Analizë ndryshe nga deri më tash

April 28, 2022
min lexim

Ndryshimi i qendrës së gravitetit politik të Ballkanit Perëndimor nga Beogradi në Shkup e Prishtinë krijon një baraspeshë në rajon që siguron paqe të qëndrueshme dhe me këtë edhe zhvillim të gjithë rajonit, pra edhe Beogradit e Serbisë, përfshi zhvillimin më të rëndësishëm – ndalimin e ushqimit të politikave klerofashiste e shoviniste të Serbisë kundër fqinjëve dhe demokratizimin e saj, si premisa e parë për paqe të qëndrueshme e bashkëpunim afirmativ në rajon, respektivisht për zhvillim e përparim të Ballkanit.

SHBA-ja dhe NATO-ja, si asnjëherë deri më tash, që nga formimi i NATO-s e këndej, nuk kanë pas mundësi e hapësirë kaq të madhe për shkëputjen e Serbisë nga Rusia.

NATO-ja dhe BE-ja, si asnjëherë deri më tash, që nga rënia e Murit të Berlinit, shpërbëja e BRSS-së dhe shpërbërja e Jugosllavisë nuk kanë pas mundësi më të madhe që ta mbyll “vrimën e zezë” në integrimet euro-atlantike, duke e bërë Serbinë pjesë të këtyre integrimeve.

Serbia, asnjëherë deri më tash, që nga Konferenca e Rambujesë (shkurt-mars 1999) e këndej nuk ka pas hapësirë më të madhe politike për të kërkuar karrota nga SHBA-ja, NATO-ja e BE-ja apo Rusia e Kina në tjetrën anë.

Shqipëria, si asnjëherë deri më tash, që nga prishja me Jugosllavinë (1948) e këndej nuk i ka përkrahë planet e Serbisë, sikur i përkrahë tash.

Rusia, si asnjëherë deri më tash, që nga Lufta e II Botërore e këndej nuk i ka luftuar kështu haptas proceset e integrimeve euro-antlantike, sikur tash me agresionin ushtarak e luftën në Ukrainë e sulmet në Moldavi dhe ngritjen paraprake të bazave të veta në Bosnjë e Serbi.

Rusia, si asnjëherë deri më tash, që nga atentati në Sarajeve (28 Qershor 1914) nga “Dora e zezë” dhe Lufta e I Botërore nuk ka treguar më shumë shtrirjen e dorës së saj në Ballkan, se sa tash.

Serbia, qytetarët e saj si asnjëherë më parë deri më tash, që nga rënia e Murit të Berlinit (3 Tetor 1989) e shpërbërja e Jugosllavisë (1991-92) nuk kanë qenë kaq shumë kundër integrimit në BE.

Serbia, pra shteti serb asnjëherë deri më tash, që nga krijimi nuk ka pas lob më të fortë serb në SHBA se sa në këto katër vitet e fundit, e sidomos tash.

SHBA, si asnjëherë deri më tash, që nga Lufta e I Botërore (1918) e këndej nuk ka treguar më shumë mirëkuptim për kërkesat e planet e Serbisë, që nga kërkesa për dalje (korridor) në detin shqiptar në Durrës (në zotimet e vitit 2020) deri te plani për shtrirjen e “Botës serbe” në “Ballkanin e hapur”, që i shprehet tash edhe publikisht.

SHBA-ja e BE-ja, si asnjëherë deri më tash tregojnë mirëkuptim për kërkesat e Serbisë dhe kërkojnë formimin e “Asociacionit të Komunave Serbe” në Kosovë (deri me ndryshim të Kushtetutës, siç kërkon(te), M. Lajçak ndërmjetësuesi i Dialogut në Bruksel) dhe heshtin për zbrazjen e veriut të Kosovës nga shqiptarët, sikur edhe për spastrimin e heshtur etnik në Luginën e Preshevës.

SHBA-ja si asnjëherë deri më tash, që nga pas lufta në Kosovë nuk ka intensifikuar PJ-në dhe diplomacinë në përballje me Rusinë, kështu edhe për ta ndalur ndikimin e saj në Serbi, duke ushtruar presion më të madh mbi Serbinë, me oferta e kërkesa, për ta përmbyll procesin e Dialogut me Kosovën me një “marrëveshje për njohje reciproke”.

SHBA-ja, si asnjëherë deri më tash, që nga përfundimi i Bisedimeve të Vjenës (Mars 2007) dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës (17 Shkurt 2008) ka deklaruar se mbajtja e status quos – mosnjohjes mes Serbisë e Kosovës, shkon në favor të Kremlinit e Rusisë**.

SHBA-ja, si asnjëherë deri më tash, që nga Bisedimet e Vjenës e këndej, ka kërkuar nga Kosova që të jetë kreative* në politikbërje, sikur kërkon tash në secilin takim e porosi, me qëllim të përmbylljes së Dialogut me Serbinë me një “marrëveshje për njohje reciproke”.

