Ajo që e dallon shqiptarin e vërtetë është aftësia për ta njohur të ardhmen. Kjo veçori bëri të mundur pjesmarjen në Rilindjen Kombëtare, shpalljen e Pavarësisë, dhe në Luftën e Dytë Botërore për shëmbjen e nazifashizmit. Kjo veçori bëri gjithashtu të mundur formatimin unitar, në nivel shtetror, të popullit shqiptar, dhe emancipimin shpirtëror të gjitha shtresave sociale, si dhe mbështeti zhvillimin shoqëror të punës, arsimit, kulturës, mbrojtjes të Atdheut… Vështrimi tek e ardhmja e ngre moralin e njeriut, por, ai është gjithashtu burim i depresioneve dhe anktheve që ndjejmë pavarësisht nëse këto të fundit lidhen me vlerësime për jetën, apo me shqetësime për kombin. Shikimi drejt të ardhmes, me vetëdije dhe pa vetëdije, është funksioni qëndror i trurit. Fuqia që marim nga njohja e të ardhmes na bën të mençur. Kjo e fundit nuk është një mburje por një përcaktim i cili provohet nga fakti i padiskutueshëm se shumica dërmuese e shqiptarëve sot nuk janë pengje të të shkuarës, dhe të tashmes tyre. E kjo shumicë janë ata që quhen – veteranë të Luftës e të Punës dhe pasardhësit e tyre. Nga nje sondazh i kryer me 200 veteranë e pasardhës me tipare të ndryshme sociale, kulturore, profesionale, e krahinore – me qëllim për të regjistruar mendimet e tyre në gjendjen shpirtërore të çastit – na rezultoi se ata mendonin për të ardhmen e vendit tre herë më shpesh se për të shkuarën.
* * *
Shekuj më parë popujt e Europës sundoheshin në emër të të drejtës të trashëguar e mbrojtur ajo nga një fuqi e lartë madhore, ose, prej klanesh që nuk kishin shpesh herë asnjë lidhje historike a gjaku me popujt nën sundim. Popujt qeveriseshin në emër të Perëndisë prej perandorëve, dhe mbretërish e fudalësh gjithfarësoj. Këta individë dhe institucionet përkatëse nuk kurseheshin ta garantonin popullin se do ishin zëdhënës të shkëlqyer të interesave të tij në botën e përtejme. Pra europianët nuk kishin të drejta për sa u përket interesave të përgjithëshme, ato kishin vetëm detyra skllavi, bujkrobi, argati, puntori, fshatari, nëpunësi, apo ushtari për zbatimin praktik të projekteve që krijonin sundimtarët e Europës.
Me mbarimin e Luftës Dytë Botërore të gjithë popujt e shtypur të Europës fituan indipendencën dhe liritë demokratike. Europa i nderon pakufi veteranët e luftës çlirimtare.
Lufta e Dytë Botërore solli lartësimin e vetëdijes kombëtare edhe te popujt e tjerë në botë; lindën lëvizjet nacionalçlirimtare antikoloniale. Paslufta shënoi rënien përfundimtare të sistemit kolonial botëror. Edhe kjo epokë çlirimtare ka veteranët e saj.
Shqipëria, si tërë Europa, nën sundimin vendas dhe të huaj gjëndej keq e më keq. I mungonin të drejtat e njeriut, i mungonin të drejtat e popullit, i mungonin edhe mjetet materiale me anën e të cilave të mund të luftonte me qëllim që të fitonte këto e të tjera të drejtat.
Kjo gjëndje u studiua, programi i veprimit u përgatit, rastet për zbatimin e atij programi erdhën, dhe udhëheqësit të papërkulur, jo reklamaxhinj dhe ambiciozë të koruptueshëm, ju përveshën punës bazuar në doktrinën e Atdhedashurisë. Kur u arrit në përfundimin se ishte punuar politikisht mjaftueshëm për ringjalljen e ndjenjës kombëtare filloi organizimi për luftë, dhe, ca pak njerëz fillimisht, bazuar te bindjet vetiake, me ndihmë materiale prej shumicës të popullit të shtypur, pa ndihmë të qartë nga jashtë, morën pushkën në dorë kundra nazifashizmit e tradhëtarëve, dhe, derdhën gjakun e trupit të tyre në tokën amtare për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarit, të popullit.
Ngatërrohet sot veprimtaria e organizuar patriotike e partizanëve gjatë Luftës Dytë Botërore me veprimet e tjera “patriotike” të detyrueshme për një takëm shqiptarësh, ose, me veprimet me rrënjë tërësisht të kundërta – kuislinge. Ngatërohet sepse synojnë ta falsifikojnë historinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. E si mund të shkulen nga vetëdija e njeriut, manipulohen, digjen, apo burgosen me miliona e miliona faqe gazetash, shkrime, libra, revista, filma, dokumentarë, studimet për të tëra fushat e jetës, teatrot, këngët e vallet, pentagramet e të gjitha llojeve të muzikës, etj., etj., vepra të krijuara çdo ditë për 45 vite rresht. Sikur zjarri ti bjerë tërë Shqipërisë kopje të shumta të tyre ruhen në institucionet përkatëse shtetrore e private në të katër anët e botës.
