Mediet shkruajnë se “Një gjeneral amerikan ia shuan shpresat Serbisë për një sulm ushtarak kundër Kosovës”! Dhe me këtë deklaratë shumica prej nesh besojmë se “jemi nën mbrojtjen amerikane”! Është e mbrojtur Kosova se aty është NATO dhe është e mbrojtur Shqipëria e Maqedonia e Veriut, se ato janë në NATO! Sapo ministrja e Jashtme e Gjermanisë zhvilloi vizitën e saj në Kosovë shumë kush thoshte se “Jemi nën mbrojtjen e Gjermanisë”! Dikush tjetër beson se shqiptarët janë nën mbrojtjen e Britanisë së Madhe, të NATO-s e të strukturave të tjera ushtarake e politike të Perëndimit!
Gjithkush ka të drejtë të ëndërrojë e të jetojë nën mbrojtjen e zanave e të Mujit e Halilit! Ne shqiptarët, por edhe ballkanasit e kemi të lehtë ta bëjnë këtë. Baladat me heronj, me luftëra e përleshje kundër kuçedrave, Gjergj Elez Alisë a me kë tjetër, kanë ndikuar që të dukemi aq euforikë, sa të besojmë se dikush tjetër do të vijë në territorin tonë e do të vdesë për lirinë tonë. Kur na mbrojnë zanat, pse të mos na mbrojë Amerika?! Kur kishim në mes vendit Mujin e Halilin, pse të mos mbështetemi te Muji ev ropian dhe Halili amerikan?! Ëndërr e bukur kjo, apo jo?!
Ok! Këto përralla nga e kaluara mund të ndikojnë te mendjet e injorancës. Por mua më duket se ato janë bërë pronë edhe e politikës dhe sidomos e lidershipit shqiptar në qeverisje. Madje ato marrin një dimension më të gjerë kur politikanët shqiptarë marrin pushtetin. Në opozitë politikanët tanë janë gjithnjë “sovranistë” e me këmbë në tokë. Kur vijnë në qeveri bëhen vasalë, presin prej dikujt tjetër. Vasalë të imagjinatës sonë! Shtetarët tanë në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë kur vijnë në qeveri e dorëzojnë gjithçka te NATO, BE dhe aleatët. Sepse nuk kanë dëshirë të merren me punët e kombit e të shtetit! Janë të zënë me hallet e xhepit!
Ndërkohë e keqja lidhet me faktin se mbillet indiferentizmi. Vetë politika është e shkrehur dhe gjithçka e ka lëshuar në duart e NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve! Kryeministri i Shqipërisë ditë-natë përmend Aleancën Atlantike në rastin e sulmit rus kundër Ukrainës, duke u thënë shqiptarëve se “Ne jemi të mbrojtur nga NATO”! Edhe pse asokohe kur vendi u pranua në këtë aleancë, kryeministri i sotëm, atëherë në opozitë, thoshte se “Nuk na jep NATO mirëqenie e nuk na i zgjidh NATO problemet tona”, tani nuk bën asgjë për sigurinë, mbrojtjen, zhvillimin e mirëqenien e qytetarëve të tij.
Por a mund të vijnë ushtarët e NATO-s të luftojnë në Shqipëri, në Kosovë, pra në territoret tona dhe ne të rrimë në shtëpi, sikur s’ka ndodhur asgjë?! Si i kanë bërë llogaritë këta liderët tanë, të mos bëjnë asgjë për mbrojtjen dhe sigurinë, nën justifikimin se ne na mbrojnë të tjerët?! Cili prej shqiptarëve do të shkonte të luftonte e të vdiste për lirinë e integritetin territorial të një vendi tjetër, nëse populli e qeveria e atij vendi flenë dhe zgjohen nga gjumi sikur nuk ka ndodhur asgjë?! Kosova ka shtuar fondet për mbrojtjen dhe sigurinë e saj në atë masë sa shpenzon Shqipëria si vend anëtar i Aleancës Atlantike. Kosova ka hapur dhe një iniciativë për grumbullimin e fondeve të saj vullnetare për mbrojtje. Po Shqipëria?! “Na mbron NATO”, thotë Edi Rama dhe vetë ia fut një fluturim turistik deri në Dubai me paratë e taksapaguesve shqiptarë e me çarter në dispozicion! Asnjë fjalë nuk dëgjojmë nga ai, nëse duhet ose jo të rritet buxheti i mbrojtjes së vendit. Nëse ka nevojë ose jo të mobilizohen rezervistët! Nëse është e domosdoshme ose jo të blihen armë të reja moderne?! Jooooo! Qeveria shqiptare është aty thjesht për të menaxhuar ndihmat e kreditë marramendëse që merr prej të huajve. Ndërsa paratë e shqiptarëve t’i japë me PPP! Edhe Kosova ankohet gjithandej për sigurinë e saj dhe diversionin serb kundër saj. Dhe është mirë kjo. Por nuk e di pse nuk mendon për mobilizimin dhe stërvitjen e rezervistëve për t’u përgatit për luftë! Le të shpresojmë se kurrë nuk do na vijë lufta në derë të shtëpisë! Por ama nuk na lejohet të jemi në gjumë!
Nëse i pyet drejtuesit e qeverisë shqiptare, të thonë: “Nuk ka para”! Nuk ka para për mbrojtjen, nuk ka para për ndihmën sociale, nuk ka para për arsimin, nuk ka para për shëndetësinë, nuk ka para për subvencionimin e bujqësisë dhe lehtësimin e rritjes së çmimeve! Por ka para për luksin qeveritar. Ka para për oligarkët që marrin me 22 milion euro ndërtimin e një kilometri rrugë. Ka para për të paguar 30 këshilltarë për një kryetar bashkie. Ka para për paga 15 mijë eurosh në muaj për këshilltarët e kryeministrit! Ka para për 60 mijë të punësuar në fushatë elektorale në administratën e shtetit! Ka para për Bechehtin dhe sa e sa bechehtë të tjerë që fitojnë gjyqet për shkak të arrogancës së kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës! Ka para për Arben Ahmetajn e për firmat pranë qeverisë!
Nuk ka para vetëm për zhvillim e për mirëqenie! Shkurt, Shqipëria, e në një farë mase edhe Kosova, nuk kanë mundësi financiare për të kryer dy funksionet kryesore të shtetit, atë të sigurisë e mbrojtjes dhe atë të mirëqenies dhe zhvillimit!