VV-ja do ta rrëzojë së shpejti Qeverinë, nga frika e vendimeve të mëdha

January 24, 2022
min lexim

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës Blerim Grainca, thotë se kjo parti duhet të mësojë nga gabimet e saja në të kaluarën, në mënyrë që e unifikuar dhe me frymën rugoviane, të gërshetuar me reforma, të rikthehet si fituese në Qeveri.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish-deputeti thekson se kryetari i ri i LDK-së Lumir Abdixhiku, duhet ta bëjë të kundërtën e asaj që e ka bërë ish-nënkryetari Agim Veliu, të cilin bashkë me presidenten Vjosa Osmani, i ka akuzuar për ndarjen e partisë.

Duke folur për sfidat aktuale në vend, Grainca ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk ka vullnet dhe kapacitete për t’u ballafaquar me to.

Ai beson se Lëvizja Vetëvendosje do ta rrëzojë së shpejti Qeverinë, duke mos guxuar të marrë obligime dhe vendime që priten nga ajo.

Ndërsa, lidhur me krizën energjetike, ish-deputeti ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Energjinë dhe Ligjit për Investime Strategjike, që sipas tij, janë pengesë e investimeve në këtë sektor. Ai thekson po ashtu se rritja ekonomike prej 10%, e parashikuar nga Qeveria Kurti, nuk është si rezultat i punëve të kësaj Qeverie, por si rezultat i reformave të bëra ndër vite.

Image

Blerim Grainca

Në këtë intervistë, anëtari i LDK-së flet edhe për planet e LDK-së për zgjedhjet e ardhshme dhe për “vijat e kuqe” për koalicione me partitë e tjera.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Grainca, si e vlerësoni punën e deritanishme të Qeverisë Kurti II, a ka arritur t’i përmbushë ajo pritjet e qytetarëve?

Blerim Grainca: Qeveria Kurti është shembulli më i keq i qeverisjes, e ardhur në pushtet përmes premtimeve folkloriste dhe kartës së pseudonacionalizmit. Ato premtime boshe patën sukses, falë gjendjes socio-ekonomike në të cilën gjendet Kosova. Kjo gjendje u krijua nga shumë faktorë, por edhe nga vet gabimet e LDK-së dhe politikave kadrovike joparimore të lidershipit të saj në të kaluarën. Dhe dështimet e disa ministrave dhe kryetarëve të komunave për të përmbushur objektivat programore të LDK-së, dhe vendosja e tyre në shërbim të interesave jashtë LDK-së dhe jashtë qeverisë.

“Bota sot”: Vendi po përballet me kriza si koronavirusi, rritja e çmimeve të produkteve dhe të energjisë elektrike. Si po menaxhohet kjo gjendje nga institucionet, sipas jush?

Blerim Grainca: Koronavirusi është një pandemi globale, të cilën ne nuk e ndalim dot, por mund të minimozojmë pasojat tek ne. Fatkeqësisht, kemi një menaxhim jo profesional dhe me masa jo adekuate e shpesh edhe të vonuara. Këto masa po bëhen për të marrë mbledhje monetare e votë popullore, por jo edhe për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Thjesht, kjo Qeveri nuk ka as dije e as kapacitetet për të menaxhuar një pandemi të tillë.

Ndërsa, tek energjia, kemi probleme që lidhen me keqmenaxhimin, interesat e kompanive tregtare të energjisë dhe lobimet e prodhuesve rajonalë, korrupsionin etj. Kjo Qeveri, përveç ankesave për të kaluarën dhe miratimin e rritjes së çmimeve, nuk po jep asnjë alternativë. Një Qeveri e majtë që synon kontrollimin sa më të madh të ekonomisë, nuk ka si ta zgjidhë një problem të tillë. Urgjentisht duhet të ndryshojë Ligji për Energjinë dhe Ligji për Investime Strategjike, që për mendimin tim, janë pengesë e investimeve në këtë sektor. Ne duhet të orientohemi nga investimet me energji solare dhe ato me erë, për të zbutur krizën.

