Fajin e ka “sovrani”

Më shkruaje gjerë e gjatë në FB e më rrëfeheshe me zemër në dorë për bëmat e tua të fundit elektorale. Bëma të lavdishme të denja për një hero të kohës sonë. Ti, miku im, gjithmonë ke pasur tendenca heroi, shkoje në mes të situatave nga më të vështirat si vetëtima, pa të bërë syri tërr. Hajde trim hajde, e haje hekurin me dhëmbë, siç thotë ajo kënga e moçme e maleve të Labërisë nga e ke origjinën dhe për të cilën krenohesh me shpirt në mbrëmjet e hazdisura kur e pi rakinë me opingë.

Bëre si bëre, më në fund u fute dhe ti në vallen e burrave pallëlarë të politikës, ia bëre bam në mes të mejdanit. Kandidove si i pavruar se siç më thoshe miku im ty nuk të nxë dot asnjë parti politike.

Madhështinë tënde nuk e nxënë dot gardhet e sinoret partiake, ndaj kishe bërë mirë që iu kishe vënë dërmën partive dhe kishe dalë si azgan në mejdanin e burrave, sipas asaj parullës së ardhur nga qëmoti, edhe i vetëm trim në luftë!

Siç më shkruaje kishe dalë në ballë të burrave e grave të Nahijes së Naltë e ashtu krenar siç ta ka soj e sëra, vringëllive armët e takëmet e burrërisë dhe lype siç iu ka hije trimave votat e “sovranit”.

Burrat dhe gratë e Nahijes së Naltë të panë në kokërr të syrit dhe aty panë një djalë azgan që ha hekur me dhëmbë e nuk tutet nga asnjë lloj rrebeshi, murlani e cunami.

Atje, në klubin e fshatit, ku e derdhe rakinë e verën lumë, ligjerove si bilbil për të mirat që do të kishte Nahija e Naltë nëse do të zgjidheshe deputet në Kuvendin e Madh. Gjindja dëgjonte dhe derdhte lotë gëzimi. Kështu më shkruaje, miku im.

Asnjeherë nuk qe dëgjuar në ato anë një orator si ti, që i numëronte me ligjerime bëmat e premtuara, që synonin ta nxirrnin Nahijen e Naltë nga harta e varëfrisë dhe skamjes.

Fjalët e tua nuk kishin të sosur.

Nuk kishin të sosur premtimet.

Nuk kishin të sosur shishet e birrës, gotat e verës dhe të rakisë, shoqëruar me mishëra që piqeshin ditë e natë në hell, që gjindja të ngopej e të të votonte në shtatë e shtatëdhjetë.

Por çfarë ndodhi?

Ku vajti gjithë ai shpenzim i derdhur lumë?

Ku vajtën gjithë ato premtime?

Kur u numëruan votat, doli se mezi i kishe marrë nja njëqind vota, falë disa kushërinjve të afërt e të largët që nuk të tradhtuan.

Ti me pyesje si ka mundësi të ndodhë një mynxyrë e tillë dhe më luteshe të të thosha se kush ishte fajtori.

Po ta them, ndonëse më pikon në zemër:

Fajin e ka “sovrani”.

Një “sovran” që nuk di se nga buron e mira nuk është “sovran”.

Ndaj mos u mërzit, miku im, shko rishtas në bazë dhe edukoje këtë qerrata “sovran”, që kur të kanditosh herë tjetër, të mos dalësh sheshit me “këpucë të kuqe”, siç dole këtë radhë, por me “këpucë rozë ose blu”!…

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Apple thotë se janë 1.8 miliardë pajisje aktive me markën e saj

Story i radhës

Donaldi emocionohet dhe përlotet kur dëgjon këngën që Beatrix ia dedikoi atij

Të fundit nga