VOA: Akuzë për krime lufte, ende nuk janë gjetur trupat e 15 prej të vrarëve në Izbicë

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të martën aktakuzë për krime lufte kundër të pandehurit me nistoret M.A, i përkatësisë kombëtare shqiptare shtetas i Serbisë.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se aktakuza është ngritur “për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “krimi i luftës kundër popullsisë civile’’.

Akuza lidhet me masakrën e 28 marsit të vitit 1999 në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt në Kosovën qendrore.

“Hetimet 12 mujore kanë vërtetuar se i pandehuri M.A. së bashku me persona ende të pa identifikuar të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë në ekzekutimin e 130 personave, prej të cilëve 12 kanë mbijetuar. Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, sipas së cilës gjatë hetimeve “janë marrë deklaratat e mbi 100 dëshmitarëve dhe të dëmtuarve të rastit. Gjithashtu, janë siguruar prova materiale si: video incizime, raporte të autopsisë dhe dëshmi të tjera, të cilat dëshmojnë se me datë 28.03.1999, në fshatin Izbicë, u vranë civilë të pafajshëm”.

Trupat e të vrarëve më 28 mars 1999 në Izbicë, që ishin varrosur nga të mbijetuarit, ishin zhvarrosur më pas nga forcat serbe dhe ishin shpërndarë në vende të ndryshme në Kosovë dhe në Serbi, për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.

Edhe më tej nuk janë gjetur trupat e 15 prej të vrarëve në fshatin Izbicë.

Prokuroria e Posacme tha se “hetimi i Masakrës së Izbicës, nuk përfundon me ngritjen e kësaj aktakuze. Rasti është më i madh dhe shumë më kompleks dhe për këtë arsye hetimet janë ende duke vazhduar për të dyshuar të tjerë, për sigurimin e provave tjetra materiale të rëndësishme për zbardhjen në tërësi të kësaj çështje penale”.

Tashmë i akuzuari ishte ndaluar në mars të vitit 2021.

Pranvera në Kosovë shënon përvjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe. Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Një grua në Presidencë?/ Gjuknuri: Nuk do të ishte habi

Story i radhës

Kosova U21 barazon sërish me Slloveninë U21

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish