Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është paraqitur në Gjykatën Administrative, ku gjatë seancës ka mbajtur edhe fjalën e tij lidhur me procesin.
Veliaj deklaroi se ai dhe familja e tij janë përballur me një “veting të plotë” të jetës personale dhe publike. Ai tha se është treguar i gatshëm të përballet me drejtësinë dhe se ka shkuar vetë përpara saj, por pretendoi se ndaj tij janë përdorur të gjitha mjetet për ta sjellë në këtë situatë.
Sipas tij, problemi qëndron në mungesën e aksesit të plotë në dosje dhe në pamundësinë për të pasur një mbrojtje efektive. Veliaj shtoi gjithashtu se pala tjetër kërkon që gjykata të mos hyjë në shqyrtimin e thelluar të çështjes, duke e konsideruar këtë një pengesë për një proces të drejtë.
“Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Mbi mua dhe familjen time është ushtruar një formë vetingu. Por unë jam treguar shumë i gatshëm për tu përballur me drejtësinë madje kam shkuar me këmbët e mia. U përdorë çdo mjet për të më çuar para drejtësisë. Paradoksi është se i njëjti mekanizëm nuk me do në një përballje me të drejta të barabarta me drejtësinë se më kufizohet aksesi në dosje dhe një mbrojtje efektive. Mungesa e legjitimitetit në një emërim jep pasojat që ka dhënë mbi mua. Nuk më lejohet të ushtroj asnjë nga të drejtat që më ka dhënë Kushtetuta si kafazi, fashikujt etj. Pala përball kërkon që gjykata të mos hy fare në hetimin e kësaj çështje”, tha Veliaj.
Ai shtoi se edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka bërë transparencën e duhur, duke krijuar një situatë ku, sipas tij, “është e dukshme kush kërkon dritë dhe kush kërkon të vijojë në errësirë”, por gjyqtari Hasbi Balliu i tërhoqi vëmendjen, duke i kërkuar të flasë vetëm për çështjet dhe jo për tema të tjera që nuk lidhen drejtpërdrejt me procesin.
Veliaj: Unë e kuptoj pas intervistës së Presidentit topi do kishte reagim. Pala e paditur nuk pres të bëj transparencë. Por KLP organi që duhet të bënte transparencë vendos të mos bëj transparencë. Është e dukshme kush është pala që do dritë dhe kush do të vijoi në errësirë.
Gjyqtari Balliu: Duhet të flasësh vetëm për atë që të jep fjalën gjykata jo për çështje të tjera.
Burimi: botasot.info


