Vuçiq me Putin e ndërkohë Edi me Aleksandrin!

March 7, 2022
min lexim

Lufta në Ukrainë, për shkak të sulmit rus kundër saj, ka shkaktuar edhe disa efekte pozitive. Kryesorja është se ajo bashkoi Evropën. I dha asaj një dimension të ri. Me këtë luftë Vladimir Putin humbi gjithë investimin e këtyre 20 viteve të fundit që ta përçajë faktorin evropian dhe ta shpërbëjë Bashkimin Evropian. Ai i çoi për skrap të gjitha financimet që ua bëri fraksioneve ekstreme të djathta e të majta në Evropë, me qëllim që të fuqizojë ndikimin e tij e madje hegjemoninë ruse në Evropë.

Më 24 shkurt Evropa dhe bota ndryshoi. Të djathtë e të majtë, të qendrës e të ekstremit, u bënë bashkë për të kundërshtuar atë që nuk e kishin parashikuar: – Sulmin rus kundër një vendi evropian sovran. Ishte e mjaftueshme kjo luftë që miqtë e Vladimir Putin të ktheheshin në armiq të tij. Që NATO të rikthejë fuqinë dhe lavdinë e dikurshme, edhe pse nuk dërgoi trupa në Ukrainë. Por solidariteti evropian dhe ai euro-atlantik është më i lartë se kurrë në histori.

E gjitha ndodhi brenda 24 orëve. Ndodhi, sepse rreziku trokiti në derën e Evropës. Ndaj u zhdukën dallimet midis shteteve, midis fraksioneve politike, midis politikanëve dhe në mes vendeve me kultura diverse. Vetëm Serbia i qëndroi besnik traditës. Nuk e ndryshoi qasjen e saj ndaj aleatit tradicional, Rusisë. Në Serbi dhe kudo ku ka serbë shprehet mbështetje institucionale dhe vokacionale për Rusinë dhe Vladimir Putin. Diktatori rus shpalli sot listën e vendeve armiqësore. Në këtë listë janë shënuar Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali I Zi. Por nuk është shënuar Serbia. As Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova. Kosova nuk është shënuar, sepse Kremlini e konsideron atë pjesë të Serbisë. Bosnjë-Hercegovina nuk është shënuar, sepse institucionet e saj nuk funksionojnë dhe vendimmarrja kundër Rusisë e aktit brutal të saj të luftës në Ukrainë nuk vjen për shkak të vetos së Republikës Srpska.

Jo vetëm Serbia, por edhe aleati i saj, Dodik, janë garant të mbështetjes së veprimeve ruse në Ukrainë. Një vend, një aleat i serbëve, pra Rusia e Vladimir Putin shkel të drejtën ndërkombëtare dhe i imponohet me dhunë ushtarake një vendi sovran, ndërkohë Beogradi dhe Banja Luka e mbështesin atë. E mbështetën dhe disa serbë të Veriut të Kosovës. Pati tentativa që gjithashtu serbët e Malit të Zi të shprehin mbështetjen e tyre për Vladimir Putin, përmes një proteste simbolike. Kjo është tragjedia e Evropës dhe rajonit tonë. I vetmi komb në Evropë në mbështetje të agresorit rus në Ukrainë është Serbia, krahas Bjellorusisë.

Ndërkaq kësaj tragjedie i shtohet qëndrimi pro-Vuçiq i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës. Në vend që të dënojë qëndrimin e Serbisë, ai e radhit Beogradin në anën e Perëndimit. Madje shkruan se vota e Serbisë pro-rezolutës në OKB dëshmon se vendet e Ballkanit Perëndimor radhiten krah Evropës dhe NATO-s. E më pas shprehet se atij i mjafton ky fakt për ta çuar përpara iniciativën e Open Balkan, ose atij minishengenit të famshëm të themeluar në Novi Sad e në Beograd. Megjithëse serbët dhe bjellorusët janë të vetmit jashtë listës së armiqësisë së Moskës, Edi Rama vazhdon t’i konsiderojë ata si pro-perëndimorë?!

Aleksandër Vuçiq e ka ndarë mendjen: Ai mbështet Rusinë agresore të Vladimir Putin. Nuk ka ndërmend të vendosë sanksione kundër tij, sepse ky akt do ta shndërronte Serbinë automatikisht në një vend armik të Rusisë. Nuk ka ndërmend që ta dënojë aktin e pushtimit rus në Ukrainë, sepse e krahason këtë akt dhe bën analogji me bombardimet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. Presidenti i Serbisë nuk ka ndërmend të largojë bazën ruse në Nish. As të distancohet nga politika e Kremlinit në kontinentin evropian. Ndërsa Edi Rama luan me zjarrin. Një dorë e mban në Perëndim dhe një dorë tjetër në supet e Aleksandër Vuçiq. Retorikën pro-euro-atlantike e përdor për të fshehur mbështetjen që i jep presidentit të Republikës së Serbisë.

Në fakt kryeministri i Shqipërisë ka detyrime ndaj presidentit të Serbisë. Para një viti Aleksandër Vuçiq e ndihmoi Edi Ramën për fitoren e tij në zgjedhjet e 25 prillit. Tani, gjithashtu në prill, Serbia zhvillon zgjedhjet parlamentare e presidenciale. Rama po ia kthen borxhin. Dëshiron ta ndihmojë mikun e tij që të vazhdojë të qeverisë si autokrat i llojit Putin në Serbi. Njëra dorë lan tjetrën. Dora e Vuçiq lau dorën e Edi Ramës para një viti dhe tani dora e këtij të fundit lan të dy duart e presidentit të Serbisë.

Por kjo sjellje kushton, ka kosto. Kostoja është përçarja e faktorit shqiptar. Të gjithë e dimë se Serbia, presidenti e qeveria e saj nuk mund të bëhen miqtë e shqiptarëve, aq më pak të Kosovës. Kjo është përçarja më e madhe që na ndodhë në këto 9 vite të qeverisjes së aleatit të Serbisë në Tiranë. Kjo është edhe kostoja që po paguajnë shqiptarët, sidomos ata të Kosovës.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ambasadorja e Britanisë së Madhe largohet nga Ukraina

Story i radhës

Ganiu: Arsimi,vlera e vërtetë dhe unike e një kombi

Të fundit nga

ShkoLartë