VOA/ Kosovë, shqetësime për shkallën e lartë të dhunës ndaj fëmijëve

March 29, 2022
min lexim

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave, dhuna ndaj fëmijëve ka shënuar rritje gjatë viteve të fundit. Shifrat, sipas organizatave për mbrojtjen e të drejtave të tyre, janë në shkallë shqetësuese.

Petrit Tahiri, anëtar i bordit drejtues të Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, i tha Zërit të Amerikës se rreth 70 për qind e fëmijëve në Kosovë kanë përjetuar dhunë të llojeve të ndryshme.

“Fatkeqësisht statistikat dhe raporti nga UNICEF-i tregojnë që rreth 70 për qind e fëmijëve janë viktima të ndonjë lloji të dhunës dhe kjo sigurisht se është shqetësuese për të gjithë ne. Ndaj duhet të angazhohemi në mënyrë sa më të mirë që të adresojmë këtë problematikë dhe po e them prap është shumë e rëndësishme që të ketë një bashkërendim dhe një qasje të integruar ndaj këtij problemi”, thotë ai.

Zoti Tahiri thotë se dhuna ndaj fëmijëve është dukuri e përhapur edhe në shkolla.

“Flasim për një numër shumë të vogël të rasteve të cilat raportohen nga shkollat dhe kjo rrjedhimisht na çon tek fakti se ne duhet të përfshijmë të gjitha palët dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë që këtë legjislacion që unë mendoj se është mjaft i mirë, madje edhe mund të jemi shembull për rajonin, ta vëmë në jetë në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Me synimin për të gjetur forma të parandalimit të kësaj dhune, të martën në Prishtinë u mbajt edhe nje tryezë diskutimi nën organizimin e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kultrurë, Rini e Sport.

Kryetari i Komisionit, Ardian Gola, i tha Zërit të Amerikës se shkalla e dhunës ndaj fëmijëve është dëshmi e nevojës për më shumë punë dhe bashkërendim të institucioneve në parandalimin e saj.

“Ideja është të krijojmë një klimë ligjore por edhe shoqërore e morale ku fëmijët do të jenë plotësisht të mbrojtur nga çfarëdo forme e dhunës, qoftë si dhunë si teknikë korrektimi dhe edukimi, apo dhunë në kuptimin e zbrasjes së frustrimeve të kujdestarit të fëmijëve. Në të dyja rastet është dicka e gabuar. Por nëse flasim për shifrat ato tregojnë që edhe nëse kemi qenë duke punuar, ne duhet të punojmë edhe më shumë”.

Larissa Brun, zyrtare e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, tha gjatë diskutimit se shkalla e dhunës ndaj fëmijëve pritet të dalë edhe më e lartë pas matjeve të reja të cilat do të përfshijnë periudhën e pandemisë COVID-19.

“Në periudhën pesë vjecare ne kemi parë rritje të dhunës. Padyshim të gjithë e dimë se për shkak të pandemisë është e pritshme që situata është përkeqësuar sepse fëmijët shpesh herë kanë qenë të mbyllur dhe familjet kanë qenë nën presion të madh, kështu që presim të ndodhë ajo që ka ndodhur në tërë globin – një rritje e shkallës së dhunës”.

Zonja Brun tha se dhuna ndaj fëmijëve është dukuri e papranueshme dhe se le pasoja afatgjata te ata që e përjetojnë.

“Faktet tregojnë se stresi toksik i shoqëruar me dhunë në fëmijërinë e hershme mund të shkaktojë dëmtime të perhershme në zhvillimin e trurit dhe dëmtojë sistemin nervor të fëmijëve. Po ashtu ndikon në sjelljen afatgjate të fëmijëve, duke përfshirë sjellje agresive dhe jo sociale, abuzim me substanca, sjellje të rrezikshme seksuale dhe kriminale”, tha ajo.

Veprimtarët humanitarë në vazhdimësi thonë se Kosova ka një infrastrukturë të mirë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve por problemet qëndrojnë në moszbatimin e tyre./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

E marta e 3-të e pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout, radhë kilometrike drejt vendit të shenjtë

Story i radhës

Pas ndeshjes me Gjeorgjinë flet Reja: Nuk ishte agresiviteti i duhur

Të fundit nga

ShkoLartë