Bashkëpunëtori i përfaqësisë së përhershme ruse pranë OKB-së në Gjenevë, në detyrën e këshilltarit, Boris Bondarjov, deklaroi se jepte dorëheqjen për shkak të luftës në Ukrainë. Sipas fjalëve të tij, gjatë kohës së shërbimit dikplomatik, atij asnjëherë nuk i ka ardhur kaq turp për vendin dhe punën e vet. Deklaratën për largim nga shërbimi diplomatik, në twitter e pati botuar juristi, aktivisti për të drejtat e njeriut dhe drejtori ekzekutiv i OKB-së Hillel Neuer (1970).
Bondarjovi shkruan:
“Gjatë njëzet vjetëve të karrierës sime diplomatike, pata vënë re kthesa të ndryshme të politikës sonë të jashme, por mua asnjëherë nuk më ka ardhur kaq turp për vendikn tim, si më 24 shkurt të këtij viti” (Faqja e internetit “BBC News. Russkaja slluzhba”. 22 maj 2022).
Sipas fjalëve të tij, lufta agresive që ka shpërthyer presidenti Putin, përbën krim jo vetëm kundër popullit ukrainas, por edhe kundër popullit rus. Diplomati nënvizon:
“Ata që e nisën këtë luftë, kanë vetëm një synim – të qëndrojnë në pushtet përjetësisht” (po aty).
Po ta ndjekësh me kujdes politikën e brendshme dhe të jashtme të Rusisë, arrin në përfundimin se ajo, duke filluar që nga koha e diktaturës komuniste deri në ditët e sotme, përherë ka ndjekur traditën e dështimeve të vazhdueshme, sepse ajo gjithmonë është vërtitur në qethullin e pabesisë.
Vetvetiu lind pyetja: ku e kanë burimin dështime të tilla? Në këndvështrimin tim, burimi kryesor është kulti i individit në majat e pushtetit, i cili ngulet aty derisa zë myk. Se Rusia, gjatë 74 vjetëve të sundimit komunist dhe në vazhdimësi, pas zëvendësimit të diktaturës komuniste me një diktaturë neokomuniste në vitin 1991, gjithmonë ka pasur në krye njerëz gjysmakë nga formimi intelektual, pa horizont të gjerë kulturor. Dhe domosdo që njerëzit gjysmakë nga një formim i tillë, vuajnë tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit, çka i detyron të manifestojnë një sjellje arrogante dhe të pamëshirshme ndaj njerëzve, sidomos ndaj të gjithë atyre që kanë një nivel kulturor universitar ose akademik, apo ndaj kundërshtarëve politikë. Sepse, sipas tyre, kësisoj ata mendojnë t’ia rrisin autoritetin vetvetes.
Le të marrim Stalinin (1879-1953). Pas mbarimit të arsimit fillor në vitin 1894, ai hyri në një seminar priftërinjsh në Tbilisi. Pas dy vjetësh e braktisi atë seminar dhe filloi të merrej me veprimtari politike, pasi kishte hyrë në kontakt me marksistë rusë, të internuar në Gjeorgji. Me emrin e Stalinit lidhen ngjarje mjaft tronditëse në Bashkimin Sovjetik.
Së pari, në politikën e brendshme, duke filluar nga fundi i viteve 1920, pushteti sovjetik vuri në jetë politikën e shitjes së vlerave kulturore dhe antike, shitjen nga Ermitazhi (muzeu i artit figurativ dhe atij dekorativ të aplikuar në qytetin e Peterburgut, muze i themeluar në vitin 1764) të veprave me vlera të rëndësishme historike, të kryeveprave të artit botëror, duke e argumentuar shitjen në fjalë me kërkesën për sigurimin e mjeteve financiare. Në vitet 1928-1933 vendi përjetoi epopenë e pashembullt të shitjeve të objekteve muzeore, të cilat, përveç dëmit kolosal që iu bë kulturës ruse, nuk sollën asnjë përfitim. Përmes komisariatit të popullit për tregtinë, u shitën me shumicë më shumë se 6 mijë tonë objekte të artit dhe të kulturës.
