Anëtarësimin në NATO, nuk e shoh vetëm si aspiratë por, domosdoshmëri!

March 30, 2022
min lexim

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi Sadiku në një intervistë për “Bota sot” ka folur për gjendjen politike në vend.

Ajo qeverisjen e Kurtit e konsideron të dobët, sidomos në politikën e jashtme, derisa sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë thotë që presindinamizim të këtij procesi në mënyrë që dialogu të vazhdojë. 

Mjekiqi Sadiku, thotë se LDK-ja ka rritje nivelin lokal, por edhe në nivel vendi, ndërsa beson se po e rindërtojnë partinë në këtë fazë.

Duke folur për ndikimin e luftës në Ukrainë, ajo thotë se ka ndikuar jo vetëm në Evropë, por edhe në Kosovë, por që nuk duhet parë si pengesë për të çuar më tej zhvillimet politike e ekonomike në vend. 

“Bota sot”: Si e shihni luftën në Ukrainë dhe a mendoni se mund të ndikojë në vendin tonë, përveç ndikimit në krizë ekonomike?  

Shqipe MjekiqiSadiku: Kriza në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus ndaj Ukrainës, ka ndikuar në situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë duke mos e përjashtuar as Kosovën. Pavarësisht ndikimit që ka kjo në aspektin e sigurisë, kriza nuk duhet parë si pengesë për të çuar më tej zhvillimet politike e ekonomike në vend. 

“Bota sot”: Më 22 mars Kurti bëri një vjet qeverisje, si e keni parë ju qeverisjen e tij, si opozitë?  

Shqipe MjekiqiSadiku: Të dobët. Nëse i referohemi politikës së jashtme, të cilën e koordinoj unë brenda partisë, ajo çfarë e karakterizon politikën e jashtme në një vjetor është: mungesa e njohjeve të reja, mungesa e anëtarësimeve në organizata të huaja, jo-transparencë në procesin e shkarkimit dhe emërimit të ambasadorëve, mungesë të takimeve të rëndësishme në nivelin ndërkombëtar, etj. 

“Bota sot”: Me këtë zhvillim në Ukrainë, dhe rreziqeve nga ushtria ruse, ngjarje që po ndodhin në Ukrainë, cilat janë shanset që Kosova të futet në NATO? 

Shqipe MjekiqiSadiku: Me situatën e krijuar në Ukrainë si pasojë e agresionit rus ndaj shtetit të pavarur e sovran të Ukrainës është krijuar një nevojë më urgjente për anëtarësimin e Kosovës dhe të vendeve tëtjera evropiane në NATO. Në fakt, anëtarësimin në NATO, nuk e shoh vetëm si aspiratë por, domosdoshmëri. Se sa ka gjasa që Kosova të bëhet pjesë e saj varet nga vullneti i anëtarëve të saj e që për Kosovën arritja e unanimitetit është më komplekse për shkak të mos-njohjes së pavarësisë së saj nga katër vende anëtare.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për dialogun Kosovë-Serbi, i cili tanimë duket se është ndërprerë, edhe për shkak të luftës në Ukrainë? A mund të kemi shanse më të mira, meqë Serbia është pozicionuar pro-Rusisë?  

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Dialogu Kosovë-Serbi është proces që ka filluar në vitin 2011, dhe i cili sipas nesh duhet të përfundojë me marrëveshje gjithëpërfshirëse që çon në njohjen e ndërsjellët, duke respektuar rregullin kushtetues të Kosovës dhe kufijtë aktualë. Presim dinamizim të këtij procesi në mënyrë që dialogu të vazhdojë dhe Kosova të ketë qasje konstruktive në të. 

“Bota sot”: Kroacia e ka propozuar Kosovën që të anëtarësohet në NATO. Nëse deri më tash dukej vetëm thjesht një debat, tashmë si duket kemi një proces të nisur. Si e vlerësoni këtë dhe si mund të rrjedhë procesi? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Jemi mirënjohës ndaj Kroacisë për propozimin e saj si dhe rolin e saj mbështetës karshi Kosovës gjatë gjithë kohës. Unë nuk jam në dijeni që ka diçka konkrete në këtë drejtim megjithatë, për shkak se procesi i integrimit nuk varet vetëm nga Kroacia por, nga të gjitha vendet anëtare – e si e thashë më lartë, disa prej tyre ende se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhet marrë mbështetjen edhe të vendeve tjera.

