Të premten mësimdhënësit pritën pagat, ndonëse ministri Murati kishte paralajmëruar të kundërtën. Ministri i Financave vendimin për mos ekzekutimin e pagave e kishte arsyetuar me faktin se s’mund të ndodhte ndryshe derisa mësimdhënësit nuk kanë ofruar shërbime, duke thënë se kjo nuk lejohet me ligj.
Përjashtim bëjnë, “Të gjithë punonjësit e sektorit publik që kanë punuar me orar të plotë”, duke përjashtuar grevistët. E në bazë të interpretimit të deritashëm që Murati ia ka bërë Ligjit për greva, punonjësve u ndalen mëditjet për kohën sa kanë qenë në grevë.
Për mosekzekutimin e pagave Qeveria bazohet në nenin 18 të Ligjit të Pagave, i cili parasheh se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë”.
Ndryshe e interpreton sindikata e arsimit duke thënë se ata kanë qenë në vendin e punës dhe kanë respektuar orarin e grevës sipas Ligjit mbi Grevat.
“Ligji mbi Grevat, neni 13 pika 1 dhe 2, e thotë qartë se në kohën e grevës mësimdhënësit nuk guxojnë as të pezullohen nga puna as të zëvendësohen në punë, por as të ndëshkohen materialisht, prandaj urojmë që sa më parë të lëshohen pagat”, thonë nga SBASHK-u.
Të dyja palët këmbëngulin në të drejtën e tyre, e vërteta është vetëm një. Interpretimet e ndryshme të neneve lënë hapësira edhe për keqpërdorim. Nëse Qeveria vërtet vendos që mos të ekzekutohen pagat as të hënën, siç po shpresojnë nga sindikata e arsimit, gjendja mund të agravohet fill pas vendimit për pezullim të grevës nga SBASHK-u.
Pastaj do të futemi në betejë ligjore, me gjendjen në terren të acaruar dhe palët që akuzojnë njëra tjetrën. Secila palë i mbron qëndrimet e saja, gjendjen në terren e paguajnë nxënësit. Të hënën do të kuptohet a kanë ndryshuar qëndrimet e Qeverisë për pagat ndaj grevistëve pas pezullimit të grevës apo jo.