Ekskluzive: Profesori i Oksfordit tregon si duhet të veprojë Kurti për Asociacionin: Ky është rreziku nëse s’ka marrëveshje

min lexim

Eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan, ka thënë se është bërë shumë pak përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe se situata është e njëjtë siç ka qenë për disa vite.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Caplan është shprehur pesimist se SHBA-ja do të kryejë një marrëveshje Kosovë-Serbi në 10 vitet e ardhshme, pasi do të ketë kritere që Kosova dhe Serbia duhet t’i plotësojnë për hyrjen në BE.

Ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të pranohen njëkohësisht në BE, sepse sipas tij, ekziston rreziku që nëse Serbia pranohet në BE e para, në një pozitë veto, ajo do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës.

Teksa ka folur për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, profesori britanik ka thënë se diçka duhet të jetë e negociueshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Nëse Kurtit nuk i pëlqen kjo ofertë e Beogradit për Asociacionin, ai duhet të propozojë autonomi. Por, rreziku është që nuk do të ketë ndonjë marrëveshje ndërmjet palëve, se sa autoritet duhet të ketë Asociacioni, ky është rreziku”, ka deklaruar Caplan.

Ai ka hedhur poshtë paralajmërimet e kryeministrit Kurtit se mund të ketë luftë Kosovë-Serbi, duke theksuar se SHBA-ja dhe NATO nuk do të lejojnë një gjë të tillë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Caplan, po flasim fillimisht për dialogun Kosovë-Serbi. Zyrtarët evropianë dhe amerikanë, kanë shtuar vizitat e tyre në Kosovë. Ata po shpresojnë për nxitjen e këtij procesi. Si e shihni ju procesin e dialogut dhe çfarë parashikoni këtej e tutje?

Caplan: Ka pasur shumë pak progres në procesin e dialogut në mes të Prishtinës dhe të Beogradit. Siç e cekët edhe ju, është rritur presioni nga zyrtarët evropianë dhe nga amerikanë për t’i inkurajuar të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, që të kyçen në procesin e dialogut në mënyrë më kontstruktive. Por, pengesat që kanë ekzistuar më parë, mbesin akoma. Kurti insiston në njohjen e Kosovës, Beogradit i mbetet të pranojë kushtin për njohjen e Kosovës. Në këtë pikë nuk jam shumë optimist edhe për progresin e arritur. Nuk e di nëse ka apo nëse do të ketë nxitje më tutje, mendohet që Serbia në të ardhmen do të nxitet që vullnetarisht ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por nuk ka evidencë se Vuçiq është më i fortë në pozitën e tij dhe opozita e mbështet. Kurti njësoj ka qenë i inkurajuar, por për të ka qenë pikë fundamentale dhe ai nuk do të dorëzohet. Pra, është bërë shumë pak progres, lidhur me disa çështje të caktuara, siç janë targat e makinave, administrimi i kufijve, por këto janë çështje me rëndësi jo aq të madhe. Këto nuk janë të mjaftueshme, që të bëhet normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se situata është e njëjtë siç ka qenë për disa vite, shumë pak ka ndryshuar.

Image

Profesori i Universitetit të Oksfordit Richard Caplan dhe gazetarja e “Bota sot” Arbnore Zhushi

“Bota sot”: Këto ditë në mediat e Kosovës është publikuar një dokument, që thuhet se është paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz. Sipas këtij plani, marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve mes të Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet në vitin 2023, derisa hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë. Planin deri tani e ka mohuar Berlini zyrtar, por jo edhe Franca. Sa janë gjasat që të realizohet ky plan në realitet, që në Kosovë po e quajnë të papranueshëm?

Caplan: Nuk di çfarë të flas në detaje, pasi që nuk i kam parë këto raporte. Nuk jam i sigurt rreth zotimeve për të ardhmen, është shumë e vështirë të imagjinohet se SHBA-ja do të kryejë një marrëveshje në 10 vitet e ardhshme, sepse do të ketë kritere për hyrjen/anëtarësimin dhe do t’u kërkohet të dyjave palëve, Kosovës dhe Serbisë, të harmonizojnë këto kushte dhe kritere dhe ne nuk e dimë nëse palët do t’i plotësojnë këto kritere. Nuk e besoj që do të jetë shumë i kuptimt ofrimi për anëtarësimin në 10 vitet e ardhshme, sepse ne nuk e dimë nëse Bashkimi Evropian, do të jetë në gjendje t’a bëjë këtë në të ardhmen. Kjo varet nga qëndrimi i të dyja shteteve dhe nëse të dyja shtetet do të jenë të kënaqura, me raporte të harmonizuara për kërkesën e pranimit në BE.

