Vajzat e ekranit pranë skenave të krimit/ Promovimi i “djemve problematikë” për disa klikime më tepër

Figura të njohura të krimit të organizuar në vendin tonë janë joshur shpesh nga vajzat VIP të ekraneve shqiptare. Në jo pak raste kanë përfunduar të fejuar apo edhe martuar me to.

Femrat e shoubizit shqiptar, ndër vite kanë qenë të predispozuara që “të fusin në rrjetë” djemtë e fortë e të pasur, gjë që ka tërhequr jo pak vëmendjen e mediave shqiptare.

Duke shpërfillur të kaluarën e errët të partnerëve të tyre nuk ngurrojnë të shpalosin në rrjetet sociale luksin e një jete përrallore.

Por, jo të gjitha kanë fatin t’i shijojnë ‘bossat’ e tyre. Sisa i kanë humbur rrugës partnerët si pasojë e divorceve, burgosjes apo edhe atentateve mafioze.

Promovimi i “çunave problematikë” në media

Në kërkim të klikimeve dhe shikueshmërisë, mediat sociale, por edhe ato vizive janë vënë tërësisht në shërbim të ‘të fortëve’ dhe ‘bossëve’ me emisionet e tyre. Shpesh duke i lartësuar këta persona, që shndërrohen në idhujt e fëmijëve apo adoleshentëve.

Në vend kemi disa emisione ‘dashurie’, por edhe reality shou, të cilat më shumë se emisione televizive, janë kthyer në hapësira ku reklamohen vajza e djem, të cilët nuk kanë asnjë arritje në jetën e tyre, përveçse janë të bukur, të pasur dhe të famshëm në rrjetet sociale.

Pre e kësaj manie kanë rënë edhe televizionet, të cilat gjithçka ia atribuojnë promovimit në rrjetet sociale, duke mos dhënë asnjë mesazh edukativ, por vetëm foto dhe imazhe sensuale, jetë luksoze, duke u kthyer në një reklamues imazhi, edhe për personat problematikë.

Në disa raste, edhe vetë vajzat, që kanë qenë bashkëpuntore në krim po promovohen në ekranet e televizioneve.

Një veprim ky që përmbys çdo lloj raporti me sistemin e vlerave të një shoqërie, e cila duhet të jetë në fokusin e punës së mediave.

Dhe pyetja që lind është se, çfarë mesazhi i përcillet shoqërisë përmes promovimit të anti-vlerave?

Disa nga lidhjet e bujshme të VIP-eve shqiptare me “djemtë problematikë”

Rezarta Shkurta dhe Ermal Hoxha

Këngëtarja e njohur Rezarta Shkurta njihet tashmë për lidhjen e saj disa-vjeçare me Ermal Hoxhën, nipin e ish-diktatorit, Enver Hoxha. Bashkëshorti i saj do të binte në prangat e policisë pas operacionit të famshëm ‘Xibraka’, pasi dyshohej se ai kishte rolin e organizatorit në rrjetin e narkotrafikut që sillte kokainë nga Kolumbia për ta përpunuar në laboratorin e zbuluar në Xibrakë të Elbasanit dhe për ta shitur më pas në vende të tjera të Europës.

Viola Spiro dhe Valentin Selaj

Prezantuesja e sportit, Viola Spiro dhe i dashuri i saj, Valentin Selaj ishin kryefjala e shkrimeve në media kohët e fundit pas ndalimit të tij në Hollandë. Ishte gazeta italiane “La Nazione”, që publikoi arrestimin e tij në Firence, duke u etiketuar “Zoti i drogës” dhe kreun e një bande mjaft të fuqishme ndërkombëtare, që sillte kokainë nga ShBA-të në Firenze, nëpërmjet Hollandës. Pasi ai fitoi lirinë pas 5 muajsh ata u fotografuan bashkë në Tiranë.

Inis Gjoni me Arian Selimin

Në vitin 2002 Inis Gjoni njohu njeriun e zemrës Arian Selimin, i cili u nda nga jeta disa vite më parë pas një ekzekutimi mafioz në Tiranë. Lidhja e saj me biznesmenin me origjinë nga Shkodra ecte shumë mirë deri në vitin 2004, Selimi përfundoi në pranga, i akuzuar si kapo i një rrjeti të fuqishëm droge. Vajza e ekraneve dhe i ndjeri ishin në një lidhje dashurie prej 9 vitesh dhe me lirimin i tij nga burgu çifti rinisi bashkëjetesën, lidhje nga e cila erdhi në jetë vajza.

Morena Taraku me Sasha Sobhanin

Edhe ish-missi dhe modelja Morena Taraku është në lidhje serioze me miliarderin nga Teherani, Sasha Sobhani, me të cilin po bashkëjetojnë në Turqi. Ai është i biri i Ahmed Sobhani, ish-ambasador i shtetit iranian në Venezuelë. Në vitin 2012-të u akuzua për vrasje pasi një djalë i ri humbi jetën në një përleshje gjatë një feste të shfrenuar natën. Sidoqoftë, kohë më pas ai u lirua nga akuzat.

Arta Bajrami me Xhemajl (Xhimi) Sekiraqën

Bashkëshorti i këngëtares nga Kosova, Arta Bajrami u vënë në pranga kohë më parë nga policia e Kosovës për armëmbajtje pa leje. Por, ky nuk duket të jetë problemi i tij më i madh, pasi Sekiraqa gjithashtu ishte shpallur në kërkim nga Interpoli në lidhje me një vjedhje ari në Kuvajt.