Në kongresin XV të partisë komuniste (2-19 dhjetor 1927) u mor vendimi për kryerjen e kolektivizimit të detyrueshëm të prodhimit bujqësor, për likuidimin e ekonomive private të fshatarësisë dhe bashkimin e tyre në ekonomi kolektive (kolkoze).
Si përtejanë (sfond) e kryerjes së kolektivizimit të detyrueshëm pati shërbyer kriza e grumbullimit të drithit të vitit 1927, e cila u thellua me psikozën e lufës që kishte përfshirë mbarë vendin dhe që u thellua me blerjen masive nga ana e popullsisë të mallrave të nevojës së parë. Shumë shpejt qe përhapur ideja se fshatarët e fshehin drithin, me qëllim ngritjen e çmimeve. Më 06 shkurt të vitit 1928, vetë Stalini shkoi për vizitë në Siberi. Gjatë asaj vizite ai kërkoi që të ushtrohej presion maksimal mbi kulakët dhe spekulantët për dorëzimin e detyrueshëm të drithit.
Kolektivizimi i detyrueshëm dhe grumbullimi i detyrueshëm i drithit gjatë viteve 1928-1933, në bazë të të dhënave statistikore, vetëm në Ukrainë solli si pasojë vdekjen nga uria të 3 milionë e 941 mijë njerëzve.
Pikërisht gjatë periudhës së sundimit komunist dhe sidomos gjatë kohës që Stalini ishte në majat e pushtetit, janë kryer krime të rënda terroriste. Në vitin 1991, Viktor Zemskov (1946-2015), historian sovjetik dhe rus, doktor i shkencave historike, studiues i aspekteve demografike të represioneve politike në Bashkimin Sovjetik prej vitit 1917 deri në vitin 1954, në revistën Socis (Studime sociologjike), pati botuar të dhëna rojtinore (arkivore). Sipas atyre të dhënave, që nga viti 1921 deri më 01 shkurt 1954, si kundërshtarë të regjimit ditatorial, qenë dënuar 3 777 380 njerëz, nga të cilët 642 980 – me pushkatim, të izoluar në kampe përqendrimi dhe të dënuar me burgim deri në 25 vjet – 2 369 220, të internuar dhe të dëbuar – 765 189.
Së dyti, në politikën e jashtme, edhe gjatë sundimit komunist dhe neokomunist pas vitit 1991, ka vazhduar tradita e dështimeve që nga periudha e sundimit carist, sepse politika e jashtme ruse, siç u theksua më lart, pabesinë e ka pasur busull orientuese.
Krijuesi i artit të pabesisë në politikën e jashtme ruse ka qenë Pjetri I (1672-1725), i cili breznive të Rusisë u ka lënë si trashëgim një Testament, në bazë të të cilit Rusia duhet t’i hedhë në luftë me njëri-tjetrin shtetet e Evropës dhe pastaj atë ta pushtojë krejt, duke e mbajtur nën sundimin e vet. Ky Testament është botuar i plotë në gazetën “Bashkimi” të datës 08 prill 1994, f. 3-4, dhe shoqërohet me Kujtime të Kalorësit të Eonit, ish-ambasador i Francës në Peterburg, Kapiten i dragonëve, Kalorës i Shën Luigjit, Ministër Fuqiplotë i Francës në oborrin e Anglisë.
Propaganda ruse u ka rënë dhe vazhdon t’u bjerë vazhdimisht kambanave në të gjitha udhëkryqet e Evropës dhe përtej saj për fitoret madhështore në luftë kundër Napoleonit dhe Hitlerit. Por asnjëherë nuk thuhet se cili ishte shkaku i sulmit të Napoleonit dhe të Hitlerit. Shkaku ishte politika e pabesë e Rusisë si ndaj njërit, ashtu edhe ndaj tjetrit.