Një gjë që dua të them, është që Kosova dhe Serbia duhet të pranohen njëkohësisht në BE, sepse rreziku është që nëse Serbia pranohet në BE dhe Serbia është më afër plotësimit të kritereve për anëtarësim në BE, se sa Kosova, por nëse Serbia pranohet në BE, është në një pozitë veto për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës, do të thotë është rasti i njëjtë si Greqia insiston në pranimin e Qipros, duke kërcënuar Evropën që nëse nuk e pranon Qipron në BE, ne do t’ju bllokojmë juve në pranimin e shteteve të tjera. Në një farë mënyre, ndoshta është bërë gabim, sepse ishte një nxitje e vogël për qipriotët grekë, për të arritur një rezolutë të konfliktit me qipriotët turq, sepse ata janë tashmë në BE.

Nuk mund të komentoj në detaje për këtë propozim, sepse nuk e kam parë këtë, por jam i merakosur dhe pak skeptik rreth perspektivës së arritjes së një marrëveshjeje në të ardhmen.

“Bota sot”: Serbia po insiston në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, me më shumë fuqi se sa kërkon Prishtina zyrtare. Sipas jush si mund të zgjidhet çështja e Asociacionit?

Richard Caplan: Gjithashtu nuk kam parë propozim specifik të Serbisë për këtë temë, por e di se është një problem madhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Prishtina, duhet të pranojë dhe të vendosë për rregullimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe mendoj se kjo duhet të bëhet me vullnet. Pyetja është se sa do të ketë fuqi dhe autonomi ky Asociacion. Siç e ceka nuk e kam parë propozimin serb, kështu që nuk e di saktë se për çka më shumë fuqi ata, ose se çka po kërkojnë të bëjnë më shumë. Ka shembuj të tjerë në Evropë që kanë autonomi në shumë aspekte për qeverisje mbi cështjen e arsimit, policisë, për shkallën e taksave. Po flas për Trentino-Alto Adige/Südtirol, i shtypur ndërmjet Italisë dhe Austrisë. Për të dhënë një shembull tjetër, regjioni Basque në Spanjë ka një shkallë autonomie. Pra, janë një numër territoresh në Evropë, që janë territore me autonomi. Edhe vendet e ish-Jugosllavisë, siç janë Vojvodina dhe Kosova. Nuk mendoj se duhet të jemi të frikësuar nga autonomia. Mund të them se ka një shqetësim rreth mundësisë që autonimia të çon drejt asociacionit, por nuk mendoj se është e domosdoshme kjo. Por, nuk e di se saktë sa autonomi duhet të ketë Asociacioni. Mendoj se diçka duhet të jetë e negociueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Bota sot”: Z. Gabriel Escobar ka thënë që nëse Prishtinës nuk i pëlqen ajo marrëveshje që është bërë për Asociacionin, atëherë le të vijnë me propozim të vetin. Cili është mendimi juaj?

Richard Caplan: Mendoj se për çfarë arsye janë negociatat, nëse nuk të pëlqen oferta, mund të bësh një kundër ofertë. Mendoj se po, nëse Kurtit nuk i pëlqen kjo ofertë e Beogradit për Asociacionin, ai duhet të propozojë autonomi. Por, rreziku është që nuk do të ketë ndonjë marrëveshje ndërmjet palëve, se sa autoritet duhet të ketë Asociacioni, ky është rreziku.

“Bota sot”: Kryeministri Kurti po insiston në qëndrimin e tij se mund të ketë luftë në Kosovë. Çfarë fshihet pas këtyre deklaratave të tij?

Richard Caplan: Mendoj se nuk ka të ngjarë një luftë mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithmonë ka një mundësi për eskalim të dhunës, por evropianët, amerikanët dhe NATO do t’I marrin të gjitha masat e duhura, për të parandaluar një gjë të tillë.

Ekzistonte një rrezik një muaj rreth çështjes së targave të makinave kur Kurti dëshironte të lëvizte tutje, për ta njohur më herët këtë legjislacion, prandaj kishte tensione që rriteshin. Por, nuk e shoh ndonjë rrezik të madh të eskalimit të dhunës. Siç e thashë, BE-ja dhe SHBA-ja do t’i marrin të gjitha masat dhe nuk do të lejojnë një luftë tjetër në Ballkan.

“Bota sot”: Serbia po pretendon dhe paralajmëron tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa vende, a njeh politika ndërkombëtare praktika të tillë të tërheqjeve?

