“Ballkani i Hapur”, pasaporta e tradhtisë kombëtare të Ramës

March 29, 2022
min lexim

Në Portalin “Fjala e Lirë” të datës 22 mars lexova analizën e publicistit Frank Shkreli, me titull “Shqipëria të distancohet nga këlyshët e Rusisë”. Aty ai shkruan:

“Të parët tanë na kanë paralajmëruar më shumë se një shekull më parë: Kujdes këlyshët e Rusisë! Ka ardhë koha që Kombi shqiptar të zgjohet, përfundimisht, nga gjumi shekullor dhe të distancohet, një herë e mirë, nga majtizmi sllavo-bolshevik ndërkombëtar dhe nga bolshevizmi liberal i brendshëm. Distancohuni nga këlyshët e Rusisë para se të jetë tepër vonë. Ku tjetër po ringjallet Stalini veçse në Rusinë bolsheviko-fashiste dhe në Shqipërinë bolsheviko-liberale!? Shqipëria në “Ballkanin e Hapur” po fle me djallin. Distancohuni nga e keqja!”.

Në faqen e internetit “Bota Sot” të datës 27 mars, publicisti Hafiz Shala kishte botuar analizën me titull: “Me kë është Shqipëria e Edvin Kristaq Ramës: me Serbinë apo me Dardaninë?”.

Nga kjo analizë kam shkëputur disa citate me domethënie të thellë”:

1. “Kryetitulli i këtij shkrimi, kërkon një përgjigje nga shqiptarët e Shqipërisë…”.

2. “Në Samitin e shteteve anëtare të NATO-s, përderisa Presidenti i Kroacisë, zoti Zoran Milanoviç, bëri kërkesë publike zyrtare në emër të shtetit që Dardania menjëherë të pranohet në NATO, kryeministri i shtetit amë, që ne dardanët e konsideruam gjithmonë si shtet amë, jo vetëm që heshti, por edhe foli fjalë të mira për Serbinë, u zgërdhi dhe e shikoi me ironi, por edhe me xhelozi inatçore, sepse, po ia qartë vëllaznillëkun me kriminelin Vuçiç. Qytetarët e Shqipërisë, duhet t’i japin përgjigjje kësaj pyetjeje që i bëhet nga shqiptarët e Dardanisë: a jeni me Serbinë apo me Dardaninë?!”.

3. “Nëse Serbia nesër hyn në iluzione ta sulmojë Dardaninë, a duhet ta ruajmë shpinën nga Shqipëria e Edvin Kristaq Ramës?”.

4. “Ky, pra, Edvin Kristaq Rama, po bëhet një Gebels i Enver Hoxhës dhe i Fatos Nanos, një bashkëpunëtor i Millosheviçit në të njëjtën mënyrë sikur bashkëpunimi i këtij me Gebelsin e Millosheviçit, Vuçiçin”.

Të dyja analizat e këtyre dy publicistëve me formim atdhetar shembullor, janë mjaft të argumentuara. Kanë shumë të drejtë me thirrjet dhe pyetjet që i drejtojnë Shqipërisë për t’u distancuar nga vemjet në truallin e atdheut amë që janë vënë në shërbim të serborusosllavizmit me nismën për Ballkanin e Hapur, një nismë kjo që s’është gjë tjetër, veçse një ringjallje e thirrjeve të kryeargatit të Beogradit Enver Hoxha për miqësi me serbosllavizmin.

I brumosur deri në palcë me trashëgiminë e tradhtisë kombëtare të kryetradhtarit Enver Hoxha, Rama i ka hyrë me zell punës për vënien e saj në jetë. Sepse ai ka parasysh thirrje-porositë e kahershme të atij kryetradhtari për lidhjet “miqësore” me serbosllavizmin. Në vijim po rendis disa nga ato thirrje-porosi me pasoja rrënimtare jo vetëm për Shqipërinë Londineze, por edhe për mbarë kombin shqiptar:

Së pari, në gusht të vitit 1947 Enver Hoxha deklaronte:

“…Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshalit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia… Po të studiojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë… Prandaj populli ynë duhet ta kuptojë mirë se aleanca me popujt e Jugosllavisë është garancia e shëndoshë për të ardhmen e tij” (Citohet sipas: Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin IV të rinisë popullore. Gazeta “Bashkimi”. 22 gusht 1947).