Pa dyshim, edhe gazifikimi do të ulë shpenzimet e energjisë. Kur para disa vitesh, kisha propozuar hartimin e fizibilitetit dhe projektit për t’u lidhur me gazsjellësin e TAP-it në Shqipëri, edhe vetë disa kolegë deputetë e sidomos disa ministra të LDK-së, nuk e patën marrë seriozisht.

“Bota sot”: Partitë opozitare kanë paralajmëruar protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë. Mendoni se do të kenë efekt ato?

Blerim Grainca: Po, protestat janë legjitime dhe duhet të organizohen patjetër, sepse janë 1000 arsye për të protestuar kundër Qeverisë. Por, protestat duhet të organizohen dhe menaxhohen mirë dhe të jenë paqësore. Nuk kam parë një vullnet të LDK-së për një protestë të tillë.

“Bota sot”: Opozita ka rritur presionin ndaj Qeverisë, duke paralajmëruar zgjedhje të reja në pranverë. Zgjedhjet e reja nuk po i përjashton as kryeparlamentari Glauk Konjufca, sa janë gjasat që të rrëzohet Qeveria në prill?

Blerim Grainca: Kjo është një qeveri, e cila i ka numrat, por jo edhe vullnetin dhe kapacitetet për t’u ballafaquar me sfidat si reformat, investimet, bisedimet me Serbinë dhe integrimet/vizat.

Unë besoj se nëse jo në prill, atëherë shumë shpejt VV-ja do ta rrëzojë Qeverinë, duke mos guxuar të marrë obligime dhe vendime që priten nga ajo. Opozita vetëm me një mobilizim të madh dhe me protesta gjthëpopullore, mund ta detyrojë Qeverinë të dorëhiqet e të shkojmë në zgjedhje.

“Bota sot”: Cilat ishin arsyet që e rikthyen LDK-në si parti e parë në zgjedhjet lokale, të tetorit, pas debaklit të pësuar në zgjedhjet nacionale të shkurtit 2020?

Blerim Grainca: Arsyet ishin akuzat që i bëheshin LDK-së se ishte një parti e mbyllur dhe me individë të pamerituar e me të dyshuar për korrupsion, shkëputja nga anëtarësia, anashkalimi i strukturave dhe anëtarësisë etj.

Procesi i brendshëm zgjedhor dhe ndryshimi i lidershipit e bashkë me këtë edhe kandidati i qëlluar në Prishtinë, e sollën këtë rritje dhe ndryshim. Padyshim edhe sjellja arrogante e qeverisë Kurti, mjaftoi që votuesit të ktheheshin te LDK-ja. Por, kjo nuk është e mjaftueshme. LDK-ja duhet të vazhdojë me punë të mira dhe ne nuk duhet të mjaftohemi me një “fitore të Pirros”.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e deritanishme të kryetarit të ri të LDK-së Lumir Abdixhikut?

Blerim Grainca: Kryetari Abdixhiku, si një prurje e re në LDK, pastaj si ministër e si deputet i ofroi LDK-së një alternativë dhe një proces zgjedhor demokratik në Kuvendin Qendror, ku arriti të fitonte. Dhe tash me z.Lutfi Haziri, si nënkryetar, janë një ekip i mirë.

Por, rrethanat kur është zgjedhur kryetar kanë bërë që pritjet ndaj tij të jenë të mëdha.

Deri tani duket se po jep maksimumin për të realizuar objektivat. Por, ne duhet të bëjmë kujdes që t’i mbesim besnikë programit dhe filozofisë rugoviane, të gërshetuar me reformat që i kërkon LDK-ja dhe shoqëria në Kosovë. Besoj se një menaxher i mirë, do të arrijë të menaxhojë me situatën brenda LDK-së, që ta unifikojë dhe ta rikthejë si fituese në qeveri.

“Bota sot”: Çfarë mendoni për akuzat e ish-nënkryetarit të LDK-së Agim Veliu ndaj kryetarit Abdixhiku?