Richard Caplan: Një pyetje e vështirë, sepse janë disa ekspertë ligjorë që thonë se vet njohja nuk krijon shtetin, shteti është i stabilizuar kur ai i plotëson kushtet e shtetformimit dhe njohja është një reflektim i faktit që i ka plotësuar kushtet. Mirëpo, ka të tjerë, që e shohin njohjen si ndihmë për ta stabilizuar faktin e shtetformimit dhe tërheqja e njohjes është shumë e pazakonshme. Është më shumë politike. Në shumë raste është shumë e qartë se kjo ndodhë për shkak të presionit për tërheqjen e njohjes. Nuk jam në dijeni nëse shtete të mëdha kanë tërhequr njohjen e Kosovës, disa shtete kanë tërhequr dhe ato kanë qenë shtete të vogla. Kështu që nuk mendoj se është ndonjë zhvillim i rëndësishëm, të jemi të sinqertë.

“Bota sot”: A është kjo një mënyrë e Vuçiqit, për t’i bërë presion Kurtit?

Caplan: Mendoj se nuk ndryshon ndonjë gjë edhe nëse ai i bën presion Kurtit. Unë poashtu mendoj që shtetet që janë në pyetje po synojnë t’i bëjnë presion Kurtit. Mendoj që përgjigjja e kërkesave të Beogradit dhe të aleatëve të tij, është inkurajimi që ai t’i merr këto pozicione. Por, ata nuk kanë ndonjë pozitë kyçe për t’i bërë presionit Kurtit, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ato po i përgjigjen presioneve politike jashtë shtetit të tyre.

“Bota sot”: Cilat janë shanset që Kosova, këtë vit të marrë vendimin pozitiv për liberalizim të vizave?

Richard Caplan: Kjo nuk është në duart e Kosovës, besoj unë. Liberalizimi i vizave më duket shumë misterioz, pse një vend aq i vogël dhe një çështje aq e vogël për Evropën, dhe aq e madhe për Kosovën?! Unë nuk e kuptoj pse BE-ja ashtu siç ka premtuar, nuk po pajtohet për ta hequr regjimin e vizave për Kosovën? Do të jetë një numër i vogël i njerëzve që do të kërkojnë të shkojnë në shtetet e Evropës dhe për secilin ka mbetur puna e Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave, sepse Kosova ka plotësuar kushtet që i janë kërkuar për procesin e liberalizimit. Kështu që unë mendoj se janë arsye politike, që një ose dy shtete me ndikim të madh janë duke e mbajtur pezull mbështetjen e tyre ndaj Kosovës për çështjen e liberalizimit të vizave dhe po e parandalojnë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Mundësitë e Kosovës janë shumë të vogla për të ndikuar për liberalizimin e vizave, por Kosova duhet të vazhdojë të protestojë dhe të apelojë tek mbështetësit e saj, BE-në dhe SHBA-në për t’i bërë presion këtyre pak vendeve që po e mbajnë pezull mbështetjen kundrejt Kosovës në këtë proces.

“Bota sot”: Si e komentoni luftën ruse në Ukrainë, pse Putini po vazhdon luftimet përkundër humbjeve të mëdha atje dhe sanksioneve? Atje në 4 rajone (Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia dhe Donetsk) u zhvillua referendum?

Richard Caplan: Pse po vazhdon lufta, alternativa është dorëzimi, kjo do të përbënte humbje për Putinin dhe gjithashtu do të rrezikonte pocizionin e tij në Rusi. Tashmë pozicioni i tij është i dobët, për shkak të rritjes së kësaj shpërbërjeje, strategjisë që ai po ndjek. Nuk jam ekspert i Rusisë dhe nuk e di se çfarë mendon elita ruse dhe zyrtarët rusë, por ka evidencë se çfarë kemi parë në këto ditët e fundit, demonstratat dhe protestat publike kundër Putinit dhe regjimit të tij. Referedumin e shoh si një sinjal të dobësimit të Putinit, sepse askush jashtë Rusisë nuk e ka marrë seriozisht këtë referendum. Askush nuk e sheh të lirë, fer dhe legjitim këtë referendum. Strategjia që po e ndjek ai, është që të gjitha referendumet që sugjerojnë që populli do të dëshironte të ishte pjesë e Rusisë dhe të integrohet në Rusi dhe pastaj të kenë mundësi që në rast të ndonjë sulmi në këto territore, nuk është më një sulm në pjesë të Ukrainës, por ndaj Rusisë. Kjo do të dekurajojë sulmet e mëtejshme, po eskalon sulmi dhe rreziku i hakmarrjes, siç e kemi parë në ditët e fundit, kërcënimin dhe sugjerimin e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore. Ai po vazhdon njësoj, sepse nëse dorëzohet, ai e pranon humbjen.

