biri i nje prej mjeshtrave te piktures moderne shqiptare ndahet nga jeta studiuesi e profesori kujtim buza 6a90b151155c6

Biri i një prej mjeshtrave të pikturës moderne shqiptare, ndahet nga jeta studiuesi e profesori Kujtim Buza

August 27, 2026
min lexim

Piktori, studiuesi dhe një prej emrave të rëndësishëm të artit pamor shqiptar, Kujtim Buza është ndarë nga jeta mbrëmjen e kësaj të enjte, duke lënë në trishtim familjen, miqtë, të njohurit dhe gjithë dashamirësit e artit të tij.

Kujtim Buza i përkiste një familjeje që është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e artit tonë. Ai vinte nga një familje me tradita të forta patriotike nga Gjakova dhe ishte i biri i piktorit të madh Abdurrahim Buza, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare.

I rritur në një familje ku arti ishte pjesë e jetës së përditshme, Kujtim Buza e njohu pikturën që në fëmijëri. U rrit me të, e deshi, e studioi dhe më pas ia kushtoi gjithë jetën.

“Nga studioja ku dikur pikturonte pranë të atit, te krijimtaria e tij shumëvjeçare, drejtimi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe angazhimi në jetën kulturore të vendit, Kujtim Buza i kushtoi artit një jetë të tërë.

Veprat e tij, të pranishme edhe në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, janë pjesë e një trashëgimie që pasuron kujtesën tonë kulturore”, shkruan ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, teksa konfirmon lajmin e trishtë.

Kush ishte Kujtim Buza – Jetëshkrimi i një artisti, nga Pashk Përvathi

 Lamtumirë, profesor dhe mik i shtrenjtë, Kujtim Buza

Sonte arti shqiptar humbi një nga bijtë e tij më të çmuar. U nda nga jeta Kujtim Buza, artisti i madh, profesori ynë, kolegu ynë dhe, mbi të gjitha, miku ynë i shtrenjtë.

Është e vështirë të flasësh për një njeri të tillë në pak fjalë, sepse jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me artin, me pikturën dhe me dashurinë e pakufishme për vendin e tij.

Kujtim Buza vinte nga një familje me tradita të forta patriotike nga Gjakova. Ishte i biri i piktorit të madh Abdurrahim Buza, një emër i rëndësishëm i artit shqiptar. I rritur në një familje ku arti ishte pjesë e jetës së përditshme, Kujtimi e njohu pikturën që në fëmijëri. U rrit me të, e deshi, e studioi dhe më pas ia kushtoi gjithë jetën.

Pas përfundimit të studimeve, ai dha një kontribut të rëndësishëm jo vetëm si krijues, por edhe në drejtimin e institucioneve të rëndësishme të artit. Me kulturën, përvojën dhe përkushtimin e tij, ai u bë pjesë e rëndësishme e jetës artistike shqiptare dhe e zhvillimit të brezave të rinj.

Si piktor Kujtim Buza do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.

Ai ishte një mjeshtër i peizazhit. E deshi natyrën, dritën, ajrin, ngjyrën dhe atmosferën shqiptare. Në telajot e tij, peizazhi nuk ishte thjesht një pamje që duhej riprodhuar. Ai e shndërronte atë në ndjenjë, në poezi, në kujtim.

Ai  pikturonte si një impresionist i lindur.

Me penelin e tij ai i thuri poezi me ngjyra Shqipërisë sonë të bukur.

Në veprat e tij ndihej dashuria për vendin, për natyrën dhe për jetën. Ngjyrat e tij kishin dritë, peizazhet e tij kishin shpirt dhe çdo tablo mbante diçka nga bota e tij e brendshme.

Por sot, kur i themi lamtumirë, nuk duam të kujtojmë vetëm artistin e madh. Duam të kujtojmë edhe njeriun.

Kujtim Buza ishte një koleg i urtë, i mençur, i zgjuar dhe i matur. Prania e tij, fjala e tij dhe përvoja e tij kishin peshë.

Ishte gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të rinjtë, t’u jepte një këshillë, t’u hapte një derë, t’u tregonte një rrugë. E kuptonte se arti nuk trashëgohet vetëm përmes veprave, por edhe përmes dijes, dashurisë dhe bujarisë që një artist ua përcjell brezave që vijnë pas tij.

Kjo është një nga pasuritë më të mëdha që ai na lë.

Sot ndihemi të trishtuar sepse humbëm një mik, një profesor, një koleg dhe një artist të madh. Por në të njëjtën kohë ndihemi me fat që e njohëm, që punuam pranë tij, që dëgjuam fjalën e tij dhe që patëm mundësinë të ndajmë me të një pjesë të rrugëtimit tonë artistik e njerëzor.

Njerëz të tillë nuk largohen plotësisht.

Ata mbeten në veprat që lanë pas, në kujtimet e miqve dhe kolegëve, në brezat që mësuan prej tyre dhe në çdo telajo ku vazhdon të jetojë drita që ata dinin ta shihnin.

Kujtim Buza do të mbetet në historinë e pikturës shqiptare si një nga mjeshtrit e medhenj te peizazhit, si një artist që e deshi natyrën dhe Shqipërinë dhe që me ngjyrat e tij i dha asaj një bukuri të veçantë.

Sot peneli i tij ka heshtur.

Por ngjyrat e tij nuk do të heshtin kurrë.

Ato do të vazhdojnë të flasin për të, për dashurinë e tij ndaj artit, për Shqipërinë që ai e pa dhe e pikturoi me aq shumë dashuri.

Lamtumirë, i dashur profesor.

Lamtumirë, i dashur koleg.

Lamtumirë, mik i shtrenjtë.

U prehsh në paqe, Kujtim Buza.

Vepra jote do të mbetet dhe kujtimi yt do të jetojë gjatë mes nesh.

Mirënjohje të përjetshme për artistin, respekt të thellë për profesorin dhe dashuri për mikun që ishe.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ejani ne beograd ose keq per ju rashiq lidh kercenimet e bia s me materialet e publikuara nga milaim zeka 6a90b0d3754c4
Lajmi i mëparshëm

“Ejani në Beograd, ose keq për ju” – Rashiq lidh kërcënimet e BIA-s me materialet e publikuara nga Milaim Zeka

tre shtetas te maqedonise se veriut humbin jeten ne nje aksident te rende ne autostrade ne slloveni 6a90b5213e927
Lajmi i radhës

Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut humbin jetën në një aksident të rëndë në autostradë në Slloveni

Të fundit nga

ShkoLartë