Kryeargati dhe kryeservili i serbosllavizmit Enver Hoxha, si njeri me kulturë gjysmake, anashkalon të vërtetën historike dhe armiqësinë e egër shumëshekullore të serbosllavizmit kundër etnisë shqiptare, kërkonte t’ia shiste opinionit publik për “miqësi”. Një intelektual i njohur i Dardanisë, Profesori Hakif Bajrami, citon priftin serb Nikollaj Velmiroviç, i cili në vitin 1942 pati deklaruar:

“Atë që po bën sot Hitleri kundër hebrenjve, atë e ka bërë Shën Sava (1169-1236) në mesjetë kundër arbanasëve, që nuk donin të konvertohen në sllavë” (Citohet sipas: “Pse Serbia sot është në ofensivë defaktorizuese ndaj Republikës së Kosovës”. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 dhjetor 2020).

Mjerani Enver Hoxha shpërfillte krimet e egra të serbosllavizmit kundër Dardanisë pas Kongresit famëkeq të Berlinit, harronte masakrat e tij shtazarake kundër mbarë kombit shqiptar në vitet e Luftës Ballkanike, të pasqyruara me aq vërtetësi historike në librin “Akuza që ulërijnë”, me autor hebreun austriak Leo Freundlih (1875-1953). Në atë libër, të botuar në vitin 1913, kopjen e vetme të të cilit, në vitin 1982, e zbuloi studiuesja Safete Juka në Bibliotekën e Universitetit të Harvardit, autori shkruan se sebët patën vrarë 500 mijë shqiptarë.

Së dyti, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit 1947, Enver Hoxha kërkonte që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë titiste. Ajo thirrje për republikë të shtatë të ngrehinës jugosllave ishte thjesht një maskë, me të cilën kryetradhtari Enver Hoxha kërkonte të fshihte qëllimin e vërtetë të statusit të asaj republike – shndërrimin e Shqipërisë në një koloni të Jugosllavisë.

Ja cila ishte thirrja e kryerenegatit Enver Hoxha në atë mbledhje:

“Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.

Kam bindjen e plotë se kjo ka qenë thirrja më kryekriminale, më kryetradhtare dhe më poshtëruese në historinë e mbarë kombit shqiptar. Me këtë thirrje, kryeservili i Titos Enver Hoxha fyente rëndë popullin shqiptar, tek i cili nuk kishte kurrfarë besimi te forcat dhe energjitë e tij krijuese, dhe si një njeri me formim gjysmak, pa kulturë universitare, me trurin e tij të mykur nga servilizmi ndaj serbosllavizmit, kishte krijuar bindjen e plotë se Shqipëria nuk mund të mbijetonte dot pa u futur në vathën e Jugosllavisë titiste. Është për të vënë duart në kokë që komunistët shqiptarë, mes të cilëve ka pasur edhe nga ata që kishin formim të admirueshëm nacionalist, lejuan që në krye të partisë komuniste të vihej një këlysh i serbosllavizmit, i përzgjegjur me shumë kujdes nga Beogradi përmes emisarëve të tij Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Komunistët me formim nacionalist duhej të kishin pasur parasysh fjalët e Mustafa Kaçaçit në Konferencën e Labinotit (mars 1943), kur ai e denoncoi publiksht Enver Hoxhën:

“Ti Enver ke qenë askushi”.

Po ashtu, në mbyllje të asaj konference, pasi Omer Nishani lexoi rezolutën, Mustafa Gjinishi e denoncoi Enver Hoxhën edhe më rëndë. Në sallë ai u ngrit më këmbë dhe me gishtin tregues nga presidiumi, iu drejtua me fjalët:

“Ti je një tradhtar”.