“Bota sot”: Si e keni parë reagimin e NATO-s dhe të shteteve perëndimore për luftën dhe krimet që po bëhen në Ukrainë, a ka bërë mjaftueshëm bota për ta ndalur këtë luftë?

Richard Caplan: Ata janë duke bërë shumë, ata kanë pajisur Ukrainën me ndihma dhe asistencë të madhe duke përfshirë furnizimin e shumë e shumë armëve dhe municionit. Ata kanë dërguar shumë armë në Ukrainë. Ata gjithashtu kanë mbështetur Ukrainën ekonomikisht dhe me ndihma humane poashtu. I rëndësishëm është fakti që BE, SHBA dhe NATO vazhdojnë të jenë të bashkuar, në mbështetjen e Ukrainës kundër Rusisë.

Ju përmendet krimet e luftës, të cilat po i shohim tani më me evidencë, që ushtarët ukrainas i rimorën territoret, që i kishte pushtuar Rusia, tani po shohim kufoma, varre masive, që tregojnë se Rusia ka kryer krime lufte në territorin që i kishte pushtuar.

Qeveria e Ukrainës, me ndihmën e OKB-së po dokumenton këto krime, për persekutimin e individëve dhe lidershipit përfundimisht ndaj Rusisë, e cila është përgjegjëse për komandimin e asaj se cfarë është duke ndodhur në territorin ku ushtarët janë duke luftuar. NATO dhe SHBA po provojnë t’i shmangen luftës direkte/frontale me Rusinë, ata nuk duan një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë. Është një shqetësim që mund të përkeqësojë konfliktin dhe që mund të sjellë pasoja ndaj shteteve anëtare të NATO-s, të cilat mund të sulmohen nga Rusia. Ka rrezik që kjo mund të eskalojë dhe mund të del jashtë kontrollit, ky është shqetësimi.

“Bota sot”: A ka ndonjë politikan që do të mund të bindtte Putinin, që të tërhiqet nga Ukraina, ndoshta Silvio Berlusconi?

Richard Caplan: Ka disa, Turqia dhe Macroni, ata të gjithë kanë pasur bisedime disa herë me Putinin dhe kanë provuar ta bindin. Poashtu edhe sekretari i OKB-së. Por, ai nuk është i interesuar në asgjë tjetër, pos vazhdimit të luftës derisa të arrijë objektivat e tij. Nuk shpresoj shumë në ndonjë datë të caktuar se ai do të shpreh gatishmërinë për të negociuar seriozisht për përfundimin e kësaj lufte. Edhe kur ka qenë i përfshirë në negociata, ai nuk ka qenë shumë konstruktiv, vetëm sa për ta kaluar kohën, gjatë së cilës ai ka vazhduar kampanjën ushtarake.

“Bota sot”: Çfarë mund ta ndalojë Putinin?

Richard Caplan: Ne nuk mund ta dimë saktë, vetëm mund të spekulojmë, ndoshta mund të ketë ndonjë individë ose grupe individësh, ushtarë ose zyrtarë që i qëndrojnë pranë dhe efekti i tyre gjithmonë është i mundshëm për të mirë dhe për momentin shansi i vetëm real duket se do të jetë i brendshëm, i fshehtë, që do të thotë se do ta shohë se nuk mund të ketë sukses në fushëbetejë, ose i fshehtë për Rusinë, duke nënkuptuar që do të ketë individë ose grupe që do të mund ta bindin atë, ose do të konfrontohen me të, dhe të ngrihen në këmbë e ta ndërrojnë lidershipin, me dhunë apo pa dhunë.

“Bota sot”: Si po ndikon lufta në vendet tjera, sidomos në Ballkan. Shumë njerëz e shohin Malin e Zi dhe Kosovën, si pikë ku mund të nxiten tensione nga Serbia, e ndihmuar nga Rusia?

Richard Caplan: Ka disa dëshmi për ndërhyrjen e Rusisë në rajon, ju e dini për ndërhyrjen e Rusisë në Qipro, Rusia dëshiron të shohë të jounifikuar Evropën dhe Putin e sheh avantazhin e Rusisë, kundrejt një Evrope jo të bashkuar. Kështu që ai provon kurdo që i jepet mundësia për të ndarë Evropën e bashkuar. Për momentin nuk jam i shqetësuar, nuk shoh ndonjë rrezik të rëndësishëm, të shtrirjes ose zgjerimit të luftës. Putini ka një sfidë aq të madhe me Ukrainën, sa ai nuk ka hapësirë që të mund të mendojë për zgjerimin e luftës diku tjetër në Evropë. Unë nuk mendoj që përpjekjet e tij të proklamimit të tensioneve, do të kenë sukses. Problemet ku ka tensione, janë të brendshme; ai po inkurajon Beogradin, Republikën Serpska dhe ndoshta ai po i bën ato të ndihen më pak të izoluara në botë, por në fund të fundit, ndikimi nuk është domethënës.

