Drejtori i Institutit “Lumo Skëndo” reagon pas aktit vandal, Uran Butka: Dhunimi i memorialit të Mid’hat Frashërit, akt i shëmtuar i forcave enveriste

Drejtori i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, Uran Butka, akuzoi forcat enveriste si autore të aktit të shëmtuar të dhunimit të memorialit të Mid’hat Frashërit te kodrat e Liqenit të Tiranës, pranë vëllezërve Frashëri.

I pyetur nga gazeta “Panorama”, historiani i njohur e krahasoi këtë akt vandal të njëjtë me atë të inkuizicionit mesjetar. “Dhunimi e shkatërrimi i memorialit të Mid’hat Frashërit, këtij personaliteti të shquar të atdhetarizmit, kulturës dhe historisë shqiptare, është një atentat i rëndë dhe i dënueshëm, një vepër penale, që duhet zbardhur nga organet kompetente… Është një akt i shëmtuar i forcave të errëta enveriste, i kryer fshehurazi në mesnatë, me qëllime të mbrapshta, me prerje koke dhe me shkatërrim të varrit si në inkuizicionin e mesjetës, ose në komunizmin ekstrem, kur u prish varri i Gjergj Fishtës dhe eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin apo masakrimet monstruoze të personaliteteve të shquara të kombit”, u shpreh Butka.

Sipas tij, një dhunim i tillë nuk mund të zhbëjë aktivitetin e gjithanshëm të Mid’hat Frashërit në shërbim të atdheut në të gjitha pozicionet që ka shërbyer. “Ata që thyen bustin dhe dhunuan varrin e Midhat Frashërit, nuk mund të rrëzojnë dhe dhunojnë tanimë vlerat njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare, përkushtimin e tij ndaj lirisë, kulturës dhe pavarësisë së Shqipërisë, duke qenë pjesëmarrës dhe protagonist ne ngjarjet kryesore të historisë së Shqipërisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë, njëherësh edhe njeriu i diturisë dhe librit, shkrimtar, studiues, publicist, filozof, përkthyes, albanolog, historian, sociolog, politikan, diplomat i shënjuar shërbëtor i Shqipërisë.

Ata që rrëzuan në mesnatë bustin dhe dhunuan varrin e tij, nuk mund të rrëzojnë dhe dhunojnë veprën e jashtëzakonshme të Mid’hat Frashërit, figura e të cilit vlerësohet dhe lartësohet çdo ditë e më shumë si shqiptar i madh dhe evropian”, shprehet historiani i njohur. Duke sjellë në vëmendje një thënie të vetë Midhat Frashërit, Butka tregon dimensionin që ky personazh kaq i debatuar ka lënë në historinë e vendit. “E thotë vetë Mid’hat Frashëri, kur qëndroi përpara varrit të rilindësit të shquar Kristo Luarasit: Një varr nuk mbulon kurdoherë një njeri të vdekur.

Shumë herë, jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore fillon, kur mbaron fryma. Ç’ka të bëjë zhdukja e trupit, në qoftë se ideja rron, kur ajo ide ngjall një mijë shpresa dhe entuziazëm? Dhe bash këto janë jetë e vërtetë”. “Të dhunosh varrin e tij dhe të çdo njeriu, të trazosh eshtat e tij, është një sakrilegj, është një vepër joshqiptare, se shqiptari e ka në traditë të nderojë kodin e vdekjes, por edhe të pavdekësisë. Injoranca, urrejtja dhe përdorimi i dhunës përbëjnë një rrezik, që nuk duhet lejuar. Ky vandalizëm ka lënduar gjithë bashkëkombasit, kudo që janë. Na turpëron edhe përpara botës së qytetëruar. Gjithsesi, ky akt nuk duhet përgjithësuar, nuk duhet politizuar. Mid’hati nuk ka nevojë për mbrojtje: është vepra e tij madhore e vetëmbrojtur. Ka nevojë kultura shqiptare të mbrohet nga varrëmihësit e saj -ternadierrët, të mbrohet nga ana e shoqërisë, qytetarisë shqiptare dhe institucioneve shtetërore të çdo kohe”, përfundon reagimin e tij historiani i njohur Uran Butka.

Demaliaj: Talebanizëm dhe urrejtje ndaj kulturës

Busti dhe varri i Mit’hat Frashërit, diplomat dhe shkrimtar i madh shqiptar, janë shkatërruar gjatë natës, duke u zbardhur 23 dhjetori. Siç shihet edhe nga fotot, busti i tij është rrëzuar nga vendi ku qëndronte, ndërsa është thyer dhe pllakata e varrit. Në reagimin e tij, Ilir Demaliaj e cilëson talebanizëm dhe urrejtje ndaj kulturës këtë dhunim. “Dje është dhunuar varri dhe busti Mid’hat Frashërit. Dhunimi i varreve dhe kufomave nuk është veprim dhe sjellje e botës së civilizuar. Në të kundërt është veprim dhe sjellje e talibanizmit.

Historia botërore që nga lashtësia ka ndëshkuar dhunimin e kufomës dhe varreve, qofshin edhe të “armikut”. Akili u ndëshkua nga Zeusi në pikën e tij më të fortë, pikërisht se dhunojë kufomën e Hektorit. Ne historinë e luftërave dhe kodin e luftërave vrasja apo dhunimi i atyre që kapen si “rob lufte” është i dënueshëm me ligjet ndërkombëtare dhe kodet e luftës. Varret e kundërshtarëve, edhe pse janë në vendet respektive, nuk preken, në të kundërt ruhen dhe mirëmbahen. Sot, media, në vend që të merrej me këtë akt barbar të shkatërrimit të varrit të një prej figurave më elitare të politikës dhe kulturës, gjuhës së historisë shqiptare, merrej me tallavanë politike dhe festival tallavanë nga ku ushqehen dhe ushqejnë këtë primitivizëm politik dhe kulturor.

Është dhunuar më parë varri dhe busti i “enciklopedisë shëtitëse” dhe latuesit të gjuhës shqipe dhe flamurtarit të pavarësisë, aristokratit të salloneve të letrave dhe kulturës europiane, Faik Konica. Komunistët po ashtu shkatërruan varrin dhe i hodhën eshtrat në lumë Kryetarit të Komisisë Letrare të Kongresit të Manastirit, Poetit Kombëtar, Viganit të Veriut, At Gjergj Fishta. E gjithë kjo është një talibanizëm dhe një urrejtje ndaj kulturës, vlerave të përfaqësimit oksidental dhe civilizimit europian nga talibanizmi i shqiptarëve Dum Babën. Shoqëria shqiptare nuk ka as imunitet për të përballuar të keqen dhe as antikorpe për ta luftuar. Kjo është arsyeja që shoqëria shqiptare është në një rënie të lirë drejtë humnerave të tallavasë politike, kulturore dhe mediatike.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Igor Shtimac çorodit për Argjentinën: Do të ketë një njollë të madhe…

Story i radhës

Botohen “Shkrimet Historike” të historianit të njohur Zeqirja Idrizi

Të fundit nga