Çmimet botërore të ushqimeve u rritën në korrik në nivelin e tyre më të lartë në më shumë se tre vjet për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe përshkallëzimit të konflikteve në Detin e Zi dhe Gjirin Persik, tha sot Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO).
Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve (FFPI), i cili gjurmon ndryshimet mujore në çmimet e produkteve ushqimore të tregtuara në të gjithë botën, qëndroi në 131.1 në korrik, nga 130.3 pikë në qershor dhe niveli më i lartë që nga janari 2023.
Kryeekonomisti i FAO-s tha këtë javë se bota po përballet me një rritje të re të çmimeve të ushqimeve, pasi luftërat në Iran dhe Ukrainë, së bashku me fenomenin e motit El Niño, kanë krijuar kushte për kosto më të larta dhe rendimente më të ulëta të korrjeve.
Në qershor, u regjistrua një rritje mujore e çmimeve të drithërave prej 3.4 përqind, pra një rritje prej 5.8 përqind e çmimeve të grurit, tha agjencia.
Në tregjet e drithërave, ka shqetësime në lidhje me ndërprerjen e eksporteve në Detin e Zi dhe dëmet e shkaktuara nga temperaturat e larta në rajonet kryesore të prodhimit bujqësor, shtoi FAO.
Indeksi i çmimit të vajit vegjetal u rrit me dy përqind në nivelin më të lartë që nga qershori i vitit 2022.
Çmimet më të larta të naftës bruto për shkak të përshkallëzimit të luftës në Iran dhe kërkesa më e madhe për biodizel kontribuan në rritjen e çmimeve të vajit të palmës dhe të sojës. Çmimet e vajit të kolzës dhe të lulediellit ranë.
Çmimet e sheqerit u rritën me 5.6 përqind për shkak të kushteve të pafavorshme të motit në Evropë dhe Azi dhe një rritjeje të pritur të kërkesës për etanol në Brazil.
Çmimet e mishit, nga ana tjetër, ranë me 2.8 për qind nga një nivel rekord në qershor, dhe çmimet e qumështit ranë gjithashtu me 0.7 për qind, tha agjencia.
Burimi: lajmpress.org