Blerim Grainca: Agim Veliu është në LDK që nga ditët e para dhe deri në momentin e zgjedhjes së tij si ministër i Arsimit meriton gjithë respektin.
Fatkeqësisht, më vonë e sidomos në zgjedhjet e fundit partiake, z.Veliu akuzohet se u involvua në angazhime të dyshimta jashtë statutit të LDK-së për të siguruar mbështetjen e delegatëve për të si kryetar dege. Ai falsifikoi vendime e procese zgjedhore në disa degë të LDK-së, si psh. në Ferizaj dhe Mitrovicë. Fatkeqësisht, ndikime të tilla nga Kryesia qendrore janë prezente që nga koha kur Presidenti Rugova u sëmurë dhe nuk e kontrollonte situatën, pastaj në kohën e Fatmir Sejdiut, por edhe te Kryesia e Isa Mustafës.

Ne duhet të mësojmë nga gabimet e secilit në të kaluarën. Sa më lartë në hierarkinë partiake, gabimet kanë pasoja më të mëdha. Prandaj, duhet të ketë përgjegjësi. Mos të harrojmë se Agimi dhe Vjosa me teket dhe veprimet e tyre, janë fajtorët kryesorë për ndarjen e LDK-së.

Prandaj, Abdixhiku, vetëm duhet të bëjë të kundërtën e asaj që ka bërë Veliu, pra të respektojë votën si mekanizëm nëse dëshiron të ketë suksese. LDK-ja ka nevojë për unifikim e bashkim të forcave progresive që besojnë te filozofia rugoviane dhe udhëhiqen nga parimet e ekonomisë së tregut.

“Bota sot”: Në rast se mbahen zgjedhjet e reja, a duhet të garojë LDK-ja e vetme apo në koalicion me ndonjë parti?

Blerim Grainca: Padyshim se LDK-ja duhet të kandidojë e vetme dhe të dëshmojë potencialin e saj kadrovik e programor.

Koalicionet e tilla kanë dëshmuar se vetëm të tjerët përfitojnë, e rast më i mirë se si u dëmtua LDK-ja ishte ai me Alternativën e Mimoza Kusarit, e cila siç e dimë, koalicionet i bën në bazë të interesave e jo parimeve.

“Bota sot”: A duhet të ketë LDK-ja vija të kuqe për parti tjera, apo koalicionet e zgjedhjeve të fundit lokale dëshmojnë se nuk ekzistojnë më ato vija?

Blerim Grainca: LDK-ja duhet të fokusohet te potenciali i saj i brendshëm dhe nuk duhet të preokupohet me koalicione. Ne duhet të synojmë të jemi të parët. Zgjedhjet e fundit lokale treguan se secili me secilin bën koalicione. Mendoj se duhet të jenë koalicione parimore e programore e jo momentale e klanore.

“Bota sot”: Ju si ekonomist, si e shihni menaxhimin e kësaj fushe nga qeveria aktuale, që sipas disa parashikimeve do të ketë rritje në rreth 10%, me përjashtim të FMN-së (7.5%)?

Blerim Grainca: E para, kjo rritje nuk është si rezultat i punëve të kësaj Qeverie, por si rezultat i reformave të bëra ndër vite. Reformat ekonomike prodhojnë shpesh efekte në vitet në vazhdim.

“Bota sot”: Nga erdhi kjo rritje, nga luftimi i informalitetit, nga të hyrat nga diaspora, nga rënia e % që merrnin pushtetarët në tenderë apo si?

Blerim Grainca: Shpesh rritjet janë artificiale, por kryesisht vijnë nga remitencat dhe blerjet që bën diaspora. Gjithsesi nëse do të kemi rritje, kjo është e mirëpritur, sepse ndikon në rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë. Mungesa e investimeve direkte, projekteve kapitale, por edhe pandemia bashkë me dështimet e qeverisë, nuk na bëjnë optimistë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Qeveria i dhuroi Zaevit një super makinë të re (FOTO)

Story i radhës

Pas SHBA-ve, edhe Britania e Madhe tërheq një pjesë të stafit të ambasadës nga Ukraina

Të fundit nga

Vit i ri, sulm i ri

Një qëllim për vitin e ri? E po, të ndryshojë. Sulmi i Milanit, mes Krishtlindjeve dhe Epifanisë, rrezikon një ristrukturim të rëndësishëm. Në ndeshjen e fundit të vitit, kundër Romës, Fonseca mund
ShkoLartë