Ambasadori Bosch flet haptas: Në Kosovë po luftohet korrupsioni / Armatosja e Serbisë është kërcënim për rajonin

April 29, 2022
min lexim

Janë të rralla momentet kur ambasadorët e vendeve shprehen në mënyrë direkte dhe të pa ndikuar nga agjenda diplomatike. Gjatë viteve në Kosovë kanë punuar ambasadorë të vendeve të ndryshme, shumë prej tyre nuk është se edhe kanë lënë gjurmë.

Por, ata të cilët kanë spikatur me qëndrime, kanë mbetur në mendjen dhe zemrën e qytetarëve të Kosovës. Robert Bosch, ishte ambasador i Holandës në shtetin tonë, gjatë periudhës 2010-2015.

Për shumëkë ai mbahet mend, si njëri prej ambasadorëve që ka qenë shumë i zëshëm ndaj veprimeve të Serbisë dhe të drejtës që e ka Kosova për anëtarësimin në organizatat e huaja.

Në një intervistë pak më ndryshe, për gazetën “Bota sot”, diplomati Bosch ka pranuar të përgjigjet në pyetje që kanë të bëjnë më qasjen e BE-së ndaj Kosovës, liberalizimin e vizave, qeverisjen dhe antiamerikanizmin e pretenduar nga disa të kryeministrit Kurti dhe raportet me Serbinë.

Ndonëse pjesa hyrëse e intervistës, nuk është se i ka pëlqyer shumë, ai ka pranuar të flas edhe për konfliktin në Ukrainë, duke thënë se ka kohë që është më i rezervuar në këtë temë sepse është diçka e re dhe e papritur për mënyrën se si kanë evoluar ngjarjet.

Por, shumë më i hapur ka qenë kur është diskutuar për lajmet e fundit që tregojnë se Serbia ka investuar në armatim, e që ky i fundit e quan alarmim për Evropën sepse Serbia nuk është duke u kërcënuar nga askush dhe se ky mund të quhet lirshëm një kërcënim për shtetet e Ballkanit.

Mes tjerash, ish-ambasadori Bosch, shprehet se vizita e Kurtit dhe Osmanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të shërbejë për forcimin e raporteve diplomatike dhe për ritheksimin e qasjes agresive të Serbisë në raport me Kosovën.

Lajm i mirë sipas tij është që më në fund në Kosovë po luftohet korrupsioni në nivele të larta, por që ka këshilluar Kurtin që të ketë shumë kujdes nga nepotizmi, si dukuri e pranishme edhe gjatë qeverisjes së tij.

Mesazhi i tij për qytetarët e Republikës së Kosovës është se duhet të qëndrojmë optimist, për shkak se vendi ka nevojë për të.

Për më tepër, lexojeni intervistën e realizuar me ish-ambasadorin e Holandës në Kosovë, Robert Bosch:

Bota sot: Si e shihni situatën aktuale në Ballkan? Duke pas parasysh se ndikimi i Rusisë është i madh dhe gjendja në Ballkan vazhdon të jetë fragjile?

Robert Bosch: Ju po e filloni me pyetjen më të vështirë. Për t’iu përgjigjur kësaj do të duheshin shumë faqe. Që nga 24 shkurti jam bërë më i kujdesshëm në gjykimet e mia për shkak se edhe për mua ka qenë e papritur. Askush në mendjen e tij të shëndoshë nuk mund ta kishte parashikuar se Rusia do të ndiqte një politikë të tillë vetëshkatërruese, ndaj duket se gjithçka është e paparashikueshme dhe e mundshme. Situata në Ballkan mbetet e tensionuar, sidomos në Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë.

Bota sot: Kur pritet që Kosova të ketë ndonjë lëvizje më konkrete për sa i përket liberalizimit të vizave?

Robert Bosch: Situata ka qenë pak më e ndërlikuar edhe për shkak se shumë shtete të Evropës kanë kaluar dhe po kalojnë nëpër procese zgjedhore. Por, tani që zgjedhjet franceze kanë përfunduar dhe holandezët janë gjithashtu më liberalë, mendoj se para fundit të këtij viti ajo duhet të ndodhë dhe se Kosova ta gëzojë një të drejt shumë elementare të lëvizjes së lirë.

