Reshjet e shiut që filluan mbrëmjen e kaluar kanë shkaktuar vërshime në disa fshatra, madje edhe në qytetin e Skenderajt.
Gjendja më e rëndë ishte në fshatrat Llaushë, Tushilë dhe Kllodernicë, ka bërë të ditur Komuna e Skenderajt.
Qysh në orët e hershme të mëngjesit, kryetari i Komunës Fadil Nura bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Alban Shala dhe me shërbimin e emergjencave dhe zjarrfikësit, kanë dalë në terren, për të parë nga afër gjendjen dhe situatën e krijuar.
Më këtë rast, kryetari Nura është gjendur afër familjeve që janë prekur nga vërshimet, ndërsa ka njoftuar se Komuna do të bëjë gjithçka që mundet, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të tejkaluar këtë situatë.
Për fat të mirë, reshjet kanë ulur intensitetin, ndërkohë që tani gjendja duket të jetë nën kontroll, thuhet në postimin e komunës në Facebook.