Të dy këta komunistë me brumosje të shkëlqyer nacionaliste, u vranë pabesisht nga këlyshët e serbosllavizmit, të cilët Miladini dhe Dushani i kishin “mbjellë” me shumë kujdes në radhët e partisë komuniste, si agjenturë e Beogradit, si edhe në radhët e ushtrisë.

Së treti, një tjetër fakt konkret vërteton katërcipërisht se Enver Hoxha as që donte t’ia dinte për opinionin publik shqiptar dhe çdo vendim e merrte me kokën e vet. Në një letër që i dërgonte Titos në mars të vitit 1948, ai, me ndjenjën e inferioritetit dhe të servilizmit politik që e karakterizonte kokë e këmbë në marrëdhëniet me Jugosllavinë, ishte duke vënë në pikëpyetje pavarësinë edhe të kësaj cope Shqipërie që i kishte shpëtuar thikës shoviniste evropiane të copëtimit, me frymëzimin e armikut tonë më të tërbuar, rusocarizmit. Ja si i drejtohej Titos në atë letër:

“Shoku Mareshal,

…Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për Federatën [Jugosllave] dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat… Ne kemi bindjen se, si kurdoherë, Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona.

Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore.

Enver Hoxha

Tiranë, 17 mars 1948” (Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 207).

Kjo letër dëshmon ditën për diell se ç’udhëheqës servil dhe pa dinjitet kombëtar ka pasur në krye Shqipëria. Inferioriteti dhe servilizmi politik i Enver Hoxhës para Titos kishte arritur deri në atë derexhe, saqë ai, pasionin e vet të zjarrtë për ta bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë, kishte guximin ta shiste për pasion të popullit shqiptar.

Po ashtu, pasardhësi i Enver Hoxhës, kryetradhtari me damkë Rama, pa pyetur absolutisht se cili është mendimi i opinionit publik për të ashtuquajturin “Ballkan i Hapur”, shkon në Beograd dhe vihet kokë e këmbë në shërbim të shovinistit Vuçiç, duke firmosur me kokën e vet, paçka se opozita faktike dhe kryetari faktik i saj, Prof.dr. Sali Berisha, e ka denoncuar me rreptësinë më të madhe dhe kryetradhtinë e Ramës e ka demaskuar paq. Dhe për t’i vënë vulën tradhtisë ndaj mbarë kombit shqiptar, Rama, për Ballkanin e Hapur, merr edhe miratimin e deledeputetëve injorantë të Kuvendit.

Publicistët e njohur Frank Shkreli dhe Hafiz Shala i bëjnë thirrje Shqipërisë për distancim nga këlyshët e Rusisë. Po si t’ia bëjmë se këlyshë të tillë janë si fara e gramit dhe nuk besoj se janë të paktë në radhët e partisë neokomuniste apo neobolshevike me etiketë socialiste. Një kryekëlysh i tillë është vetë Rama, ai që është vënë në shërbim të serbosllavizmit me thirrjen për Ballkanin e Hapur, çka do të thotë vënie në shërbim të neobolshevizmit rus, armikut tradicional të kombit shqiptar.

Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të datës 19 shkurt 2021, ishte botuar shënimi me titull “Dy gracka për Albin Kurtin”, me autore publicisten e njohur Kimete Berisha. Në atë shënim, për të cilin kishte marrë shkas nga ideja e Albin Kurtit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ajo ishte ndalur në këndvështrimin e Pandeli Majkos, i cili qenkej shprehur kundër bashkimit në fjalë. Ajo thekson:

“Pandeli Majko mendon se ideja e “bashkimit kombëtar” është ide e vjetruar, e shekullit të kaluar, prandaj, sipas tij, Albin Kurti nuk duhet të merret më me të. Rrush prej mendve, Pandeli Majkos prej se i kanë shkuar shokët në hapsanë, ka harruar që është shqiptar”.

