droni rus godet trenin e pasagjereve drejt varshave 6aa78bb0584f2

Droni rus godet trenin e pasagjerëve drejt Varshavë

September 14, 2026
min lexim

Në Ukrainë, një tren pasagjerësh në rrugën nga Kievi drejt Varshavës është goditur nga një dron rus. Nga sulmi nuk pati të plagosur. U godit gjithashtu edhe një pikë karburanti në rajonin kufitar me Poloninë.

Një dron rus goditi një tren pasagjerësh që udhëtonte midis Kievit dhe Varshavës në  Ukrainë. Sipas njoftimeve që përputhen nga Ukraina dhe Polonia, nga sulmi pranë kufirit polak nuk pati të plagosur. Qeveria ukrainase e akuzon Rusinë për një sulm të qëllimshëm.Polonia shprehu shqetësim për sulmet e kryera pranë kufirit të saj.

Sipas Hekurudhave të Ukrainës, lokomotiva e trenit u godit të dielën pranë stacionit hekurudhor kufitar të Jahodynit. Pasagjerët u evakuuan me kohë. Sipas operatorit polak hekurudhor PKP Intercity, në tren ndodheshin 206 pasagjerë.

Sipas autoriteteve polake, një dron tjetër goditi një zonë pranë pikës kufitare Dorohusk-Jahodyn. Aty një pikë karburanti u përfshi nga zjarri pas sulmit. “Ne i marrim incidente të tilla jashtëzakonisht seriozisht”, deklaroi ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwinski. “Situata po monitorohet vazhdimisht”, shtoi ai.

Zelenski flet për sulm të qëllimshëm

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, lokomotiva u përfshi nga flakët pas goditjes. Gjithashtu u dëmtua edhe një pikë karburanti. Zelensky akuzoi Moskën se e kishte vënë trenin në shënjestër me vetëdije. 

Më vonë treni arriti të vazhdonte udhëtimin. Hekurudhat polake njoftuan se e kishin marrë në dorëzim qarkullimin e trenit nga pala ukrainase me më shumë se gjashtë orë vonesë.

Image

Presidenti ukrainas, Zelensky akuzoi Moskën se e kishte vënë trenin në shënjestër me vetëdije.

Ukraina paralajmëron për sulme që synojnë rrjetin hekurudhor

Hekurudhat shtetërore të Ukrainës akuzuan Rusinë për sulme sistematike ndaj rrjetit hekurudhor të vendit. Për shkak të sulmeve në mbarë Ukrainën, qendra e mbikëqyrjes së trafikut hekurudhor dhe i gjithë personeli i hekurudhave janë vendosur në gatishmëri maksimale.

Kompania hekurudhore paralajmëroi për evakuime të mundshme, vonesa në qarkullimin e trenave dhe devijime të qarkullimit të trenave.

Zelenski deklaroi se Rusia kishte sulmuar jo vetëm infrastrukturën hekurudhore, por edhe infrastrukturën energjetike dhe ndërtesat e banimit. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sybiha, bëri thirrje për masa më të ashpra ndaj Moskës. Sipas tij, sulmet ruse pranë kufirit polako-ukrainas janë më shumë sesa një vazhdim i sulmeve kundër Ukrainës. Presidenti rus Vladimir Putin po e çon terrorin e tij drejtpërdrejt deri në dyert e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, shkroi Sybiha në platformën X.

“Putini po e përshkallëzon situatën”

Edhe qeveria polake reagoi e alarmuar. “Putini po e përshkallëzon situatën”, shkroi ministri i Jashtëm Radoslaw Sikorski në X.

Kryeministri Donald Tusk thirri një mbledhje emergjente për pasditen me ministrat përgjegjës dhe shërbimet e sigurisë. Polonia i merr zhvillimet “jashtëzakonisht seriozisht”, deklaroi ministri i Brendshëm Marcin Kierwinski.

Sipas ministrit polak të Mbrojtjes, Radoslaw Kosiniak-Kamysz, një dron goditi rreth një kilometër larg kufirit polak, ndërsa një tjetër rreth pesë kilometra larg kufirit. Avionë luftarakë polakë F-16 dhe një avion zbulues monitoruan situatën. Sipas autoriteteve, hapësira ajrore polake nuk u shkel.

Image

Punëtorë pranë nje treni të goditur nga një sulm me dron rus (arkiv) 28 gusht 2025.

Të prekur edhe politikanë gjermanë dhe britanikë

Nga sulmet duket se u prek edhe një tren special me politikanë gjermanë dhe britanikë. Sipas revistës “Spiegel”, treni special i marrë me qira privatisht u desh të evakuohej pjesërisht për shkak të sulmeve pranë pikës kufitare.

Në bord ndodheshin Günter Sautter, këshilltar për politikën e jashtme dhe të sigurisë i kancelarit gjerman Friedrich Merz, si dhe ish-kryeministri britanik Boris Johnson. Të dy kishin qenë në Kiev për konsultime politike.

Lidhja hekurudhore mes Polonisë dhe Ukrainës ka rëndësi të veçantë edhe për udhëtimet e politikanëve perëndimorë drejt Kievit. Për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore ukrainase, udhëtimi drejt kryeqytetit realizohet shpesh me tren.

Moska konfirmon sulmet ndaj infrastrukturës hekurudhore

 Ministria ruse e Mbrojtjes  konfirmoi sulmet ndaj infrastrukturës hekurudhore në Ukrainën perëndimore. Sipas Moskës, objektet e goditura përdoreshin për transportimin e pajisjeve ushtarake nga vendet evropiane.

Prej më shumë se katër vitesh e gjysmë, Ukraina po i kundërvihet sulmit rus me mbështetjen e vendeve perëndimore. Gjatë sulmeve ruse janë dëmtuar vazhdimisht stacione hekurudhore dhe pjesë të tjera të infrastrukturës hekurudhore. Në të kaluarën, këto sulme kanë shkaktuar edhe viktima dhe të plagosur.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

sherr me babane e ish partneres plagosje me cekic ne shqiperi 6aa78b505441a
Lajmi i mëparshëm

Sherr me babanë e ish-partneres, plagosje me çekiç në Shqipëri

djali i cillian murphy terheq vemendje me ngjashmerine e jashtezakonshme me te atin 6aa78ca48a092
Lajmi i radhës

Djali i Cillian Murphy tërheq vëmendje me ngjashmërinë e jashtëzakonshme me të atin

Të fundit nga

ShkoLartë