Mishërimin e vet konkret, politika e pabesisë e Pjetrit I e gjeti në figurën e carit Aleksandri I (1777-1825), i cili më 07 korrik 1807 nënshkroi në Tilzit (qytet në qarkun e Kaliningradit në Rusi) një marrëveshje paqësore me Napoleonin dhe një traktat bashkëpunimi që drejtohej kundër Anglisë, me qëllim që asaj t’i bëhej një bllokadë kontinentale. Nuk kaloi shumë kohë dhe Rusia e preu në besë Napoleonin, e shkeli marrëveshjen në fjalë, çka u bë shkak që më pas Napoleoni të niste fushatën e vet kundër Rusisë. Pasojat e asaj lufte me përmasa të gjera i hoqi mbi kurriz populli i varfër rus, i cili ishte i detyruar të përballonte edhe zgjedhën e rëndë të bujkrobërisë cariste. Në atë luftë, sipas historianëve të ndryshëm, Rusia humbi 200 deri 300 mijë ushtarë, nga 540 mijë që Kutuzovi kishte nën komandë. Pra, pabesia, me pasoja dështimin e politikës së jashtme, Rusisë i kushtoi shumë shtrenjtë.
Por pabesia e politikës së jashtme ruse u shfaq edhe më lakuriq në prag të fillimit të luftës së dytë botërore. Ajo u kurorëzua me nënshkrimin e Paktit Molotov-Ribentrop, më 23 gusht 1939. Qëllimin e vërtetë të nënshkrimit të atij pakti e zbulon Juli Kuicinski (1936-2010), i cili ka qenë zëvendës i parë i ministrit të punëve të jashtme. Ai ka deklaruar:
“Me nënshkrimin e këtij traktati, Stalini arriti qëllimin që Hitleri ta shpërthente luftën jo kundër nesh, por kundër Perëndimit” (Citohet sipas: “Çfarë solli Pakti Molotov-Ribentrop: paqe apo luftë?”. Marrë nga faqja e internetit në gjuhën ruse. 24 nëntor 2008).
Pabesinë e politikës ruse ndaj demokracive perëndimore e zbulon haptas vetë Stalini. Në një fjalim që ai ka mbajtur vetëm katër ditë para nënshkrimit të paktit në fjalë, pra, më 19 gusht 1939, në Byronë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, shtjellohet haptazi ideja bazë e Testamentit të Pjetrit I për pushtimin e Evropës. Në atë fjalim thuhet:
“Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le të shqyejnë njëri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij” (Citohet sipas: “Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Marrë nga faqja e internetit në gjuhën ruse. 23 korrik 2009).
Por Pakti Molotov-Ribentrop fshihte në vetvete një pabesi të dyfishtë të politikës ruse: jo vetëm ndaj demokracive perëndimore, por edhe ndaj vetë Gjermanisë hitleriane. Se Stalini synonte që, duke e ndarë Poloninë me Hitlerin (për të pasur një kufi të përbashkët me të), “t’i siguronte” atij krahët lindorë, duke e nxitur atë të vinte nën këmbë demokracitë evropianoperëndimore. Paskëtaj, në çastin që do ta quante të volitshëm, Stalini do t’i sulej Gjermanisë, me synimin që të arrinte deri në Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa do të përfundonte nën çizmen e Ushtrisë së Kuqe, me “flamurin proletar” mbi krye. Për vërtetësinë e faktit që Bashkimi Sovjetik do ta sulmonte Gjermaninë, që pastaj të pushtonte krej Evropën Perëndimore, dëshmohet edhe në burimin e poshtëcituar:
“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941…Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik – E. Y.). Gjeneral-armatë Semjon Ivanov (1907-1993) e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara” (Citohet sipas:Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskë 1993, f. 333).
Dhe ushtria sovjetike, nëse në qershor të vitit 1944, në Normandi të Francës, nuk do të kishin zbarkuar 1,5 milionë ushtarë amerikanë dhe anglezë për hapjen e Frontit të dytë, me siguri që do të vazhdonte dyndjen deri në Gjibraltar.