Bota sot: Si ish ambasador, a mendoni se Kosova i plotëson kushtet për ta marr dritën e gjelbër nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave?

Robert Bosch: Unë pajtohem plotësisht me opinionin e Komisionit të BE-së në këtë çështje, Kosova i ka përmbushur kushtet prej shumë kohësh, më tepër sesa Ukraina dhe se tani çdo zvarritje e procesit nuk ka kuptim, e që mendoj se ai moment është në fazat finale.

Bota sot: Ju keni shërbyer në Kosove për disa vite – sa e dëmton Kosovën fakti që është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka të drejtën e lëvizjes lirshëm?

Robert Bosch: Ngecja në këtë proces e ka ndikimin më të madh në ekonominë e vendit. Mos liberalizimi e dëmton shumë zhvillimin e ekonomisë, pasi është shumë e vështirë të bësh biznes nëse nuk mund të udhëtosh, dëmton veçanërisht kompanitë e vogla.

Bota sot: Sipas lajmeve të fundit që kanë ardhur nga Serbia, kjo e fundit ka investuar në armatim. A përbën ky rrezik për sigurinë e Kosovës?

Robert Bosch: Lajmi për armatimin e Serbisë nuk është i mirë për askënd në rajon. Pasi Serbia nuk kërcënohet nga askush në rajon dhe se kjo duhet të jetë kërcënim për të tjerët.

Bota sot: Cili është komenti juaj për Listën Serbe që vepron në Kuvendin e Kosovës? Sipas raportit të fundit nga Freedom House, kjo parti politike orkestrohet direkt nga Beogradi!

Robert Bosch: Nëse Freedom House e sjell këtë si risi ata nuk jetojnë në botën reale. Që nga fillimi Lista Serbe e ka bërë të qartë se presidenti i tyre banon në Beograd, ata nuk e kanë fshehur kurrë këtë.

Bota sot: Nga ajo se si e shihni Kosovën, cili është mendimi juaj në lidhje me qeverisjen e re në Kosovë, të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti?

Robert Bosch: Është mirë që më në fund, siç duket, korrupsioni po trajtohet seriozisht, por qeveria duhet të ketë kujdes të mos fillojë me nepotizmin e vet.

Bota sot: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga partitë opozitare në Kosovë, shpeshherë është cilësuar si antievropian dhe antiamerikan. Për ju a është Kurti antievropian?

Robert Bosch: Nëse ka qenë dikur, si drejtues i një lëvizjeje, duket se të paktën tani, nuk është më. Mund të jetë edhe e mundur që miqtë e vërtetë po e kritikojnë ad hoc kryeministrin e Kosovës.

Bota sot: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Kurti tani ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizita institucionale. Çfarë mund të përfitoj Kosova nga këto takime të nivelit të lartë?

Robert Bosch: Të thellohet edhe më tej miqësia, por edhe të flasin hapur për problemet që shpesh shkaktohen nga politika destruktive e Serbisë, e cila në kundërshtim me marrëveshjen 15 pikëshe, po bën vazhdimisht gjithçka për të bllokuar integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

Bota sot: A mendoni se shtetet evropiane mund të bëjnë më shumë për Kosovën, sidomos në sferën e investimeve të huaja për të ndikuar direkt në ekonominë e vendit?

Robert Bosch: Mund të bëjnë gjithmonë më shumë, por kushtet duhet të jenë të përshtatshme, që do të thotë një sistem funksional i sundimit të ligjit.

Bota sot: Gjatë kohës sa keni punuar në Kosovë, cila ka qenë sfida më e rëndësishme që juve ju ka ngelur në mendje?

Robert Bosch: Si përfaqësues i vendit tim, më është dashur të shpreh qëndrimin zyrtar, megjithëse kjo nuk ka qenë gjithmonë pikëpamja ime, e vështirë, por kjo është pjesë e punës.

“Bota sot”: Për fund – cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës?

Robert Bosch: Jini pozitivë dhe optimist, vendi juaj ka nevojë për ju!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Këtë pranverë garderoba është plot me flutura

Story i radhës

​Britania: Putin shpall luftë të re botërore në 9 maj

Të fundit nga

ShkoLartë