Ekskluzive: Deputetja shqiptare në Suedi: Dua të punoj për liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në BE

min lexim

Politikania e re shqiptare, 23 vjeçarja Aida Birinxhiku bëri histori duke fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare në Suedi, për të zënë një karrige si përfaqësuese e popullit, me partinë e saj socialdemokrate. Ajo në një intervistë për ‘Bota sot’, ka folur për sfidat, zgjedhjet dhe jetën e saj në Suedi. Birinxhiku thotë se, ajo nuk ka fituar vetëm me votat e suedezëve, por ka marrë vota edhe nga shqiptarët dhe qytetarët e tjerë.

E specializuar në avokati në çështje të mbrojtjes së të drejtave të biznesit, në fushatën e saj, ishin kryesore pikëpamjet për arsimin, arritjen e barazisë, dhënien fund të segregacionit, dhe të normalizimit të raporteve të fitimeve me tatimet, por jo në dëm të shanseve për edukim.

“Bota sot”: Fillimisht urime për suksesin në zgjedhje. Si e keni pritur rezultatin e zgjedhjeve?

Aida Birinxhiku: Isha shumë e lumtur. Jam shumë krenare dhe e nderuar që fitoj këtë mbështetje dhe besim nga populli suedez.

“Bota sot”: Si ndiheni derisa jeni shqiptarja e parë që ka shënuar histori, duke u bërë kështu deputetja e parë shqiptare në parlamentin suedez?

Aida Birinxhiku: Ndihem shumë e nderuar dhe krenare. E di që kjo do të thotë shumë për shoqërinë shqiptare. Këtu në Suedi shqiptarët po vazhdojnë të tregohen të suksesshëm në të gjitha fushat.

“Bota sot”: Në cilën fushë apo në çfarë çështjesh do të jetë kontributi juaj, tani si e përzgjedhur e popullit?

Aida Birinxhiku: Edukimi për mua është shumë i rëndësishëm. Unë do të angazhohem që të gjithë fëmijët, qofshin ata të huaj, të pasur apo të varfër të kenë kushte të njëjta shkollimi. Është e rëndësishme që çdo fëmijë të ketë sukses në shkollë, e veçanërisht fëmijët që vijnë nga shtete të tjera në Suedi. Edukimi është një rrugëdalje nga kriminaliteti, tjetërsimi dhe varfëria.

“Bota sot”: Jeni shumë e re në moshë, ҫfarë ju shtyri të hyni në fushën e politikës?

Aida Birinxhiku: Fillova të merrem me politikë sepse dua ta ndryshoj shoqërinë për të mirë. Ndërsa, zgjodha Partinë Socialdemokrate sepse dua të luftoj për një shoqëri ku të gjithë njerëzit mund ta ndjejnë lirinë, sigurinë dhe besimin në të ardhmen.

“Bota sot”: Ishin vet ambiciet e juaja, që të merreshit me politikë, familja, shkollimi apo një rastësi?

Aida Birinxhiku: Unë fillova të merrem me politikë sepse dua ta ndryshoj shoqërinë për të mirë. Nëse doni të ndryshoni diçka, duhet të angazhoheni në politikë. Nuk mund të ankohesh vetëm.

“Bota sot”: A ju ka ndihmuar vota e shqiptarëve? Sa ka pasur rëndësi në zgjedhje vota e tyre për ty, dhe garuesit tjerë shqiptarë apo në përgjithësi?

Aida Birinxhiku: Kur shikoni statistikat, nuk ishte vendimtare. Shumica dërrmuese e votave nuk janë nga shqiptarët. Megjithatë, jam mirënjohëse për të gjithë ata që më kanë votuar.

“Bota sot”: Meqë tashmë jeni pjesë e politikës, si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Aida Birinxhiku: Kosova është shtet i pavarur dhe udhëhiqet nga qeveria e shumicës parlamentare që rezulton nga vota e lirë. Ajo do të ketë mbështetjen time të parezervë në rrugën e saj drejt avancimit të demokracisë dhe integrimit euroatlantik. Si deputete në Suedi dua të punoj për liberalizimin e vizave dhe procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Bota sot”: Po ashtu edhe Adnan Dibrani ka fituar votat për të qenë deputetë. Ҫfarë do t’ju ofroni mërgimtarëve shqiptarë në Suedi?

Aida Birinxhiku: Shpresoj që ne t’i frymëzojmë që të merren aktivisht me politikë për të bërë ndryshime pozitive në shoqëri dhe avancimin e demokracisë.

“Bota sot”: A mund të na tregoni se kur keni shkuar për herë të parë në Suedi?

Aida Birinxhiku: Unë jam lindur dhe rritur në Suedi. Përpiqem ta vizitoj Kosovën çdo verë.

“Bota sot”: Cili është profili juaj, biografik, shkollimi, specializimi apo…?

Birinxhiku: Unë jam juriste e diplomuar. Pas shkollës së mesme kam përfunduar studimet në Universitetin e Lundit, një nga programet më të vështira në Suedi. Gjatë kohës kam punuar për një nga zyrat më të njohura të avokatëve në vendet nordike, në të drejtën e biznesit. Unë i përfundova studimet gjysmë viti më herët se shokët e klasës, me nota shumë të larta.

“Bota sot”: A do të mund të ndihmoni në sensibilizimin për përforcimin e mëtejshëm të raporteve Kosovë- Suedi, por edhe të raporteve ndërmjet dy parlamenteve, të atij të Suedisë me të Kosovës?

Aida Birinxhiku: Kjo është e rëndësishme, veçanërisht për zhvillimin e demokracisë. Siç thashë, shpresoj të punoj për procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që ju votuan, dhe ata që do ti përfaqësosh në Suedi?

Aida Birinxhiku: Do të bëj më të mirën për t’i përfaqësuar ata dhe për ta bërë Suedinë një vend më të mirë.

Story i mëparshëm

VMRO-DPMNE: Kovaçevski i përfshirë në biznese energjetike

Story i radhës

Plaçkitje në Shkup! Dy vajza pasi i kanë marrë para të riut, e kanë plagosur

Të fundit nga