Pabesinë e Stalinit, me pasojë sulmin e ushtrisë naziste më 22 qershor 1941, e hoqën mbi kurriz popujt sovjetikë të të gjitha kombësive, të cilët patën një humbje kolosale prej më shumë se 20 milionë jetë njerëzish, ushtarakë dhe civilë
Kur politika e një shteti të madh, si Rusia, vërtitet përherë në qerthullin e pabesisë, domosdo që ajo nuk mund jetë e imunizuar edhe nga dukuri të tilla negative, si dritëshkurtësia (miopia), diletantizmi, folklorizmi dhe absurditeti.
Le të vazhdojmë me Hrushovin (1894-1971), i cili, po ashtu, s’kishte kurrfarë formimi kulturor universitar, ishte arsimuar copa-copa: deri në vitin 1908 mezi kishte mësuar shkrim e këndim, në vitin 1922 kishte vazhduar mësimet në një teknikum në Donjeck, kurse në vitin 1936 kishte hyrë në akademinë e industrisë në Moskë, ku më shumë merrej me punë partie.
Në librin me titull “Berlin 1961. Kennedy, Khrushchev, and the Most Dangerous Place on Earth” (Kenedi, Hrushovi dhe vendi më i rrezikshëm në botë), të botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2011, autori i tij, gazetari Frederik Kemp (Frederick Kempe), në kreun e 7-të, përshkruan takimin e ambasadorit amerikan në Bashkimin Sovjetik Tomson (Llewellyn Thompson – 1904-1972) me Hrushovin. Takimi qe zhvilluar në Siberi, në qytetin e Novosibirskut, më 09 mars 1961. Në atë takim, në të cilin biseda qe vërtitur rreth Berlinit dhe Gjermanisë Perëndimore, Hrushovi i pati deklaruar ambasadorit Tomson:
“… Bashkimi Sovjetik në vitin 1965 do t’ia kalojë Gjermanisë Perëndimore në prodhimin e mallrave për frymë të popullsisë, kurse pesë vjet më vonë do t’i lërë prapa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Autori i librit, duke folur për deklaratat e Hrushovit që i nxirrte si simitet nga furra poshtë e përpjetë nëpër Bashkimin Sovjetik, i cili, demek, do ta fituakej garën ekonomike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndalet edhe në anekdotat që qarkullonin asokohe mes njerëzve sovjetikë. Aty ai përmend dy të tilla:
E para:
Pyetje: Çfarë kombësie kishin Adami dhe Eva?
Përgjigje: Ata ishin rusë.
Pyetje: Po pse jeni i këtij mendimi?
Përgjigje: Sepse vetëm rusët mund të vrapojnë zbathur dhe me prapanicën të zbuluar, pa një strehë ku të futin kokën, të hanë një mollë dy veta dhe të bërtasin se jetojnë në parajsë.
E dyta:
Presidenti Xhon Kenedi shkoi te Zoti dhe e pyeti:
– Më thuaj, o Zot, pas sa vjetësh populli im do të jetë i lumtur.
– Pas pesëdhjetë vjetësh, – iu gjegj Zoti.
Kenedi filloi të qante dhe u largua.
Presidenti De Gol shkoi te Zoti dhe e pyeti:
– Më thuaj, o Zot, pas sa vjetësh populli im do të jetë i lumtur?
– Pas njëqind vjetësh, – ia ktheu Zoti.
De Goli filloi të qante dhe u largua.
Hrushovi shkoi te Zoti dhe e pyeti:
– Më thuaj, o Zot, pas sa vjetësh populli im do të jetë i lumtur?
Zoti filloi të qante dhe u largua.