Kosova, si asnjëherë deri më tash, që kur e zgjedh vet përfaqësimin politik, nuk ka qenë pa kërkesa e plan siç është paraqitur tash në takimet e bisedat me delegacionin amerikan, në Prishtinë.

Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Serbi, si asnjëherë më parë, që nga Lufta e I Ballkanike (tetor 1912) e këndej, janë të rrezikuar nga shërbimet e huaja, dezinformimi e tjetërsimi***, rrjedhimisht edhe si asnjëherë të ç’akorduar si tash.

*Në fillim të paraqitjes së idesë për “miniSchengen” të paraqitur nga Presidenti Fatmir Sejdiu gjatë vizitës së Presidentit Bamir Topi në Prishtinë (janar 2009), isha njëri prej përkrahësve aktiv në shumë takime e biseda me miq të Kosovës dhe shqiptarëve, respektivisht në biseda me përkrahës të lirive, paqes e drejtësisë sipas modelit “Schengen” edhe për Ballkanin. Kur kjo ide përparimtare për rajonin e bazuar në barazi, njohje reciproke e bashkëpunim rajonal afirmativ**** u tjetërsua dhe u përvetësua nga Serbia në bashkëpunim me Edvin Ramën dhe u shndërrua në një ide përçarëse e në favor të shovinizmit të Serbisë, disa nga këta miq më pyetën se: pse isha kaq kundërshtar i këtij plani “për integrim të rajonit ballkanik”, pasi që isha vet ai që e kisha përkrahur shumë më parë?

Këtyre miqve pos tjerash iu dhashë sqarime se (1) ka dallim esencial kur një plan e udhëheq Serbia e Beogradi me një plan kur udhëhiqet nga viktimat e politikave të Beogradit dhe se (2) ka dallim esencial në kuptimin e vlerave fundamentale kur është fjala për Beogradin dhe politikat që ushqehen aty, të cilat shkojnë deri në ekstremin, që lirinë e mësojnë si “liri” për t’i shtypur e vrarë të tjerët – fqinjët joserbë, të cilën “liri” e kanë zbatuar disa herë edhe në bazë të planeve gjenocidale të përpiluara nga shteti dhe “Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve”, duke kryer gjenocid disa herë mbi shqiptarët (e boshnjakët) gjatë më pak se një shekulli e gjysmë.

Pastaj iu tregova mosbesimin tim në shtetin e Serbisë, duke u shprehur se (2) këtë plan të mirë fillimisht me përvetësimin e tij nga Serbia e shoh si plan për rilindjen e Jugosllavisë, ku në vend të Sllovenisë e Kroacisë në kthetrat e Serbisë (si degë e politikave të Rusisë) do të përfshihet Shqipëria – kjo pasi që Serbia nuk di të funksionojë pa pas një objekt në kurriz të të cilit jeton dhe rritet dhe se (3) në secilën Jugosllavi, deri tash tri, nuk kishte drejtësi, por ato ishin varre masive për shqiptarët …

Në shprehjen e miqve se kësaj radhe është ndryshe dhe se Serbia me Vuçiqin do të arrijë ta ndryshojë këtë politikë, sepse sipas tyre “Vuçiqi ishte larguar nga Partia Radikale dhe kishte formuar një Parti Përparimtare”, përgjigja ime ishte se:

“Mendimin e shpresën e keni të pabazuar, jo vetëm pse Aleksander Vuçiqi ishte zëvendës i çetnikut Vojisllav Sheshel dhe “Gebbelsi” i Millosheviqit, “Kasapit të Ballkanit”, apo për shkak se ai politikat e Millosheviqit po i vazhdon dhe qëllimet e tija po i lavdëron – edhe publikisht, por shumë më shumë sepse ai për këto qëllime ka ndryshuar vetëm veshjen, nga uniforma e radikalit në sakon e “përparimtarit”.

Në vlerësimin e njërit mik se më “kupton për këtë mosbesim e vlerësim, nisur nga përvojat personale e kolektive që shqiptarët i kanë pas me Serbinë e Jugosllavinë, mirëpo historia ndryshon dhe evoluon”, duke u shprehur se mendon se “me zhvillim ekonomik Serbia do të demokratizohet”, përgjigja ime ishte:

“Që një shoqëri të demokratizohet, duhet të ketë një bazament për këtë, apo së paku një burim, në Serbi, jo vetëm politika, por as rrethet shkencore e kulturore, as Kisha ortodokse, as Arsimi e as Shoqëria civile nuk kanë premisa demokracie, përkundrazi bëjnë gara se kush e cili jep e bënë më shumë plane e veprime më nacionalsocialiste e klerofashiste për “popullin e zgjedhur” serb. Kështu që nuk ka bazë për një demokratizim të Serbisë, pa funksionimin e drejtësisë aty, sikur me procesin e Nünbergut …

Por, nëse ju mendoni se këndvështrimi im apo i shqiptarëve është subjektiv e i ndikuar nga historia e përgjakur nga krimet e Serbisë mbi shqiptarët, ju mund të bëni sprovë e vlerësim mbi këtë qëndrim.

