjithë atyre që janë kokëfortë dhe nuk ju besojnë fakteve.
Shkrimet e mia nuk janë të mbushura me fantazi dhe të pavërteta, por janë të bazuara në fakte dhe realitet. Sadoqë mundohemi t’i ikim realitetit të hidhur, të ndarjeve të thella politike dhe shoqërore nuk mundemi.
Nuk kam qenë, nuk jam dhe as që do të bëhem zë i pushtetarëve dhe as i opozitarëve, por do të mbetem zë plural dhe kreativ në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.
Sikurse deri më tani do të qëndroj besnik ndaj së vërtetës, për të zbuluar lajmin, edhe atëherë kur nuk shihet apo tentohet të fshifet nga të tjerët, për ti bërë gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im!
Zoti i bekoftë qytetarët e vendit tim në trojet etnike dhe diasporë!