Shprehjen “Do t’ia arrijmë dhe do t’ia kalojmë Amerikës”, Hrushovi e pati përdorur fillimisht me disa përfaqësues të bujqësisë më 22 maj 1957. Ca kohë më vonë, në një takim që pati me punëtorët e uzinës “Kirov”, në Leningrad, ai përsëri deklaroi:
– Ne, shokë, së shpejti jo vetëm që do t’ia arrijmë, por edhe do t’ia kalojmë Amerikës”.
Në këto fjalë e sipër, një punëtor i guximshëm ia pret që nga mesi i turmës:
– Që t’ia arrijmë Amerikës, ne, Nikita Sergejeviç, nuk kemi ndonjë kundërshtim. Veçse për t’ia kaluar s’do të ishte e nevojshme.
– Po pse? – ndërhyri Hrushovi.
– Sepse do të na dukej prapanica lakuriq, – ia ktheu punëtori (Citohet sikpas: “Pse socializmi është i dështuar – le ta lexojnë të gjithë ata që dëshirojnë rikthimin e Bashkimit Sovjetik”. Faqja e internetit “Live Journal”. 08 janar 2013)
Brezhnjevi (1906-1982) pati bërë tri klasë gjimnazi (1918-1921), në vitet 1923-1927 pati vazhduar mësimet në një teknikum bujqësor. Në vitin 1930 hyri në institutin e ndërtimit të makinave në Moskë, të cilin, prej vitit 1931 e vazhdoi në degën e mbrëmjes dhe në vitin 1935 qe diplomuar inxhinier. Më 12 dhjetor të vitit 1979, sipas politikës “largpamëse” të Brezhnjevit në majat e pushtetit sovjetik, Bashkimi Sovjetik sulmoi Afganistanin. Pas një lufte 10-vjeçare, në vitin 1989, ushtria agresore sovjetike u largua nga Afganistani, duke e paguar pushtimin e atij vendi me 30 mijë të vrarë dhe 60 mijë të plagosur e të sakatuar.
Në dallim nga pararendësit, Mihail Gorbaçovi (1931) shkollën e mesme e pati përfunduar me medalje argjendi dhe, me burs shteti, hyri në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, në fakultetin juridik, të cilin e përfundoi me medalje ari në vitin 1955. Me emrin e Gorbaçovit lidhet shpërbërja e ngrehinës së kalbur me emrin Bashkimi Sovjetik dhe çdo republikë ish-sovjetike fitoi pavarësinë. Por sot, çuditërisht, askush nuk kujtohet më për Gorbaçovin, i cili zbuloi lakuriq para botës sistemin e kalbëzuar sovjetik dhe i dha fund faqes së turpshme në historinë sovjetike me pushtimin e Afganistanit.
Jelcini (1931-2007), përgjithësisht, gjatë viteve të shkollës, nuk pati shkëlqyer në mësime. Në vitin 1949 hyri në Institutin politeknik të Uralit, në degën e ndërtimit, të cilin e përfundoi në vitin 1955. Jelcini hipi në pushtet duke pasur nëpër këmbë “gërmadhat” e Bashkimit Sovjetik. Duke pasur parasysh edhe pasionin e tij si alkolist i kalibirit të lartë, Jelcini mundi të qeveriste “me zor” si president i Rusisë prej 10 korrikut të vitit 1991 deri më 31 dhjetor 1999. Gjatë qeverisjes së tij, në vitet 1994-1996, pati shpërthyer lufta në Çeçeni, e cila qe shpallur republikë. Duke e ndier rrezikun e asaj lufte, e cila mund të nxiste për pavarësi edhe kombësi të tjera, më 31 dhjetor ai dha dorëheqjen dhe postin e vet ia përcolli Putinit. Këtu nuk e quaj të arsyeshme të flasë se kush është Putini se në vitin 2015 pata botuar në internet intervistën që gazetarja ukrainase Natalia Dvali ia kishte marrë shokut të klasës të Putinit në shkollën e zbulimit, Juri Shvec. Lexuesit e interesuar, atë intervistë, me titull “Putini në kujtimet e shokut të klasës”, mund ta gjejnë dhe ta lexojnë në internet. Nga përmbajtja e asaj interviste, lexuesit do ta kuptojnë fare mirë që marrëzia e kompleksit të inferioritetit është ajo që Putinin, në rolin e kryekriminelit të shekullit në mbarë botën, e detyroi të ndërmarrë sulmin fashist kundër popullit ukrainas, pa qenë i aftë ta parashikonte se me atë sulm, me të cilin mendonte t’i lante hesapet me Ukrainën brenda tri, e shumta, katër ditëve, do të zbulonte para tërë opinionit ndërkombëtar krejt bërllokun e Federatës Ruse, që Kremlini është munduar vzhdimisht ta maskojë me paradat ushtarake “madhështore” çdo 09 maj në Sheshin e Kuq.
