VOA: Shtetet e Bashkuara urdhërojnë largimin e familjarëve të personelit të ambasadës nga Ukraina

min lexim

Departamenti amerikan i Shtetit urdhëroi të dielën largimin e pjesëtarëve të familjeve të personelit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kiev dhe autorizoi largimin vullnetar të punonjësve amerikanë, për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga veprimet ushtarake ruse kundër Ukrainës.

Departamenti i Shtetit gjithashtu po u kërkon qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të shqyrtojnë largimin nga vendi, qoftë duke përdorur udhëtimet komerciale apo mundësitë tjera private.

Departamenti i Shtetit ripublikoi paralajmërimin e nivelit të 4-të për udhëtimet në Ukrainë, në të cilin thuhet; “mos udhëtoni në Ukrainë për shkak të kërcënimeve të shtuara nga veprimet ushtarake ruse dhe COVID-19-tës”. Më parë, paralajmërimi i udhëtimit kishte qenë gjithashtu në nivelin e 4-të, për shkak të situatës me COVID-19.

Departamenti i Shtetit ripublikoi gjithashtu një paralajmërim të dielën mbrëma në lidhje me udhëtimet në Rusi; “mos udhëtoni në Rusi për shkak të tensionit të vazhdueshëm përgjatë kufirit me Ukrainën, mundësive për keqtrajtim ndaj qytetarëve amerikanë, aftësisë së kufizuar të ambasadës për të ndihmuar qytetarët amerikanë në Rusi, COVID-19-tës dhe kufizimeve të lidhura me hyrjen, terrorizmit, keqtrajtimeve nga zyrtarët e sigurisë së qeverisë ruse dhe zbatimit arbitrar të ligjit vendor”.

I pyetur për kohën e këtyre veprimeve, të dielën në mbrëmje në Uashington, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se ato janë lëshuar në sfondin e raporteve se Rusia po planifikon një veprim të rëndësishëm ushtarak kundër Ukrainës.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit tha se kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufijve të Ukrainës, në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia, janë të paparashikueshme dhe mund të përkeqësohen shumë shpejt.

Zyrtari tha se presidenti Joe Biden ka thënë se një pushtim ushtarak rus i Ukrainës mund të ndodhë në çdo kohë dhe nëse ndodhë një gjë e tillë, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev do të kishte mundësi të kufizuara për të ndihmuar amerikanët që mund të duan të largohen nga vendi.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit, që folën me gazetarët, nuk pranuan të japin ndonjë vlerësim për numrin e amerikanëve që punojnë në ambasadën në Kiev, ose për numrin e amerikanëve që jetojnë në Ukrainë.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se këto urdhra po merren si një “masë paraprake e kujdesshme”, e cila në asnjë mënyrë nuk pengon mbështetjen amerikane për qeverinë e Ukrainës dhe se ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev, do të vazhdojë të funksionojë.

Departamenti i Shtetit u kërkoi, gjithashtu, të gjithë qytetarëve amerikanë në Ukrainë, që të plotësojnë një formular në internet, në mënyrë që Departamenti i Shtetit të mund të komunikojë më mirë me ta, duke thënë se kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët që planifikojnë të qëndrojnë në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Rusinë të dielën se Uashingtoni i di “të gjitha taktikat dhe teknikat” që Moska mund të përdorë për të minuar qeverinë ukrainase, por do të vazhdojë të angazhohet në bisedime diplomatike, me shpresën për të lehtësuar tensionet në Evropën Lindore.

“Sigurisht, ka mundësi që rusët nuk janë aq sa të duhet të angazhuar në diplomaci dhe se diplomacia mund të mos ndikojë në vendimin e tyre përfundimtar, nëse do të pushtojnë apo do të ndërhyjnë në një mënyrë a një tjetër, në Ukrainë”, tha zoti Blinken, për rrjetin televiziv NBC. “Por ne kemi përgjegjësi për të vazhduar rrugën diplomatike, duke shkuar sa më larg të mundemi, sepse është mënyra më e përgjegjshme për t’i dhënë fund kësaj situate”, shtoi ai.

Në një intervistë më emisionin “State of the Union” të rrjetit CNN, sekretari Blinken përjashtoi mundësinë e vendosjes së menjëhershme të sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Moskës, të cilat Shtetet e Bashkuara janë zotuar t;i vendosin nëse presidenti rus Vladimir Putin, pushton Ukrainën. Rusia ka grumbulluar 127,000 trupa pikërisht përgjatë kufirit të saj me Ukrainën, një ish-republikë sovjetike.

“Nëse ato vendosen tani”, tha sekretari Blinken për sanksionet e mundshme, “humbasin ndikimin e tyre parandalues”.

Senatori republikan, Joni Ernst nga Iowa, duke folur pas sekretarit Blinken në CNN, kritikoi administratën e presidentit Joe Biden për qasjen ndaj Rusisë.

“Sanksionet duhet të vendosen tani”, tha senatori Ernst. “Presidenti Putin e kupton vetëm forcën. Ne duhet të jemi të vendosur”.

Sekretari Blinken nuk pranoi të komentojë mbi një raport të agjencive britanike te zbulimit se Moska po kërkonte të zëvendësojë qeverinë e Ukrainës me një administratë pro-ruse. Moska e hodhi poshtë një pretendim të tillë.

“Dezinformata e përhapur nga ministria e Jashtme britanike, është dëshmi se janë vendet e NATO-s, të udhëhequr nga anglo-saksonët, ato që po përshkallëzojnë tensionet rreth Ukrainës”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një postim ne rrjetin Telegram. “Ne i bëjmë thirrje ministrisë së Jashtme britanike, t’u jap fund veprimtarive provokuese, t’i jap fund përhapjes së marrëzive”, tha ajo.

Rusia ka paraqitur disa kërkesa ndaj Shteteve të Bashkuara, përfshirë ndalimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes dhe një zotim se Ukraina nuk do t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore, gjë që Uashingtoni e ka cilësuar të papranueshme./VOA/

*Disa pjesë për këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Krijuesit e TikTok mund të kërkojnë pagesa nga përdoruesit për akses në përmbajtjet që publikojnë

Story i radhës

Bella Hadid ka hequr dorë përfundimisht nga alkooli

Të fundit nga