Eriksen: Edhe me këtë gjendje, nuk ka kufij

Christian Eriksen ka rifilluar një jetë të re teksa tashmë do të mund të luajë sërish futboll, ku ka firmosur në Premier Ligë me skuadrën e Brentfordit. Ylli danez me anë të një interviste prezantimi në kanalet zyrtare të klubit, ka deklaruar se ndihet gati sërish të luajë futboll pas konsultave me mjekët dhe se dëshiron që ta hedhë pas atë kujtim të hidhur që ndodhi në Kampionatin Europian:

“Do t’i rikthehesha futbollit ngadalë-ngadalë. Para së gjithash, kishte shumë analiza për të parë se si reagonte zemra sërish gjatë stërvitjes.

Për fat të mirë, asgjë nuk ndodhi kështu që gjithçka ishte mirë. Edhe me këtë gjendje, nuk ka kufij. Mund të vrapoj, notoj në zhytje të thellë ose çfarëdo tjetër, kjo varet vetëm nga diagnoza dhe si ndihesh. Tre muajt e parë, nuk bëra asgjë, por më pas 3-4 muajt e fundit kam bërë programin e rehabilitimit.

Ishte e vështirë të shihje ndeshjet në fillim sepse gjithmonë mendon se dëshiron që të jesh atje. Kam qenë në gjendje të prek topin, kam ‘nuhatur’ barin, këpucët e futbollit janë veshur dhe gjithçka fillon të kthehet brenda teje, emocionet e stadiumit, tifozët, ekipi gjithçka. Sfida ishte më shumë për të kapërcyer atë që ndodhi në të vërtetë.

Dëshiron të kthehesh në normalitet, por për mua, normalja ishte të luaja në Itali, por nuk më lejuan ta bëja këtë. Kështu që, normalja duhej të ndryshonte. Kam mundësinë t’i rikthehem një jete normale në Brentford.

Ky është qëllimi im të shihem sërish si Eriksen, një futbollist elitar dhe e dija që një ditë do të luaja sërish. Më kanë dhënë dritën jeshile mjekët, dhe jam në gjendje të luaj. Sigurisht, do ta kem gjithmonë me vete dhe të gjithë do të kenë kujtimin e asaj që ndodhi, por tani është koha për të krijuar kujtime të reja dhe për të parë përpara.”, përfundoi Eriksen.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dëshironi rroba të freskëta, shpëtimin e gjeni tek sheqeri

Story i radhës

Furkan Saliu: Pse gëzohen për rritjen e pagës minimale ata që vet marrin 120 mijë den?

Të fundit nga