Diplopmati Boris Bondarjov, i cili, siç u përmend në fillim, dha dorëheqjen për shkak të luftës në Ukrainë, bëri edhe këtë deklaratë, sipas faqes së mësipërme të internetit:
“Për fat të’ keq, gjatë gjithë këtyre njëzet vjetëve, niveli i gënjeshtrës dhe i mashtrimit, si edhe i joprofesionalizmit në ministrinë e punëve të jashtme, ka ardhur duke u rritur vazhdimisht”.
Domosdo. Sepse s’ka asgjë për t’u habitur. Tradita e gënjeshtrës dhe e mashtrimit në mjediset e ministrisë së jashtme ruse është trashëguar që nga periudha e carizmit dhe e diktaturës komuniste. Përkthyesi i ministrit të jashtëm sovjetik Andrea Gromiko, Viktor Suhodrjev, në kujtimet e veta shkruan për takimin e Hrushovit me Kenedin në Vjenë më 3-4 qershor 1961. Në një mbledhje në ministrinë e jashtme, Gromikoja qe shprehur për atë takim:
“Me një fjalë, po të mundohemi të shprehemi në mënyrë figurative, ky ishte takimi i një gjiganti me një xhuxh”. (V. M. Suhodrjev. “Jazëjk moj – drug moj. Ot Hrushova do Gorbaçova…” (Gjuha ime – mikesha ime. Nga Hrushovi deri te Gorbaçovi). Izdatjelskij dom TONÇU. Moskva 2008, f. 144).
Ngjarjet e pakmëvonshme vërtetuan konkretisht se kush ishte “gjiganti” i vërtetë dhe kush ishte “xhuxhi” i vërtetë. Kjo u duk faqe botës gjatë “Krizës së Karaibeve” të vitit 1962. Politika dritëshkurtër sovjetike, me qëllim që fitoren e Kastros në vitin 1959 ta shndërronte në një vatër zjarri për shpërthimin e revolucioneve në mbarë Amerikën Qëndrore dhe Jugore, me synimin që atje të fitonin forcat komuniste, vendosi që Kubën ta furnizojë me të gjitha llojet e armatimeve, përfshirë edhe raketat. Dhe këtë lloj furnizimi vendosi ta bënte në mënyrë të fshehtë, larg syve të amerikanëve. Përveç këtyre armatimeve, ajo dërgoi atje edhe një kontingjent prej 40 mijë ushtarësh dhe oficerësh që do të shërbenin si “numëror” të atij armatimi. Këtë kontingjent e komandonte gjenerali Plijev.
Më 18 tetor 1962, Andrea Gromiko, i shoqëruar nga përkthyesi Suhodrjev, u nis për në SHBA dhe, së bashku me ambasadorin Dobrinin, u prit nga presidenti Kenedi. Pyetjes së presidentit Kenedi për vendosjen e raketave në Kubë, Gromikoja iu përgjigj me një refuzim kategorik. Por një aeroplan amerikan U-2 i lartësive të mëdha, kishte zbuluar praninë e raketave sovjetike në brigjet veriore të Kubës, të pozicionuara në drejtim të Floridës. Qëndrimi i Gromikos para presidentit Kenedi e nxori zbuluar krejt udhëheqjen sovjetike dhe natyrën mashtruese, të pabesë të politikës së saj. Përkthyesi Suhodrjev, në heshtjen e tij, e pati ndier veten keq për atë mashtrim aq të pastër të ministrit të jashtëm sovjetik para presidentit Kenedi.