Shteti shqiptar, pas Luftës Dytë Botërore, i evidentoi me themel veteranët – siç bëri tërë Europa. Vlerësoi lart jo vetëm ndihmesën e tyre me armë në dorë për çlirimin e Shqipërisë, po edhe punën e palodhur krijuese për rindërtimin e përparimin e vendit. Mirënjohja është një ndjenjë e ndritshme, aq shumë e shkëlqyer, saqë i verbon ata që janë mësuar të rrojnë si irriqi në errësirë.
Në Athinën e lashtë jetonte një njeri i drejtë, quhej Aristidh. Sundimtarët e asaj kohe nuk i duronin dot ligjëratat publike të Aristidhit për të drejtat e njeriut dhe të popullit e vendosën që ai të internohej – si kriminel i drejtë – në një vend tjetër. Vendimi merej, sipas zakonit, duke shkruajtur emërin e të pandehurit, para një gjykate popullore, mbi një copë qiramidhe e cila hidhej në një vend të caktuar, e kështu të dukej se sa shumë ishin ata që miratonin dënimin e vendosur. Një athiniot analfabet duke shkuar udhës për në gjykatë gjeti Aristidhin, të cilin nuk e njihte personalisht, dhe iu lut që t’ia shkruante emërin e Aristidhit mbi qiramidhe. Aristidhi, duke shkruajtur emërin e vet, e pyeti nëse e njihte atë njeri të cilin po e dënonte. Analfabeti u përgjigj pa të keq “jo, po u mërrzitëm duke dëgjuar ta quajnë njeri të drejtë”.
Kështu po sulmohen sot veteranët tanë. Mërrzitja e disa individëve, media, partive politike, organizatave (jo) fitimprurëse, etj., ndaj veprës patriotike të veteranëve të luftës dhe të punës mendoj se është më shumë një vorbull paditurie, sesa, reagim udhëzues për veprim. Mërrzitja nuk është pasojë e traumave të të kaluarës dhe streseve të kohës sotme; as e faktit se veteranë e luftës e të punës dhe pasardhësit e tyre po e përcjellin me frymë realiste depresionin ekonomik – social – politik kombëtar. Mërrzitja e tyre, në analizë të fundit, na tregon se ata nuk janë në gjëndje të dallojnë vizionet e shtrembëruara që kanë përpara, që ka përpara Shqipëria e më gjërë Europa.
Veteranët e pasardhësit e tyre shikojnë kudo përpara. Kjo sjellje bazohet jo vetëm tek përvojat vetiake po edhe te mësimet që nxjerrim nga të tjerët rretherrotull. Ne jetojmë, punojmë, lidhemi individualisht, e familjarisht në grupe të mëdha sociale, sepse, edhe më parë bashkërisht e kemi pas ndërtuar të ardhmen. Kultura, gjuha, ndarja e punës, dituria, ligjet, dhe teknologjia e komunikimit, etj., na hynë në punë ngaqë duam të dimë mirë e më mirë se çfarë do të bëjmë vet, si dhe, çfarë do të bëjnë edhe shqiptarët e tjerë në të ardhmen e afërt e të largët. Shqipëria, është e të gjithëve.
Rrjedhshmëria e kujtesës tonë, fakti që ajo vazhdon ta pasurojë historinë kombëtare, vlerësohet si defekt nga ndonjë individ, juri, institut, akademik, grup pune, e të tjerë të koruptuar… Rrjedhshmëria e kujtesës është një veçori, jo një defekt, sepse ne e metabolizojmë atë duke nxjerrë, rritur, riprodhuar, ruajtur, rikombinuar, dhe përshtatur çdo qelizë informacioni të situatave në horizont. Ne bëjmë sakrifica sot jo për të fituar shpërblime nesër, por, që të rrojë Shqipëria.
Politikanët, e të tjerë., i shpërdorojnë sakrificat patiotike të shumicës dërmuese të shqiptarëve. Ata e përzjejnë të shkuarën e tyre amorfe me të tashmen e tyre të koruptuar, i ngatërrojnë këto dy kohë edhe në hapsirat përkatëse me qëllim që ta pengojnë popullin të shohë të ardhmen, të vërtetën që e pret.
Të jesh veteran dhe pasardhës i tyre do të thotë, në fund të fundit, të mos trembesh kurrë nga e kaluara sepse luftove, punove, dhe po punon me sy e mendje gjithmonë nga e ardhmja.