Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u drejtoi urime pjesëtarëve të komunitetit boshnjak në vend me rastin e 28 Shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve.
“Të nderuar qytetarë, pjesëtarë të bashkësisë boshnjake në Republikën e Maqedonisë së Veriut, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, t’ju drejtoj urime të sinqerta me rastin e 28 Shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, me dëshirë që ditën festive ta kaloni me shëndet të mirë dhe disponim, në mirëqenie familjare dhe përparim të më të dashurve tuaj”, qëndron në urim.
Sipas Xhaferit, kjo është me siguri periudha më turbulente e historisë më të re botërore dhe me siguri rrjedha dhe zhvillimi i ngjarjeve do të lë pasoja globale në paqen dhe demokracinë botërore
“Kanosjet ndaj shëndetit dhe ekonomisë gjithsesi i ndjemë, mirëpo sfidat me siguri nuk përfundojnë këtu. Në dukje është faza e testimit të sërishëm të unitetit tonë, gatishmërisë dhe përvojës sonë si shtet, si institucione dhe si qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në tejkalimin e vështirësive dhe gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjithë. Prandaj, me mirëkuptim të plotë dhe respekt ndaj dallimeve si gjuha, kultura, folklori dhe tradita e çdo bashkësie etnike e cila është pjesë e pandashme e thelbit të shtetit tonë të përbashkët, të bëhemi shembull për atë se si ndërtohet shoqëria multietnike, multitkulturore dhe multikonfesionale, shtëpi e përbashkët për të gjithë. Vetëm kështu do e realizojmë qëllimin tonë të përbashkët të kemi ardhmëri të sigurt për gjeneratat tona të ardhshme”, potencon Xhaferi në urim.