Paskëtaj rusët u tërhoqën me bisht ndër shalë nga Kuba, duke i transportuar mbrapsht raketat nëpër ujërat e Oqeanit Atlantik.
Krimet e agresorëve gjakatarë rusë në Ukrainë i ndjek përmes youtubit. Përmes tij ndjek edhe reportazhe dhe intervista të gazetarëve rusë me qytetarë rusë nëpër këmbësoret e qyteteve, sidomos në Moskë. Në ato intervista, qytetarët rusë shprehen me ngazëllim për kryekriminelin Putin, i cili, sipas tyre, po e “shpëton” Ukrainën nga “nacizmi” dhe “racizmi”, dhe sulmojnë egërsisht Perëndimin dhe Amerikën, duke deklaruar se Perëndimi evropian do t’i bjerë Moskës në gjunjë për gaz dhe naftë. Kur dëgjon ato intervista, bindesh shumë e shumë herë më tepër se shumica dërrmuese e popullit rus përfaqëson një kope gjigante bujkrobërish me psikologji prej skllavi. Fryma e nënshtrimit të atij populli para pushtetit, e rrënjosur në shpirtin e tij gjatë shekujve, si askund në botë, është e përmasave mitike. Pikërisht masa e gjerë e një populli të tillë shërben si një truall i begatë që nga radhët e tij të dalin në krye të skenës politike njerëz pa kurrfarë vlerash intelektuale, gjysmakë nga horizonti kulturor, çka sjell si pasojë kompleksin e inferioritetit të tyre, që reflektohet drejtpërsëdrejti në ndjekjen e një politike gënjeshtare, hipokrite, mashtruese, të pabesë jo vetëm ndaj popullit të vet, por edhe ndaj vendeve të tjera. Pikërisht një popull të tillë, klasa e tij politike dhe sidomos kryepolitikani i vendit, e trajton si material inert, si mish për top. Prandaj edhe në Ukrainë ushtarët rusë, dhe jo pak gjeneralë, deri tani, janë vrarë dhe vazhdojnë të vriten si mizat në vapë.
Siç e pata theksuar në një artikull me titull “Letër një shoku të vjetër”, të botuar në internet më 31 maj, kryetari i bashkësisë së tatarëve të Krimesë në Moskë, Ernest Kudusovi, pati deklaruar se rusët janë skllevër brez pas brezi. Dikush mund të mendojë se kjo deklaratë është subjektive. Atëherë po i njoh lexuesit me këndvështrimin e studiuesi rus Fjodor Grigorjev, i cili, në fragmentin e Esesë në vazhdim, ndan të njëjtin mendim, si edhe Ernest Kudusovi. Eseja titullohet:
“Rënjët e skllavërisë gjenetike të njeriut rus. Pse rusët janë skllevër brez pas brezi”.
Autori i Esesë shkruan:
“Kur shkrimtari dhe njëri nga përfaqësuesit më me autoritet të bashkësisë së tatarëve të Krimesë në Moskë, Ernest Kudusov, u shpreh lidhur me të kaluarën historike të rusëve, duke i quajtur ata “skllevër brez pas brezi”, unë kisha dëshirë të çohesha më këmbë dhe të duartrokisja. Qoftë edhe në këtë mënyrë, por ama dikush duhet t’i bjerë troç, t’i thotë gjёrat bam! Dhe gjyshi nuk duhet sharë, ai është magnetofon. Regjistrimin e bënë njerëz krejt të tjerë. Baieri, Mileri, Karamzini, Solloviovi… Të gjithë “shenjtorët” e shkencës historike kombëtare, deri në ditët tona, të cilët, të ushqyer me përkrahjen dhe mbrojtjen e carëve, të sekretarëve të përgjithshëm dhe presidentëve, patën ngritur një përmendore madhështore, kushtuar “popullit-martir”.
