Kampionët nuk vdesin kurrë! Kampionët gjithmonë janë në mes nesh! Legjenda e boksit të Kosovës, Xhevdet Peci, po rikthehet në tokën e dashur të Republikës së Kosovës.
Ai shkoi qe disa muaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte me gruan dhe djalin e tij! Nuk shkoi nga qejfi por nga dëshpërimi.
Me 90 euro pension nuk jetohet dhe mori një rrugë për në Amerikën e largët.
Xhevdet Peci po kthehet në tokën e dashur të Kosovës.
Po kthehet në Kosovën e dashur! Po kthehet në fshatin e lindjes Zhazhë, aty ku e kaloi fëmijëri e bukur!
Po kthehet në shtetin e vet.
Kampioni po kthehet aty ku u rrit me fitore, suksese e tituj.
Xhevdet Peci po kthehet të populli i tij, populli shqiptar që jetoj e u gëzua me sukseset e tija.
Xhevet Peci ka marrë rrugën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Kosovë, jo si zakonisht, kësaj radhe po kthehet më ndryshe! Kësaj radhe po kthehet në arkivol.
Kësaj radhe po kthehet në arkivol!
Në fundviitin e vitit 2021, me 26 dhjetor, tek “Tre Sheshirat”, gjatë takimit, kampioni mu drejtua: “Po shkoj nga 15 janari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çfarë më bë këtu me 90 euro”. Gjatë ndejës më shumë se një orë, më tregoi shumë gjëra, me tregoi edhe prapaskenat e tij të karrierës, me tregoi për fitore, me tregoi sfidat, me tregoi edhe për shumë rrezikshmëri që kaluan si klub i boksit Prishtina në shtetin që nuk ekziston më, Jugosllavia. “I vetmi je që nuk po e harron gjeneratën e artë”.
“Po shkojë në Amerikë, kthehem prapë. Kthehem”! Kampioni e mbajti fjalën, po rikthehet në tokën e dashur.
Aty ku kaloi rininë e tij e deri në pensionim. Kampion po vjen në tokën e vet, në shtetin e vet, në atdheun e vet.
Kampioni apo babai i boksit, pesë tituj me Prishtinën në ish Jugosllavi, “dora e hekurt”, që hodhi shumë kundërshtarë në nokaut! I papërsëritshmi nesër do të vendoset në shtëpinë e re të përjetshme, në fshatin e bukur të lindjes Zhazhë të Mitrovicës!