Në shënimin e vet, publicistja Kimete Berisha përmend edhe Elisa Spiropalin, e cila paskej bashkuar zërin e vet me zërin e Pandeli Majkos kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, sepse, siç shkruan publicistja e nderuar, “… edhe Elisa Spiropali po shqetësohet sa herë po e përmendin bashkimin. Milionerja zhelane, i tha Albinit “s’ka cicmic””.

Kur deklaron kështu edhe Elisa Spiropali, e cila njihet si “uni i dytë” (alter ego) i Ramës, si më kryeservilja e tij, s’ka më asnjë fije dyshimi se Rama, ashtu si Enver Hoxha me servilizmin e vet ndaj serbosllavizmit, e ka zgjeruar rrjetin e këlyshëve në shërbim të Beogradit, çka do të thotë edhe në shërbim të Rusisë neocariste.

Shumë vite më parë, një publicist i njohur i formatit nacionalist, pati denoncuar publikisht një figurë me paha të madhe në krye të partisë neokomuniste-socialiste. Sipas publicistit, ajo figurë e lartë e asaj partie, pikërisht në vitin 1997, pra, në vitin e gjëmave tragjike për vendin tonë, takohej fshehurazi në Tiranë me atasheun ushtarak rus.

Në këto kushte, thirrjet e publicistëve të nderuar Frank Shkreli dhe Hafiz Shala, për fat të keq, s’ka kush t’i kthejë në realitet, sepse këlyshizmi në shërbim të serbo-ruso-sllavizmit, në Shqipëri ndodhet në majat e pushtetit, aq më tepër që krejt ngrehina e partisë neobolshevike socialiste s’është gjë tjetër, veçse një rojtinë e kalbur “bujkrobërish socialistë”, të cilët Rama i shkel me këmbë, çka të kujton kopenë komunisto-puniste nën çizmen e Enver Hoxhës.

Sikur në Shqipëri të ndodhej në krye një tjetër kastë politike, me brumosje dinjitoze, nacionaliste, në mbrojtje të interesave jetike jo vetëm të atdheut amë, por edhe të mbarë kombit shqiptar, do të ishte më se e domosdoshme që të rishikoheshin marrëdhëniet diplomatike me Serbinë shoviniste, e cila jo vetëm nuk pranon të njohë krimet e rënda fashiste që ka kryer gjatë më shumë se një shekulli në Dardani, por edhe vazhdon ende për pretendime teritoriale ndaj saj. Prandaj do të ishte shumë mirë që ambasada jonë në Beograd të mbyllet përfundimisht dhe problemet e ndryshme me Serbinë t’i mbulojë amasada jonë në Kroaci. Madje ajo ambasadë duhej mbyllur që kur Serbia fashiste filloi masakrimin e popullit shqiptar të Dardanisë në fundin e viteve ’90.

Po ashtu, duke pasur parasysh qëndrimet tradicionalisht armiqësore të rusopolitikës shoviniste ndaj mbarë kombit shqiptar, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit deri në ditët tona, dhe sidomos qëndrimet tejet armiqësore ndaj Republikës së Dardanisë, do të ishte shumë mirë që ambasada jonë në Moskë të mbyllej dhe problemet me Rusinë t’i mbulonte ambasada jonë në Poloni.. Personalisht nuk mund ta përfytyroj dot pozitën e ambasadorëve tanë në Serbi dhe në Rusi. Si është e mundur që ata ambasadorë nuk gjejnë dot forca në vetvete për të dhënë dorëheqjen?

Armiqësinë tradicionale të politikës ruse ndaj kombit shqiptar e kam pasqyruar me fakte konkrete në një analizë të gjatë, me titull “Rusia, kjo armike e betuar e kombit shqiptar”, të botuar në internet në vitin 2009.

Las Vegas, Nevada

29 mars 2022

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Parashikimi i motit për sot, maksimalja deri 21 gradë

Story i radhës

Çfarë po ndodh në Ukrainë?

Të fundit nga

ShkoLartë