VOA: Kosova synon përshpejtimin e anëtarësimit në NATO

March 9, 2022
min lexim

Qeveria e Kosovës themeloi të mërkurën grupin punues ndërinstitucional, që synon përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, mes shqetësimeve se agresioni i Rusisë në Ukrainë, mund të nxisë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se anëtarësimi në NATO, mbetet përparësia kryesore strategjike e vendit.

“Puna do të jetë e fokusuar sidomos në anëtarësimin në NATO, por përmes partneritetit për paqe, anëtarësimin në Kartën e Adriatikut A5 dhe gjithashtu fuqizimin e pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma të tjerë rajonal dhe ndërkombëtar të sigurisë dhe intensifikimi i bashkëpunimit me aleatët tanë strategjik”, tha ministrja Gërvalla.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi ndërkaq nga qeveria që të ndajë buxhet shtesë për forcat e armatosura dhe siç tha nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, të rrisë angazhimin për anëtarësim në organizatat euro-atlantike.

“Duke parë zhvillimet që po ndodhin kudo përreth nesh ne i bëjmë thirrje qeverisë që të rrisë aktivitetin në rrafshin diplomatik. Kjo është një rrugë në të cilën jemi nisur dhe Kosova ka destinacion, mirëpo që koha është që të ndryshojmë ritmin dhe qeveria jonë duhet ta zë këtë rritëm”, tha ajo.

Rreth 3 mijë e 800 trupa të KFOR-it kujdesen aktualisht për sigurinë në Kosovë.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, gjatë kësaj jave, një zëdhënëse e NATO-s, , tha se kriteret për anëtarësimin në NATO janë të përfshira në Nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit, ku theksohet se “palët, me marrëveshje të njëzëshme, mund të ftojnë çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut për t’u anëtarësuar në këtë Traktat”.

Janë katër vende anëtare të NATO-s Rumania, Spanja, Greqia dhe Sllovakia që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kjo i ndërlikon përpjekjet për anëtarësim në këtë aleancë.

Ministrja Gërvalla tha se anëtarësimi i shpejt i Kosovës në NATO nuk varet nga institucionet e vendit dhe se për këtë duhet bashkërendim me aleatët perëndimorë.

“Gjithçka do ta bëjmë me koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar me qëllim që kjo rruga jonë drejt NATO-s të jetë një rrugë e sigurt, një rrugë të cilën nuk hyjmë për të dështuar në fund por një rrugë për të cilën hyjmë me sigurinë dhe përkrahjen e partnerëve tanë që do t’ia dalim”, tha ajo.

Departamenti amerikan i Shtetit i tha në fillim të javës Zërit të Amerikës se lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës, e bën të qartë urgjencën në rritje që paraqet për aleancën transatlantike, integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor.

Ky qëndrim pasoi kërkesën e 19 anëtarëve të Kongresit amerikan drejtuar administratës së presidentit Joe Biden, që të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor, në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë.

Qeveria e Kosovës vendosi sot gjithashtu që të pezullojë regjimin e vizave hyrëse për shtetasit e Ukrainës, ndërsa paralajmëroi përditësimin e sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje me ato të vendosura nga Bashkimi Evropian./voa

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Monitori Apple sjell 27-inç dhe 5K për 1,599 dollarë

Story i radhës

Përmirësohet situata e Covid-19 në Kosovë, bilanci i 24 orëve të fundit

Të fundit nga

ShkoLartë