PROVONI idenë e miniSchengenit me kriteret e Schengenit, ashtu që pos parimeve për barazi, njohje reciproke e vendime të bazuara në konsensus, propozoni që p.sh. sikur në Schengen e sipas këtij modeli qendra e gravitetit rajonal të politikës së miniSchengenit mos të jetë Beogradi, por le të bëhen Shkupi e Prishtina, pra ashtu sikur që në Schengen nuk është as Berlini as Parisi, por Brukseli e Strasburgu. ATËHERË do shihni se sa kohë do të qëndrojë Beogradi pas projektit të miniSchengenit!

Disa nga miqtë u shprehen optimist, mirëpo një nga ata u shpreh me pyetjen: pse Serbia do të duhej të lëshojë nga dora një përparësi që e ka në rajon?

„Njëjtë si Berlini pas Luftës së II Botërore“, iu përgjigja, duke shtuar „sepse vetëm kështu Serbia e kupton se ushqimi i politikave gjenocidale ndaj fqinjëve ka kosto, sepse kështu krijohet baraspeshë në rajon që siguron paqe të qëndrueshme dhe me këtë edhe zhvillim të gjithë rajonit, pra edhe Beogradit e Serbisë, përfshi zhvillimin më të rëndësishëm – denazifikimin e demokratizimin e saj.”

Duke e përfunduar me pyetjen: pse Kosova e vendet tjera do të duhet të përkrahnin një plan i cili ia shton peshën Beogradit- si qendër e politikave shoviniste e klerofashiste në rajon?

Kur në vend të kësaj, aq më tepër në partneritet me BE-në e NATO-n mund të ndërtohet një bazament i ri i vlerave e lirive sipas modelit të Schengenit me një trajektore Shkup-Prishtinë, të cilat do të lidheshin edhe me një autostradë dhe hekurudhë, që jo vetëm do të shkurtonte distancën, por edhe do ta bënte funksionale në promovimin e vlerave të demokracisë e lirive sipas modelit të boshtit Bruksel-Strasburg?

“Rajoni ka nevojë urgjente për një bashkëpunim rajonal në principe të barazisë dhe bashkëpunimit afirmativ, prandaj edhe e kam përkrahur në këto primesa e për këto qëllime”. – ishte fjalia me të cilën e përmbylla përgjigjen time.

Miku më tha: “Na befasove me këtë ide kreative, anise nuk befasohem më nga bisedat me ty”!

Kohë më vonë plani për “miniSchengenin” mori emrin “Open Balkan”, apo “Ballkani i hapur” për shtrirjen e “botës serbe”!

Idetë tjera kreative për çështjen e “Asociacionit të Komunave Serbe” në Kosovë, për çështjen e “korrigjimit të kufirit“, për çështjen e Luginës së Preshevës etj., apo një “Marshal plan” për Ballkanin (Perëndimor), nuk janë pjesë e këtij shkrimi këtu, me arsye, mirëpo lexues të kujdesshëm të postimeve të mia gjatë këtyre viteve, kanë mund t’i vërejnë disa elemente nga këto ide.

Përndryshe mungesa e ideve kreative dhe kërkesave flet për mungesë të planit të veprimit dhe përkufizimit të kornizës së tij!

** Për dëmin që vjen nga status quo shih postimin para një viti:

„Porosia miqësore e SHBAve e thënë dje dhe e ripostuar sot!“ www.facebook.com/niq.krasniqi/posts/10220391070917313

*** Për tjetërsimin e shqiptarëve, shkaqet e demët kolaterale shih shkrimin: “Humbja e leverdisë“ www.facebook.com/niq.krasniqi/posts/10220326230096333

**** Shih „Mini-Schengeni si union i vlerave demokratike kundër Serbisë armiqësore“ www.facebook.com/niq.krasniqi/posts/10220155179500175 dhe

„Politikë proaktive në praktikë koherente[1]“ www.facebook.com/niq.krasniqi/videos/10215309433799561

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Shefi i NATO-s: Finlanda dhe Suedia mund të anëtarësohen shumë shpejt

Story i radhës

Bizneset po adoptojnë Windows 11 me ritme të larta

Të fundit nga

​Zbulohet varianti i ri i Mpox në Belgjikë

Një variant i ri i lisë së majmunit Mpox u zbulua në një pacient në rajonin Wallonia të Belgjikës. Sipas Institutit Shëndetësor “Sciensano”, ky është rasti i parë i një varianti të
ShkoLartë