“Ky është momenti i zgjimit për Evropën, momenti kur duhet të jetësohet procesi i zgjerimit me vendet nga Ballkani Perëndimor. E di se keni pritje të caktuara dhe me të drejtë. Duhet të fillojmë negocim formal për inkuadrim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sa më parë dhe shpresoj se kjo do të jetë e mundur në konferencën e ardhshme ndërqeveritare”.
Këtë e porositi sot nga Shkupi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borell. Pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Borell theksoi se Maqedonia e Veriut dhe i tërë rajoni janë prioritet strategjik dhe BE-ja është e përkushtuar ta bëjë realitet perspektivën evropiane të këtyre vendeve.
Boreël e përshëndeti impulsin e ri mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke nënvizuar se i nxitë të dyja palët të gjejnë zgjidhje të ndërsjella të pranueshme dhe t’i zgjidhin çështjet bilaterale sepse “zgjerimi nuk mund të vazhdojë nëse pengohet nga çështjet bilaterale”.
“Paralelisht, reformat e Maqedonisë së Veriut në sundimin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, transformimin digjital dhe agjendën e gjelbër do të mundësojnë progres të shpejtë drejt negociatave. Të gjithë aktorët duhet të bashkëpunojnë për avancim të agjendës reformuese evropiane si mënyrë më e shpejtë që vendi të përparojë në rrugën evropiane”, theksoi ai.
Borell e përshëndeti pozicionin e Maqedonisë së Veriut lidhur me kontestin ruso-ukrainas, duke qëndruar prapa sanksioneve dhe duke e dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.
“Vendimi të harmonizoheni me masat restriktive, e tregon qartë përkushtimin tuaj ndaj vlerave të BE-së dhe ju vë në rrugën drejt Evropës jo vetëm si kandidate për anëtarësim, por edhe si anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar sepse kjo për të cilën flasim është zgjedhje morale, e jo zgjedhje për shkak të kalkulimeve. Unë jam i sigurt se këtë e bëni në bazë të parimeve morale”, nënvizoi Borell.
Nënkryetari i KE-së paralajmëroi edhe pako të re, të katërt të sanksioneve ndaj Rusisë