Me marrjen në pyetje të ekspertit Ljupço Postolov, pjesë e ekipit që përgatit superekspertizën e komunikacionit, në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, sot ka vazhduar gjykimi për aksidentin e autobusit në afërsi të Llaskarcit, ku humbën jetën 16 persona dhe rreth 30 u plagosën.
Në ekipin e ekspertëve që përgatitën superekspertizën e komunikacionit, përveç Postolovit, janë edhe ekspertët Jakup Mamuti dhe Nevzat Zeqiri.
Superekspertiza e urdhëruar nga Gjykata në dhjetor 2021 është refuzuar nga fakultetet shtetërore, me arsyetimin se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme, ose nuk kanë qenë kompetentë për të.
Pas refuzimit të kolegjeve, lënda është dërguar në Byronë e Ekspertizës Mjeko-Ligjore, ku pritet të formohet një ekip ekspertësh të licencuar për kryerjen e superekspertizës.
Të pandehur në rastin e aksidentit në afërsi të Llaskarcit, i ndodhur më 13 shkurt 2019, janë Durmish Beluli, pronari i kompanisë “Durmo Tours”, personi përgjegjës për transportin në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërkaq për të njëjtën vepër akuzohen tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.
Procesi gjyqësor për aksidentin ka filluar në shtator të vitit 2019 dhe udhëhiqet nga gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik, Darko Jakimovski.