Komisioni Europian i ka dhënë Shqipërisë për herë të parë një udhërrëfyes konkret drejt mbylljes së negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, raporti vjetor i progresit, i publikuar të mërkurën, shoqërohet me një listë të gjatë vërejtjesh për funksionimin e Kuvendit, luftën kundër korrupsionit dhe mungesën e dialogut politik. Raporti vjen në kohën kur vendi përjeton mobilizimin më të madh qytetar që nga tranzicioni demokratik.
Në Paketën e Zgjerimit 2026, Komisioni vlerëson se Shqipëria ka hapur edhe grupkapitullin e fundit të mbetur. Ajo ka përmbushur gjithashtu standardet e ndërmjetme për kapitujt e shtetit të së drejtës, duke i hapur rrugë mbylljes së përkohshme të katër kapitujve. Brukseli e cilëson objektivin e qeverisë për përfundimin e bisedimeve në 2027 “ambicioz, por të arritshëm”, me kusht që të ruhet ritmi i reformave dhe të nxitet një dialog politik gjithëpërfshirës.
Çfarë parashikon udhërrëfyesi
Me vetëm katër kapituj të mbyllur përkohësisht, Shqipërisë i mbeten edhe 31 të tjerë. Komisioni rekomandon që puna për standardet përmbyllëse të përfundojë mjaftueshëm herët, në mënyrë që kapitujt e mbetur të mbyllen brenda afatit. Nëse vendi ecën sipas planit, Brukseli do të paraqesë paketën financiare të anëtarësimit. Gjithashtu i rekomandon Këshillit të BE-së që të nisë gjatë vitit 2027 përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit.
Udhërrëfyes të ngjashëm morën edhe Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina. Mali i Zi, vendi më i avancuar në proces, mund t’i mbyllë negociatat që në fund të këtij viti, ndërsa nënshkrimi i traktatit të tij parashikohet për qershor 2027.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina mund të bëhen anëtare të BE-së në vitet në vijim, nëse vazhdojnë me reformat. Megjithatë, një zyrtar i lartë europian, i cituar nga EU Reporter, paralajmëroi se ritmi i reformave në Shqipëri është ngadalësuar për shkak të zhvillimeve të brendshme dhe duhet rikthyer.
Vërejtjet: Kuvendi, Balluku dhe drejtësia
Sipas raportit, SPAK ka vijuar të tregojë pavarësi dhe të japë rezultate në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, por korrupsioni mbetet një sfidë reale për vendin.
Një nga pikat më kritike është vendimi i Kuvendit për të mos ia hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndiqet penalisht nga SPAK. Sipas Komisionit, ky vendim ngre shqetësime për funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës mes pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë para ligjit.
Brukseli vëren gjithashtu se mbikëqyrja e qeverisë nga Parlamenti mbetet e dobët. Kërkesat e opozitës për komisione hetimore janë refuzuar sistematikisht dhe disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar. Emërimet në institucionet e pavarura mbeten të politizuara, përfshirë zgjedhjen e Avokatit të Popullit vetëm me votat e shumicës. Komisioni kërkon një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të cilën e cilëson urgjente para zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Për lirinë e shprehjes, vlerësimi u përmirësua nga “progres i kufizuar” në “njëfarë progresi”. Megjithatë, raporti thekson se pavarësia e medias vijon të cenohet nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike. Ndërkohë, fondet IPARD III për bujqësinë mbeten të bllokuara, sepse nuk janë plotësuar kushtet e kërkuara.
Protestat në raport
Komisioni e përshkruan lëvizjen qytetare që nisi në maj si mobilizimin më të madh qytetar që nga tranzicioni demokratik i vendit. Lëvizja nisi fillimisht për shqetësime mjedisore në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Raporti përmend dhunën gjatë protestave studentore të tetorit dhe dëmtimin e pronave publike e private. Përmend gjithashtu pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Sipas Komisionit, deri tani nuk është zhvilluar asnjë dialog dhe të gjitha palët duhet të angazhohen sinqerisht në të.
Periudha formale e raportimit përfundon më 1 shtator 2026, ndonëse dokumenti përfshin edhe informacione për protestat e tetorit.
Rama: Moment krenarie. PD: Raporti më i zymtë
Kryeministri Edi Rama e quajti raportin një tjetër moment krenarie dhe shkroi se “Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë”. Ai pranoi se detyrat mbeten të shumta dhe se kalendari i negociatave po ngushtohet. Sipas tij, dera e BE-së është e hapur dhe historia nuk do ta falte Shqipërinë nëse do ta humbiste këtë mundësi për shkak të ndasive dhe mllefeve.
Në krahun tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi dokumentin si raportin më negativ ndër vite. Ai renditi dhjetë kritika, nga funksionimi i Kuvendit deri te rasti Balluku. Sipas Bardhit, këto janë pikërisht arsyet pse studentët dhe qytetarët protestojnë. Ai kërkoi largimin e Ramës dhe një qeveri teknike që të përgatisë zgjedhje të lira.
Studentët vazhdojnë protestën
Raporti u publikua në ditën e 23-të të protestave studentore në Tiranë. Të mërkurën, studentët marshuan nëpër fakultete dhe para Ministrisë së Arsimit, për t’u mbledhur sërish para Kryeministrisë me kërkesën për dorëheqjen e Ramës. Policia vendosi gjoba ndaj disa protestuesve që bllokuan rrugën, ndërsa studentët vazhdojnë të refuzojnë ftesat e kryeministrit për dialog. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka njoftuar për të shtunën një protestë kombëtare në mbështetje të studentëve.
Tani vendimi për hapat e ardhshëm u takon shteteve anëtare në Këshillin e BE-së, të cilat do të shqyrtojnë rekomandimet e Komisionit.
Burimi: botasot.info