“Bota sot”: Flasim për LDK-në, në zgjedhjet lokale patët një përmirësim në zgjedhje, madje keni fituar më së shumti, me kalimin e kryetarit të Obiliqit në LDK, edhe në numër edhe në cilësi (Prishtina). Por, sondazhet për zgjedhje kombëtare, nuk po ju nxjerrin me po aq përmirësim, si në zgjedhje lokale. Cila është strategjia e juaj për ta bërë një ndryshim më të madh, të themi si në zgjedhje lokale? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: LDK-ja ka rritje edhe në nivelin lokal e edhe atë qendror. Rritja në nivel qendror dëshmohet me sondazhet e fundit. Nuk e di cilave sondazhe po i referoheni ju! E kemi thënë që qëllimi ynë primar është të rindërtojmë partinë në këtë fazë, të kalojmë në procesin e reformave të brendshme në nivel të degëve e nëndegëve, dhe t’i hyjmë procesit të zgjedhjeve nacionale të përgatitur mirë.

“Bota sot”: A mendoni se kryetari LumirAbdixhiku ka bërë ndryshim në parti, madje duke larguar disa nga emrat e vjetër të politikës?  

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Procesi i ndryshimeve ka filluar në momentin që në krye të partisë është vendosur lidershipi i ri. Por, kjo nuk mjafton. Duhet vazhduar me ndryshime dhe në nivelin lokal; një gjë të cilën po e bëjmë nëpërmjet zgjedhjeve të brendshme.

 “Bota sot”: Si po e vlerësoni në përgjithësi opozitën e LDK-së në Kuvend, a mund të bëjë më shumë si opozitë?  

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Qasja e LDK-së si opozitë është tejet dinamike dhe konstruktive. Ne kemi zgjedhur rrugët institucionale për të bërë opozitë. Të tjerët që e kritikojnë rolin e LDK-së si opozitë presin nga ajo të dalë jashtë karakterit dhe praktikave të saja në opozitarizëm.

“Bota sot”: Ju si LDK, si i shihni hapat e Qeverisë ndaj krizës, si duhet të përballet qeveria me rritjen e çmimeve, të cilat nëse vazhdon dhe ashpërsohet lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, do të kemi edhe më shumë rritje çmimesh?  

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Kemi propozuar disa masa në lidhje me tejkalimin e krizës. P.sh. sa i përket shtrenjtimit të çmimeve të energjisë elektrike: subvencionimin e çmimeve të energjisë elektrike linearisht për qytetarë dhe biznese, heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike deri në përfundim të krizës, themelimin e Fondit për konsumatorët në nevojë sipas ligjit për Energjinë, etj.

“Bota sot”: Pse LDK-ja kundërshton tërheqjen e mjeteve nga Trusti për qytetarët?  

Shqipe Mjekiqi Sadiku: LDK-ja në të kaluarën ka qenë ajo që ka propozuar dhe realizuar një gjë të tillë për t’i ndihmuar qytetarët të përballojnë sado pak krizën me pandeminë. Tani, i takon Qeverisë së Kosovës të definojë këtë çështje – e cila ka shumicën.

“Bota sot”: Sa duhet të jetë paga minimale në Kosovë, dhe pse LDK-ja e lejonte një pagë aq të ulët, që është ende? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Përcaktimi i pagës minimale bëhet me propozim të Këshillit Ekonomik Social ku janë të përfaqësuara të gjitha palët e interesit: shoqatat e biznesit, sindikatat, institucionet publike, etj. Ky propozim i nivelit të pagës minimale rrjedhë nga debati dhe konsensusi i të gjitha këtyre palëve. Është fatkeqësi që rishtazi debati në Këshill nuk ka prodhuar konsensus duke lënë në fuqi pagën aktuale minimale, e cila nuk reflekton inflacionin e lartë në ushqim, energji elektrike, karburante, etj. 

“Bota sot”: Ligji për pagat ende nuk ështëdërguar në Kuvend, si mendoni ju si parti se duhet të jenë koeficientët, përkatësisht pagat për mjek, inxhinierë… në administratë dhe për drejtuesit e shtetit. Dhe çfarë mendimi keni për pagat nëpër borde, p.sh. në Trust, diku duhet të jetë paga e drejtorit mbi 5 mijë euro? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Ligji për pagat, duhet të reflektojë nivelin e përgjegjësisë në detyrë, dhe të marrë për bazë kritere të qarta, të cilat e përcaktojnë nivelin e përgjegjësisë dhe/apo të tjera.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Dymbëdhjetë të vdekur në Mykolaiv

Story i radhës

Zbulohet lëvizja e radhës e PD, Alibeaj mbledh nesër grupin parlamentar

Të fundit nga

Zbardhen prapaskenat

Një lajm i bujshëm po qarkullon ditët e fundit në mediat italiane për një tjetër mbrojtës që Juventusi mund t’i rrëmbejë Milanit. Këtë herë bëhet fjalë për Fikajo Tomorin i cili mund
ShkoLartë