Ekskluzive: Deputeti i VV-së del kundër partisë, zbulon arsyen pse ka pakënaqësi në parti dhe jep një paralajmërim

min lexim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fatmir Humolli thotë se Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ka mungesë të programit të qartë qeverisës dhe se ajo nuk po i shfrytëzon mundësitë e mëdha që ia kanë dhënë qytetarët për zhvillim të vendit.

Duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Humolli ka konfirmuar pakënaqësitë në Grupin Parlamentar të VV-së, duke thënë se ato po ndodhin, pasi “Qeveria është shkëputur nga realiteti në terren”.

Ai ka paralajmëruar se nëse veteranët përjashtohen përfundimisht nga rritja e pagës minimale, do të dalë përfundimisht nga Grupi Parlamentar i VV-së.

I pyetur për grevën në arsim, deputeti ka dalë kundër qëndrimit të partisë, duke thënë se kërkesat e grevistëve janë minimale dhe se Qeveria do të duhej t’ua plotësonte ato.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Humolli, si e vlerësoni situatën politike në Kosovë, marrë parasysh të gjitha sfidat, me të cilat po përballet vendi, tensionet me Serbinë, rritja e çmimeve, dhe greva në arsim?

Fatmir Humolli: Rrethanat politike në Kosovë janë duke u zhvilluar me një dinamikë të përshpejtuar. Rreshtimi politik në Kuvend të Kosovës ka ndryshuar shumë. Ndikimet e rrethanave ndërkombëtare janë të pashme. Rrethanat e favorshme kombëtare dhe rrethanat e brendshme të Kosovës, institucionet tona nuk i kanë shfrytëzuar në mënyrë të drejtë.

Nuk është shfrytëzuar aspekti ekonomik. Rritja e çmimeve ndërkombëtare është dashur me u shfrytëzu për investime të mëdha në bujqësi dhe për shtimin e prodhimit vendor, gjë që do të kishte ndikuar në stabilitetin ekonomik të vendit.

Kosova ka resurse të mjaftueshme për zhvillim të shpejtë. Rreshtimi politik në Kosovë i ka shtyrë të aktivizohen shumë faktorë jashtë Kosovës.

Kosova nuk ka ndërtuar strategji realiste përballë faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Politika e Kosovës sillet me inercion e jo me program të qartë për t’i shfrytëzuar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm. Kjo sjellje e ka trimëruar politikën serbe, që ajo të bëjë tensione artificiale. Miqtë e Serbisë në botë dëshirojnë që të zgjidhet problemi me Serbinë sa më shpejtë, sepse institucionet e Kosovës nuk kanë program të qartë politik e as ekonomik. Miqtë e Kosovës janë aktivizuar duke e parë dobësinë e Kosovës përballë miqve të Serbisë që mos të bëhen gabime të pariparueshme. Kurse, grevat e punëtorëve po ndodhin, sepse kanë besuar se VV-ja do t’i zgjidhë problemet e tyre.

“Bota sot”: Nga kampi i LDK-së kanë paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë Kurti 2, në vjeshtë. A mundet opozita t’i sigurojë numrat për rrëzimin e Kurtit?

Fatmir Humolli: Nuk e besoj se rrëzohet Qeveria në vjeshtë. Qeveria duhet të bëjë gabime të mëdha për t’u rrëzuar. Ajo nuk po i shfrytëzon mundësitë e mëdha që ia kanë dhënë qytetarët për zhvillim të vendit, për shkak të mungesës së programit të qartë qeverisës.

Opozita ende nuk ka reflektuar pse VV-ja i ka 51% të elektoratit. Nuk ka vetëkritikë!

“Bota sot”: A ka pakënaqësi në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi kemi parë jo pak deklarata kundërthënëse për çështje madhore?