Image

Profesori i Universitetit të Oksfordit Richard Caplan dhe gazetarja e “Bota sot” Arbnore Zhushi

“Bota sot”: Z. Caplan, me ardhjen e kryeministres së re të Britanisë Liz Truss, a mendoni se do të ketë ndryshime të mëdha në politikën e jashtme britanike, kundër zhvillimeve të mëdha botërore?

Richard Caplan: Mendoj se do të ketë më shumë vazhdimësi për politikat e jashtme si të qeverive të mëparshme, ndoshta më shumë me politika të brendshme dhe ne tashmë e kemi parë buxhetin, që e ka aprovuar kjo qeveri me shkurtimin e taksave, si mbështetje ndaj pronarëve të shtëpive për rritjen e shpenzimeve të energjisë.

Çështja e Irlandës Veriore është poashtu një rast i veçantë, sepse është një pengesë e vazhdueshme, në marrëdhëniet mes BE-së dhe Irlandës Veriore. Mendoj se do të shohim lëshime në të dyja anët, që me të vërtetë e sqaron nga mënyra se si Trus flet dhe ndoshta kjo është një presion i hapur nga SHBA-ja, në veçanti nga Bideni, pjesërisht ndoshta nga roli i SHBA-së që po e luan për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje të mirë finale, sepse SHBA-ja është shumë e përfshirë dhe shumë e rëndësishme në komunitetin Irisho-amerikan. Mendoj se administrata e Bidenit është pjesërisht përgjegjëse për këtë. Por, unë nuk kam parë ndonjë hap, për shkak të vdekjes së Mbretëreshës dhe kryeministres Truss nuk i është hapësira për të qenë aktive në detyrën e saj, pasi çdo gjë ishte e ngrirë për 10 ditë në këtë vend.

Pyetja është nëse do të ndryshojë dicka për politikën në Ballkanin Perëndimor? Nuk besoj. Mendoj se Britania ka qenë mbështetëse e madhe ndaj Kosovës dhe ndoshta mund të them edhe e Serbisë, mendoj se po vepron në të mirën e të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Britania dëshiron të shohë normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre shteteve dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Askush nuk dëshiron një “gropë të zezë” në zemër të Evropës Juglindore.

Por, pyetja është se sa ka rëndësi Britania për të bërë progres në diplomacinë e saj në këtë rajon dhe nuk e di nëse ata e dinë dhe nuk e di nëse kjo ka kuptim, sepse kam qenë pak i përfshirë në qeverinë e re, por jo në këtë rajon.

“Bota sot”: Truss ka paralajmëruar lehtësira për çështjen e emigracionit. A mendoni se është kjo është politikë e duhur, apo nxitje për emigracion masiv?

Richard Caplan: Është një numër i kosniderueshëm i punëtorëve që janë larguar nga Britania, për shkak të Brexitit, shumë punëtorë evropianë janë larguar, sepse kanë parë një të ardhme të pasigurt dhe disa prej tyre janë ndier se nuk janë të mirëseardhur këtu dhe shumë prej tyre janë kthyer në shtetet e tyre të orgjinës. Si pasojë, shteti po përballet me mungesë të madhe të numrit të punëtorëve në shumë sektore, si në sektorin e bujqësisë. Fermerët kanë kryer të mbjellurat, por ata nuk kanë punëtorë për t’i mbledhur ato, kështu që shumë prej të mbjellurave veçse janë kalbur në fusha. Dhe çfarë ka sugjeruar kjo qeveri , do të lehtësojë kërkesat për viza, që i mundësojnë më shumë punëtorëve të përkohshëm të vijnë këtu, kjo ka domethënie të madhe për mua. Nëse do të kishte liberalizim të vizave për Kosovën, këtu në Angli do të mund të vinin edhe qytetarët e Kosovës. Do të ishte shumë gjë e mirë për qytetarët e Kosovës dhe për britanikët.

Story i mëparshëm

“Deti” në Hagë, Rama: Ende nuk kemi konsesus me Greqinë

Story i radhës

OKB: Zaporizhja është central i Ukrainës

Të fundit nga