“Xhafer Deva nuk ishte tradhtar” – thoshte babai

February 10, 2022
min lexim

Këto ditë, kur është bërë temë diskutimi rinovimi ose jo i pallatit të Xhafer Devës në Mitrovicë, m’u kujtua një rrëfim i babait tim, në fillimvitet e ‘60-ta, se Deva nuk ishte tradhtar, por një patriot i madh që nuk duhet lënë në harresë.

Gjatë LDB-së, babai ishte zënë rob lufte nga gjermanët, diku në Srem (Banat) të Vojvodinës, Republika e Serbisë.

Për 4 vjet kishte qëndruar në Gjermani, si rob lufte – punëtor krahu, duke punuar aty ku e kërkonte nevoja – thoshte ai.

Me te ishte edhe një dajkocas (Malush Krasniqi), një hodonocas (Rizah Morina) dhe një rom, Azem Kallaba, bashkëvendës yni.

“Jeta ishte e rëndë, me vuajte e mërzi, si e robit ma. 4 vjet pa e pa familjen e vendlindjen, farefisin e miqtë. Edhe frika se sot je e nesër jo, e bonte të veten. Gjermanët ishin popull i veçantë. Ma shumë e donin punën se jetën. Po ishin edhe mjaft alergjikë, në veçanti ndaj hebrenjve e romëve. E di kur njëherë e morën Azemin në pyetje, bashkëvendësin tim. Deshten ta dënojnë dhe ekzekutojnë. Më pyetën se ç ‘përkatësie etnike asht Azemi? Meqenëse Azemi, për fat të mirë, ishte gati i njëjtë me shqiptarët, edhe për nga gjuha, edhe për nga ngjyra, u thash me shumë bindje se asht shqiptar dhe e liruan, për të cilën bamirësi Azemi për jetë e mot m’ishte mirënjohës” – rrëfente babai, në të gjallë të tij dhe vazhdoi rrëfimin, herë –herë duke e vënë gishtin tregues në tamth, jo se nuk i kujtoheshin ato mynxyra jete, porse më dukej se donte të përzgjidhte diçka më të lehtë, për të mos na trishtuar e përmalluar edhe neve: “…Jeta kalonte ashtu si kalonte, me shpresa të thyer, se nuk do të kthehemi ma kurrë në atdheun tonë, në familjet tona, pranë fëmijëve tonë – thoshte babai, derisa një ditë, mbas aq kohësh, me përfundimin e LDB-së, para nesh u paraqit Xhafer Deva, një ballist i përbetuar, aleat me gjermanët. Ishim mbledh shumë vet’, shumë rob lufte me dëgju Xhaferin se ç’ogur do të jepte. Ai, mbas një përshëndetjeje vëllazërore na u drejtua neve, që ishim bo sy e vesh. Me një za ushtaraku, të thekshëm e bindës bërtiti: -“ Vëllezër shqiptarë, lufta mbaroi. Na me pushtetin gjerman kemi arrit një marrëveshje. Të gjithë ju, do të liroheni të shkoni në shtëpitë e juaja. Keni lënë prind, familje, gra, fëmijë, motra e vëllezër. Duhet t’i gëzoni ata, duhet t’ju bashkohuni atyre. Guri peshon ma shumë në vend t’vet. Ju do t’jeni ma të mirë, ma t’dashtun, ma t’nevojshëm në vendet e juve… Do të vijnë ditë ma të mira… Dhe, të gjithë ata që dëshirun, ani se kishte edhe ndonjë që nuk deshti të kthehet, e lamë Gjermaninë, ju kthyem familjeve të tona” – rrëfente babai – Ismaili (Malushi), herë-herë me lot në sy duke kthyer kokën anash që t’i fshinte lotët kur bisedonte me ne.

Nuk la pa na recituar edhe disa vargje të këngës (ato pak vargje që sot unë i mbaj në mend), kushtuar Xhafer Devës, të cilin komunistët e quanin edhe tradhtar, me bekimin e Partisë Komuniste:

“Xhafer Devë tradhtari

Që s’i vdes shqiptari,

shokëve ju baj t’fala –

Mos t’më kajnë me lotë…”

Nga ajo që dihet për këtë personalitet, edhe nga kujtimet e historia, kujtojmë se nisma e ministrit të Ministrisë së Kulturës të Kosovës, zotit Hajrulla Çeku, për rinovimin e pallatit të Xhafer Devës, është ajo që më së paku sot mund të bëjë Kosova e shqiptaria për këtë patriot. Me figurën e Devës, në vend se të turpërohemi, duhet të krenohemi gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Është maksimë e jetës se historia vonon, por nuk harron. Ashtu qoftë edhe për Xhafer Devēn dhe shumë Xhafera tē tjerë! O sot, o kurrë!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Nesër pa energji elektrike disa komuna të Shkupit

Story i radhës

Shenjat e horoskopit që do të kalojnë një “Shën Valentin” të paharrueshëm

Të fundit nga

ShkoLartë