Fatmir Humolli: Ka pakënaqësi, sepse Qeveria është shkëputë prej realitetit në terren. Tani për tani pakënaqësitë janë për ta shtyrë Qeverinë që ta shoh realitetin në terren, ashtu siç është. Këtë realitet ajo duhet ta shoh edhe përmes deputetëve, të cilët kanë marrë besimin nga qytetarët.

Qeveria nuk e ka kuptuar se i zoti i shtëpisë është Kuvendi i Kosovës, që ka dalë nga besimi i qytetarëve. Deputetët i kanë dhënë Qeverisë detyra dhe obligime dhe jo e kundërta.

Nëse Qeveria fillon me reflektu dhe sidomos Kryeministri, kjo demokraci brenda VV-së duhet të jetë shembull edhe për partitë tjera.

Bota sot”: Si e keni parë largimin e deputetes Doarsa Kica, nga Grupi Parlamentar i VV-së?

Fatmir Humolli: Derisa Qeveria nuk ka ndërrim thelbësor nga qeveritë e kaluara, deputetja e ka parë se është larguar nga fryma e LDK-së gabimisht, dhe është kthyer aty ku e ka gjetur fillimisht formimin politik. Kjo duhet më shumë me e nxitë Qeverinë për reflektim. Ka qenë ndër deputetet më aktive dhe ndër më të përgatiturat profesionalisht brenda grupit të VV-së.

“Bota sot”: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së grevës në arsim? A duhet të lëshojë “pe” Qeveria para SBASHK-ut?

Fatmir Humolli: Grevistët kanë kërkesa minimale, Qeveria është dashtë me u gëzu për kërkesat minimale dhe me i plotësu.

Punëtorët tanë duke i pa rrethanat ndërkombëtare dhe pozitën tonë si Kosovë, e kanë duruar klasën tonë politike për së tepërmi. Kanë besuar se qeveria e VV-së do t’i kuptojë drejt, për arsye se kanë besuar tek ajo. Derisa Qeveria nuk po i kupton drejt, tani ata janë të hidhëruar më shumë se sa me çdo qeveri tjetër.

“Bota sot”: Ju keni dalë kundër qëndrimit të VV-së, duke konfirmuar se do të votoni pro Projektligjit për tërheqjen e parave nga Trusti, nëse vjen në Kuvend. A jeni “qortuar” nga Grupi Parlamentar i VV-së për këto qëndrime?

Fatmir Humolli: Deputeti i Kuvendit të Kosovës me Kushtetutë është i pavarur për marrjen e vendimeve brenda parlamentit.

Lista e VV-së është një bashkim i grupeve dhe individëve që kanë pikëpamje të ndryshme për gjëra të veçanta.

Unë besoj se sikur të ishin investuar mbi 2 miliardë euro të Trustit për prodhim në Kosovë, këtë krizë të jashtme do ta kishim mirëpritur dhe shfrytëzuar pozitivisht në shumë drejtime (do të ishin krijuar mbi 80,000 vende të punës dhe do të ishte fituar besim për investitorë të jashtëm për shumë miliarda investime në Kosovë).

“Bota sot”: Keni paralajmëruar po ashtu braktisjen e VV-së dhe krijimin e një grupi të ri parlamentar, nëse veteranët përjashtohen përfundimisht nga rritja e pagës minimale. A keni kontaktuar me ndonjë deputet për grupin e ri?

Fatmir Humolli: Nëse vlerat kombëtare VV-ja nuk i respekton, unë nuk mundem me qenë pjesë e atij grupi.

Në Kuvend ka deputetë nga të gjitha partitë që i vlerësojnë vlerat kombëtare.

Për mënyrën si t’i fuqizojmë dhe zhvillojmë ato vlera ka nevojë të gjejmë rrugën e njëjtë ne deputetët.

“Bota sot”: Kryeministri Kurti po këmbëngul se ekziston mundësia për një luftë nga Serbia në Kosovë, si e komentoni ju këtë?

Fatmir Humolli: Rreziku për luftë me Serbinë është gjithnjë.

