VOA: Arrestohet personi i dyshuar për kërcënimeve ndaj prokurorëve maqedonas

February 2, 2022
min lexim

Në Maqedoninë e Veriut, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi të mërkuren se ka arrestuar personin e dyshuar për kërcënimet ndaj Kryeprokurorit publik dhe prokurores për Krimin e Organizuar. I dyshuari, të cilit policia i referohet me inicialet S. Z. i moshës 56 vjeç, banor i qytetit të Manastirit, e kishte nisur letrën kërcënuese nga qyteti fqinj i Prilepit më 17 janar në adresë të Kryeprokurorit Lubomir Jovevski.

Më 11 dhjetor ai i kishte nisur një letër kërcënuese me postë po nga Prilepi një ambasade të huaj, ndërsa më 20 dhe 22 dhjetor një letër me kërcënime serioze prokurores së Krimit të Organizuar Vilma Ruskoska.

Media lokale citon burime nga policia të thonë se emri i të dyshuarit është Stevçe Zika.

Sektori i policisë për luftë kundër kriminalitetit të organizuar në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare kishin marrë masa për zbardhjen e rastit menjëherë pas njoftimit të tij. Ata kishin bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe të nënës së tij dhe kishin konfiskuar mjete të dyshuara për lidhje me veprën penale.

Policia e Manastirit pasi e ka marrë në pyetje dhe ka kryer ekspertizën grafologjike ka konstatuar përputhshmërinë e dorëshkrimit të të dyshuarit me atë të letrave kërcënuese.

Letra ishte e shkruar në dy gjuhë, maqedonisht dhe anglisht, njëri version me kompjuter dhe tjetri me shkrim dore. I dyshuari kërkonte lirimin nga akuza të gazetarëve Goran Momirovski dhe Dragan Millosavleviç të televizionit maqedonas Alfa, për të cilët ai shkruan në letër se “paraqesin zërin e popullit maqedonas”. Ai shkruante se gazetarët janë të pafajshëm, ndërsa vazhdonte kërcënimin me jetë ndaj kryeprokurorit: “Lubomir Jovevski do të të vrasim shumë shpejt; vetëm po presim çastin kur do të ta marrim jetën”, shkruante i dyshuari S. Z teksa theksonte se ishte pjesë e një organizate terroriste ,“e cila do të luftojë dhe vrasë për padrejtësitë që i bëhen popullit maqedonas”.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore kishte hequr dorë nga procedimi i akuzave ndaj dy gazetarëve që në muajin dhjetor. Akuzat kundër gazetarëve Momirovski dhe Millosavleviç i kishte ngritur Agjencia për Zbulim dhe Kundërzulim në lidhje me pretendime për nxjerrjen në emisionin e tyre televiziv të informatave konfidenciale që kanë të bëjnë me struktura të sigurisë dhe të zbulimit. Gazetarët ishin ftuar në muajin nëntor për të dhënë sqarime.

Dy gazetarët i kanë thënë medias lokale se nuk kishin asnjë lidhje me autorin e kërcënimit.

Në komunikatën e para pak ditëve të Prokurorisë thuhej se Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut i vlerëson si të zbrazëta këto kërcënime dhe se ato “nuk do ta lëkundin atë nga synimet për zbatimin e ligjeve dhe nga veprimi profesional e i përgjegjshëm i Prokurorisë Publike”.

Kërcënimet ndodhin në një kohë kur Maqedonia e Veriut po përpiqet të realizojë reforma në fushën e gjyqësorit për t’iu përshtatur kërkesave dhe standardeve të Bashkimit Evropian ku synon integrimin, megjithatë besueshmëria tek gjyqësori mbetet e ulët./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Regjistrimi i popullsisë, ja kur priten rezultatet zyrtare

Story i radhës

Selami: Të ardhura rekorde në buxhet për Janar 2022

Të fundit nga

ShkoLartë