Qindra fëmijë në Kumanovë presin radhë për në çerdhe, ndërsa pas çdo numri në listën e pritjes qëndron një familje që përballet me zgjedhje të vështirë: kush do të kujdeset për fëmijët? Mungesa e kapaciteteve parashkollore po krijon pasoja sociale dhe ekonomike për familjet, ndërsa premtimet për çerdhe të reja ende mbeten në letër, shkruan Portalb.mk.
341 fëmijë janë në listë të pritjes për t’u regjistruar në njërin nga 10 objektet e kopshtit “Angel Shajçe” – Kumanovë ku momentalisht janë të vendosur rreth 1.735 fëmijë. Por për shkak të mungesës së objekteve, shumë fëmijë mbeten jashtë çerdheve publike.
Një prind nga Kumanova, për Portalb.mk tha se në shumë raste, njëri prej prindërve detyrohet të largohet nga puna për t’u kujdesur për fëmijën, ndërsa të tjerë mbështeten te familjarët ose paguajnë kujdestarë privatë, duke rritur ndjeshëm shpenzimet mujore.
“Mungesa e kopshteve ndikon drejtpërdrejt edhe ekonominë familjare. Kisha bërë kërkesë që Komuna e Kumanovës, sa më shpjet të merr masa për të zgjeruar kapacitetet e çerdheve në Kumanovë”, u shpreh ai.
Një prind tjetër i dy fëmijëve tha se premtime për ndërtimin e çerdheve kanë marrë disa herë nga politikanët, por deri më tani nuk i kanë përmbushur premtimet e tyre.
“Çdo kush që vjen të na vizitojë, thotë fjalë të mëdha dhe premtime të llojllojshme. Ndërsa ndërtimin e kopshteve për fëmijë secili e ka në maje të gjuhës, por jo edhe realizimin. Derisa ata vazhdojnë të premtojnë, ne si prind detyrohemi të gjejmë zgjidhje tjera për fëmijët tanë”, theksoi ai.
Një nga lagjet ku mungon ende një çerdhe e premtuar është Bajram Shabani, ku kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka paralajmëruar disa herë ndërtimin e një objekti të ri, por punimet në terren nuk kanë filluar ende.
Nga Komuna e Kumanovës, për Portalb.mk, thonë se për kopshtin në lagjen Bajram Shabani tashmë është miratuar projekti arkitektoniko-urbanistik.
“Hapi i radhës për realizimin e projektit është përgatitja e projektit bazë, i cili do të hartohet në përputhje me projektin arkitektoniko-urbanistik të miratuar”, thanë nga komuna.
Por nga Komuna e Kumanovës nuk dhanë një afat konkret për kryerjen e punimeve.
Nevojë për kapacitete të reja parashkollore ka edhe në lagjen Tode Mendol, e njohur si Lagja e Trimave, e banuar kryesisht nga popullata shqiptare.
Ky problem nuk është i pranishëm vetëm në Kumanovë, por përbën sfidë për shumicën e qyteteve në Maqedoninë e Veriut. Në çerdhet e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut nuk ka vend për rreth 4.800 fëmijë.
Përderisa mesatarja e fëmijëve të regjistruar në çerdhen e fëmijëve nga mosha trevjeçare deri në moshën kur fillon arsimi i detyrueshëm në BE është 92,2 përqind, në Maqedoninë e Veriut kjo përqindje është vetëm 39,8 përqind.
Burimi: lajmpress.org