Kur Kosova është e dobët ekonomikisht, kur paratë tona i qesim jashtë vendit dhe e dobësojmë vendin tonë, kur institucionet tona i ofendojnë dhe i injorojnë veteranët e luftës, punëtorët e arsimit, të shëndetësisë, të administratës, të policisë, ushtarët tanë, institucionet e drejtësisë dhe punëtorët tanë në përgjithësi, kështu i krijon kushte Serbisë për të bërë luftë kundër Kosovës.

Por, nëse Qeveria jonë do t’i respektojë dhe t’i kryejë detyrat e veta si duhet, Serbia as që guxon me menduar për me luftu me Kosovën.

Duke qenë Kosova në rrethana jo të mira për këto kategori, atëherë rreziku është real.

“Bota sot”: Serbia po vazhdon me paralajmërime të tërheqjes së njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga disa vende. Cili është qëllimi i Vuçiqit?

Fatmir Humolli: Vuçiqi e ka për konsum të brendshëm në Serbi dhe për me i bind miqtë e vet se kinse Serbia është e vendosur për Kosovën. Por, edhe për arsye se Serbia ka shumë toka të popujve përreth. Bën zhurmë që me penguar që të tjerët mos të kërkojnë rikthimin e atyre tokave siç janë: Lugina e Preshevës, Sanxhaku, pjesët që janë bullgare në juglindje të Serbisë, Vojvodina e banuar nga hungarezët dhe pjesa rumune.

Vuçiqi e ka parë se sulmi është mbrojtja më e mirë.

“Bota sot”: Z.Humolli, këto ditë në Kosovë po qarkullon një njoftim për një të ashtuquajtur dokument për marrëveshje me Serbinë. Sipas dokumentit, marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet në vitin 2023, derisa hipotetikisht pas 10 vitesh, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë. Si i shihni ju këto zhvillime?

Fatmir Humolli: Kosova parimisht dhe taktikisht ka bërë gabim që ka biseduar me Serbinë.

Serbinë e kanë ndërtuar shtetet e perëndimit dhe Rusia duke bërë gjenocid kundër shqiptarëve nga viti 1876 e deri sot.

Këto shtete kanë nostalgji ndaj Serbisë, prandaj kanë mirëkuptim ndaj saj.

Kosova ka pranuar që ndërmjetës në bisedime të jetë Bashkimi Evropian, i cili Kosovën nuk e njeh si shtet. Nuk është ndërmjetës objektiv ai që Serbinë e njeh si shtet, e Kosovën nuk e njeh. Institucionet e BE-së nuk e njohin Kosovën ashtu siç edhe përfaqësuesi i BE-së dhe shteti i tij nga vjen nuk e njeh dhe e mban anën e Serbisë për shkak se të dy popujt janë sllavë.

Këtë dobësi të Kosovës po e shfrytëzon Serbia që të jetë në ofensivë politike.

Tani derisa Albin Kurti ka filluar me kthy apo me ndal ofensivën serbe, miqtë e Serbisë bëjnë përpjekje që të ofrojnë zgjidhje jo të drejta, që sa më gjatë të jemi në disavantazh me Serbinë.

“Bota sot”: Cila duhet të jetë zgjidhja për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilin po insiston edhe bashkësia ndërkombëtare?

Fatmir Humolli: Kosova nuk duhet me lejuar Serbinë me u përzi në punët e brendshme tonat dhe rregullimin e brendshëm.

Kosova duhet të veprojë ashtu siç është më praktike për qytetarët e saj.

Serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës dhe rregullimin duhet me ndërtu në bashkëpunim me qytetarët e Kosovës.

Asnjë asociacion që e pengon shumicën e qytetarëve të Kosovës, nuk duhet të lejohet.

Story i mëparshëm

FIBA Europe Cup/Sigal Prishtina përballet sot në gjysmëfinale me BC Kalev/Cramo

Story i radhës

Meloni: Ukraina mund të llogarisë në Italinë

Të fundit nga