Shumë enveristo-edramisto-thaçistë…në Shqipëri, Kosovë, diasporë…janë “lumturuar” apo “po fluturojnë nga lumturia” nga “fjalimi i bukur, historik, patriotik, programatik, bombë e flamur”…, që mbajti Edi Rama në punimet e Asamblesë së KiE-së, në Strazburg, më 12 tetor 2022…
Kjo nuk i lejon apo pengon të kujtojnë një traditë të moçme. Fjala është për faktin se shumica e politikanëve, qeveritarëve dhe pushtetarëve të lartë në Shqipëri, Kosovë dhe në vende të tjera në botë, kanë si dhunti të lindur apo të përsosur gjatë karrierës në politikë dhe qeverisje, aftësinë për të sajuar apo mbajtur fjalime të bukura. Në të shumtën e rasteve, këto fjalime të bukura si tekste mund të interpretohen, kuptohen, “përkthehen” edhe si raste, shanse dhe mundësi për vetëreklamë apo si grimet dhe zbukurimet që bëjnë, të paktën një herë në muaj gratë në sallonet e kozmetikës. Edhe më shqip, troç apo popullorçe, edhe si mundësi e re për t’u futur turmave që i dëgjojnë gojëhapur në tru doza të reja e të forta drogërash partiake e politike, “shkelma të rinj” pas prapanicave, në fyt apo gurë në trastë…
Në politikë, qeverisje, ekonomi, kuletë, shtëpi, sofër, tavolinë ngrënieje…, dobitë e të mirat shikohen, preken, përjetohen…jo nga premtimet, deklarimet, fjalimet e bukura apo marramendëse si nga gotat e rakisë apo dozave të drograve, por nga ato vlera konkrete, të dukshme, të llogaritshme, që ta bëjnë shtëpinë, jetën dhe vendin, të sotmen dhe të ardhmen më të mirë e më të sigurt në të gjitha apo shumicën e drejtimeve. Edhe Edi Rama, ashtu si Enveri, ka talent të lindur apo të fituar dhe përmirësuar ndër vite, në kongrese, konferenca, mitingje…për fjalime të bukura! Por Shqipëria, ashtu si në kohën e “fjalimeve të bukura të Enverit” dhe të 9 viteve të Edi Ramës, prej 78 vjetësh, mbetet po aty ku ishte më 29 nëntor 1944, në vendin e fundit në Europë për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mbështetjes sociale, mirëqenies, shtetit ligjor e funksional, integrimit në BE dhe e para për plot të këqia. Edhe dje, Edi Rama bëri zanatin apo punën e vjetër, mbajti një “fjalim të bukur” për të mbrojtur Hashim Thaçin, mikun e tij e të Vuçiçit dhe…Kosovën!
Por, njëherazi këmbënguli edhe për mbijetesën e “Ballkanit të hapur”, nënkuptueshëm edhe për përfshirjen e Kosovës në të, nismë që është plotësisht në dobi të Serbisë e Rusisë e në dëm të Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse Edi Rama e do me shpirt e zemër Kosovën, këtë mund ta shprehte duke mos vendosur apo duke hequr trarët dhe taksën në “Rrugën e Kombit” e jo “të asgjëkundit”, siç e ka cilësuar ai në një “fjalim të hershëm të bukur”, në Kalimash, ku i merr çdo veture të Kosovës 10 euro për vajtje- kthim e çdo mauneje nga rreth 40-50 euro…
Gjithashtu, “dashurinë e zjarrtë” për Kosovën dhe shqiptarët në Kosovë, ai ka mundësi e fuqi të padiskutueshme ta tregojë edhe duke mos i lejuar pronarët e hoteleve turistike dhe të plazheve në Shqipëri, sidomos në ato të Jugut, t’ua zbrazin xhepat apo kuletat, “t’ua nxijnë” pushimet, me ato çmime të çmendur për dhoma, apartamente, ushqime, çadra e shezlongë…Populli ka një shprehje filozofike: “fjalët e bukura i merr era”! Pra, shumë më tepër se fjalët duhet të gjykojmë për nga të mirat, dobitë, veprat, “frutat”…që na mbeten apo hyjnë në shtëpi, tek dera, në tavolinat e ngrënies, në kuleta, në frigorifera…!