Sigurisht, skllevër janë! Efiri që bëri bujë në televizionin shtetëror, vetëm sa u vuri kapakun mendimeve që lindin në kokën e çdonjerit, i cili e ka mësuar ndonjëherë historinë ruse. Se ne të gjithë e dimë që e kaluara jonë është vijimësi e skenave të dhunës dhe të poshtërimit të rusëve, skena këto që zëvendësonin njëra-tjetrën. Jo rastësisht, pjesëmarrësit në atë emision (meqë ra fjala, rusë etnikë) as që e prishën fare terezinë kur Kudusovi i përshkroi me ngjyra se kush janë ata. Askush nuk u hodh përpjetë, nuk përmbysi tavolinën. Drejtuesi i emisionit (rus, gjithashtu) vazhdonte të ishte në një mendje dhe të tundte kokën në shenjë pohimi fill pas fjalëve të mysafirit të vet flokthinjur. Ç’është e vërteta, me fytyrë të ngrirë. Po ai arbitraritet, me të cilin sillej pushteti me popullsinë në Rusi? Se ne e dimë që edhe në Spanjë, edhe në Francë njerëzit do të ishin derdhur në rrugë sikur t’i kishin njoftuar për rritjen e tarifave në degën e ekonomisë që siguron funksionimin e ndërtesave të banimit ose të çmimeve të benzinës, siç ndodh rregullisht në vendin tonë, ku nuk vihen re absolutisht kurrfarë shqetësimesh nga ana e popullsisë. Mua madje më duket se ne nuk i besojmë as Maidanit (është fjala për shpërthimin e demostratave të fuqishme të popullit ukrainas në sheshin qendror të Kievit në fund të vitit 2013 dhe në fillim të vitit 2014, që çuan në përmbysjen e presidentit Janukoviç, të cilin e mori në mbrojtje Kremlini dhe e strehoi në territorin e vet – E.Y.), sepse në thellësinë e shpirtit nuk e përfytyrojmë dot se si populli pikërisht e ka aftësinë që në këtë mënyrë, thjesht fare, të vendosë për fatin e vet, të ndryshojë organizimin e vet shtetëror? Natyrisht, neve na janë bërë ferrë nëpër këmbë shumë tipa të llojllojshëm, si banditë, provokatorë, spiunë (fatin e Krimesë e pati parapërcaktuar pikërisht frika e Moskës se mos e shikonte Sevastopolin në rolin e një baze ushtarako-detare të NATO-s), por pa dyshim që gjithë ky pisllëk vërtitet rreth ndjenjave të dinjitetit personal të ukrainasve, të cilat patën shpërthyer si kurrë ndonjëherë.
Cila është arsyeja që gjatë’ 20 vjetëve të fundit ata e dinë se ç’është fyerja, ofendimi, kurse ne, ashtu si kemi qenë, po të tillë kemi mbetur, njerëz “sovjetikë”?
Përgjigjja është e thjeshtë – lexoni tekstet e sotme mësimore të historisë së Ukrainës. Në Maidan është një brez që është rritur dhe edukuar me ato tekste. Unë nuk kam ndër mend të bëj vlerësimin e teorive të historianëve ukrainas, por ama duket fare qartë që ukrainasit e sotëm të brezit të ri e ndiejnë veten pasardhës të gjysmëperëndive dhe janë plotësisht të vendosur të jenë të denjë të kujtojnë me nderim pararendësit të tyre. Kjo është një etni e panjohur për ne. Kurse historia ruse, siç ka qenë, ashtu edhe ka mbetur, historia e “skllevërve brez pas brezi”… (Faqja e internetit “Live Journal”. 29 maj 2022).
Kaliforni, 08 qershor 2022