Ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare Silvia Bini, e njohur në rrjetet sociale si “Nonna Silvi”, ku u bë e famshme për recetat tradicionale toskane dhe fitoi mbi 4 milionë ndjekës.
Bini u nda nga jeta në banesën e saj në Montespertoli, pranë Firences, pas një sëmundjeje të rëndë që, sipas njoftimit të familjes, zgjati vetëm 20 ditë.
Lajmi u bë i ditur nga nipërit e saj përmes faqes zyrtare “nonnasilvi”, ku ata shprehën dhimbjen për humbjen e saj dhe e kujtuan si një grua të jashtëzakonshme, plot energji dhe përkushtim ndaj familjes.
Pavarësisht sëmundjes, edhe në ditët e fundit të jetës, Nonna Silvi vazhdonte të interesohej për punën dhe të pyeste se çfarë duhej bërë, sipas mesazhit të familjarëve.
Familja njoftoi gjithashtu se aktiviteti i saj do të qëndrojë i mbyllur për dy ditë zie, përpara se të rifillojë punën, duke vijuar trashëgiminë e saj dhe ëndrrën që kishin ndërtuar së bashku.
Përmes recetave tradicionale toskane dhe personalitetit të saj të ngrohtë, Nonna Silvi u kthye në një figurë të dashur për miliona njerëz, duke dëshmuar se kuzhina tradicionale mund të kapërcejë kufijtë dhe të bashkojë breza përmes rrjeteve sociale.
Burimi: botasot.info


