Rashiq rrëfen kërcënimet ndaj bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa Prokuroria pretendon se materialet komprometuese përfunduan te gazetari Milaim Zeka
Detaje të reja nga aktakuza ndaj Fatmir Shehollit hedhin dritë mbi një zinxhir të dyshuar veprimesh që nis me telefonata kërcënuese nga persona të prezantuar si pjesëtarë të BIA-s serbe dhe përfundon me dorëzimin e materialeve te gazetari Milaim Zeka, me qëllim publikimin e tyre para zgjedhjeve lokale.
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka treguar se në korrik të vitit 2025 gjashtë bashkëpunëtorë të tij ishin telefonuar nga një numër nga Serbia.
Sipas Rashiqit, personi që i kishte kontaktuar ishte prezantuar si pjesëtar i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë – BIA, duke u kërkuar që të udhëtonin në Beograd.
“Unë jam nga BIA, po ju thërrasim për të mirën tuaj që të vini të bisedoni me ne, sepse përndryshe keq për ju”, ishte mesazhi që, sipas Rashiqit, u ishte përcjellë bashkëpunëtorëve të tij.
Rashiq ka deklaruar se i kishte urdhëruar bashkëpunëtorët të mos udhëtonin në Serbi dhe të mos pranonin asnjë takim me personat që i kishin telefonuar.
Por telefonatat nuk kishin përfunduar me kaq.
Një ditë para datës së caktuar për udhëtimin, bashkëpunëtorët e Rashiqit ishin kontaktuar sërish dhe ishin pyetur nëse do të shkonin në Beograd. Pasi nuk kishin pranuar, atyre u ishin dërguar video-incizime që pretendohej se përmbanin materiale komprometuese.
Rashiq ka thënë se i kishte këshilluar të mos përgjigjeshin, pasi materialet mund të ishin të rreme, të manipuluara ose të montuara.
Materialet te Milaim Zeka
Pjesa më goditëse e dosjes lidhet me rrugën që dyshohet se ndoqën këto materiale.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Fatmir Sheholli kishte pranuar më 26 shtator 2025, në Mitrovicën e Veriut, materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Prokuroria pretendon se Sheholli më pas ia kishte dorëzuar këto materiale gazetarit Milaim Zeka, me qëllim që ato të publikoheshin para zgjedhjeve lokale.
Ky pretendim e vendos Zekën në hallkën e fundit të rrugëtimit të materialeve që, sipas dosjes, kishin në shënjestër Rashiqin dhe bashkëpunëtorët e tij.
Vetë përmendja e Milaim Zekës në aktakuzë nuk nënkupton se ai akuzohet për ndonjë vepër penale. Megjithatë, dosja ngre pyetje me interes publik: A e dinte Zeka prejardhjen e materialeve? Në çfarë rrethanash iu dorëzuan ato? A kërkoi verifikimin e autenticitetit dhe të burimit të tyre para publikimit?
Në tekstin e aktakuzës, përgjegjësia penale i atribuohet Fatmir Shehollit, ndërsa roli i Zekës përmendet në kontekstin e dorëzimit dhe publikimit të synuar të materialeve.
Materialet u publikuan në “Pa Rrotulla”
Rashiq ka deklaruar se materialet përfundimisht u publikuan në portalin “Pa Rrotulla”, rreth 20 deri në 30 ditë pas telefonatave dhe kërcënimeve ndaj bashkëpunëtorëve të tij.
Ai beson se ekziston një lidhje ndërmjet telefonatave nga Serbia, materialeve të dërguara dhe publikimit të tyre të mëvonshëm.
“Prandaj, besoj se ekziston një ndërlidhje dhe se ne kemi qenë të dëmtuar nga kjo”, ka deklaruar Rashiq.
Në dëshminë e tij në polici, Rashiq ka përmendur edhe nofkën “Panta”, me të cilën, sipas tij, ishte prezantuar personi që telefonoi bashkëpunëtorët e ministrisë.
Rashiq ka thënë se raste të ngjashme nuk janë të reja dhe se periudhat para zgjedhjeve janë shoqëruar vazhdimisht me sulme kibernetike, përpjekje për rekrutimin e bashkëpunëtorëve dhe kërcënime ndaj tyre dhe familjarëve të tyre.
Sipas tij, bëhet fjalë për një “luftë speciale” që zhvillohet prej vitesh kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Sheholli akuzohet për spiunazh dhe shantazh
Rashiq ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Fatmir Shehollin. Ndërkaq, për Bojan Dimiqin, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të lartë të BIA-s, ka thënë se e njeh vetëm si figurë që e kishte takuar para luftës.
Ai është shprehur i gatshëm të dëshmojë para gjykatës së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Prokuroria Speciale e akuzon Fatmir Shehollin për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka vepruar në koordinim me BIA-n serbe, duke mbledhur dhe përcjellë informacione e materiale që lidhen me zhvillimet politike dhe institucionet e Kosovës.
Sheholli konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.
Seanca e parë gjyqësore është caktuar për 7 shtator, kur pritet të nisë shqyrtimi gjyqësor i këtij rasti.
Burimi: botasot.info