Fjolla Morina dhe Juxhin Dautaj

Këngëtarja Fjolla Morina pak kohë më parë u përfol se ka qenë në një marrëdhënie me personin që mbeti i vdekur gjatë një atentati në Sukth. Në ngjarjen në fjalë humbën jetën ish-shefi i Antikrimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj. Pasi Fjolla foli hapur për fatkeqësinë e saj, ajo e kujtoi të ndjerin në ditën e tij të lindjes. Fjolla Morina foli për të dashurin pasi ai u nda nga jeta, duke qenë se më parë kishte mbajtur një lidhje vetëm për vete.

Suada Sherifi dhe Eldi Dizdari

Prezantuesja Suada Sherifi prej kohësh e mbante të fshehtë bashkëshortin e saj biznesmen, nga martesa me të cilin erdhi në jetë vajza. Në ditëlindjen e fëmijës ajo zbuloi më në fund portretin e tij në fotot e tyre familjare. Eldi Dizdari u arrestua disa kohë më parë në Dubai. Bossi i drogës, i cili njihet si kushëri i afërt me Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë së bananeve të dënuar për trafikun e 613 kg kokainë që u sekuestrua në Durrës. Dizdari ishte pjesë e një karteli të fuqishëm që drejtohej nga shtetas shqiptarë, i specializuar në trafikimin e drogës në Europë. Ai ishte shpallur në kërkim edhe si i përfshirë në vrasjen e bujshme në zonën e ish-bllokut, e ndodhur më 4 tetor 2018, ku vdiq Fabian Gaxha dhe mbetën të plagosur Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Konkurrentja e ‘Përputhen’ e arrestuar si pjesë e një grupi kriminal në Kosovë:

Laureta Zyba është konkurentja më e re e ‘Përputhen’ që pritet të kërkojë dashurinë në këtë format.  Laureta është motra e konkurrentes tjetër në këtë emision e cila ka hyrë disa javë më parë, Rrushe Zyba. Laureta u prezantua si balerinë, teksa tregoi se vjen nga Komuna e Suharekës. Por, duket se ajo është emër i njohur edhe për organet e drejtësisë në Kosovë. Rreth katër vite më parë, ajo ishte arrestuar në një aksion policor në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, ku Njësia Speciale kishin bërë arrestimin e katër personave. Dy nga personat e arrestuar ishin me prejardhje nga Mali i Zi, një nga Serbia dhe një femër (Laureta) nga Kosova. Siç kishin raportuar mediat në Kosovë, në mesin e të arrestuarve ishte edhe Laureta Zyba, ndërsa tre të arrestuarit e tjerë ishin në kërkim nga Interpoli, pasi që ishin të dyshuar për vrasje të kryera jashtë vendit.Përgjatë arrestimit të tyre në një banesë në lagjen “Kalabria”, policia kishte konfiskuar armë, municion dhe narkotikë. Laureta Zyba ishte raportuar se është striptiste në disa klube të natës në Kosovë dhe dyshohej se e njëjta ka bashkëpunuar me rrjetin kriminal përgjatë kohës sa ata qëndronin në Kosovë.

Përdorte makinën në pronësi të atentatorit të prokurorit Arian Ndoja te mbikalimi i Shkozetit:

Kejvina Kthella – Një tjetër vajzë ekrani takohet me botën e krimit dhe kësaj here fjala është për Kejvina Kthellën. Një javë pas atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja te mbikalimi i Shkozetit, u mësua se një nga personat e marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen ishte edhe Kejvina Kthella, e njohur si mikesha e personit të arrestuar si autor i dyshuar i atentatit, Redjan Rraja. Hetimet kanë zbuluar se modelja e njohur kishte miqësi me Redjan Rrajën, i arrestuar pak ditë më parë në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Kthella kishte bisedime të shpeshta telefonike me 34- vjeçarin Rraja. Mes Kejvinës dhe Redjanit, i njohur ndryshe si “Dara” i Krujës, ka komunikime të shpeshta, ndërkohë që mësohet se Kejvina kishte në përdorim një makinë, që është në pronësi të tij.

Kapet me drogë në makinë modelja e njohur gjatë një kontrolli rutinë të policisë:

Oriola Marashi, modelja e njohur është kapur me një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis. Modelja është kapur gjatë kontrolleve rutinë të policisë në orët e vona të natës. Ajo ka qenë me disa persona të tjerë në makinë dhe gjatë kontrollit policia i ka gjetur dy qese të vogla me kanabis. Marashi ka deklaruar para policëve se është përdoruese e lëndës narkotike dhe dy qeset ishin të sajat.

Ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj: Vajzat e ekranit joshen nga grupet kriminale!

Ish-drejtuesi i Policisë, Arben Hajdarmataj, është shprehur se në përgjithësi vajza të ndryshme të ekranit joshen nga grupet kriminale për shkak të përfitimeve financiare.

Ai tha se këto vajza nuk kanë mundësi financiare të blejnë makina të shtrenjta apo shtëpi në zonën e ish-Bllokut, ndaj futen në këto grupe kriminale për të përfituar sa më shumë para’.

“Në përgjithësi është një tendencë për shkak të joshjes nga paratë e mëdha, të pozicionit në publik, kanë dëshirë që të futen në këto organizata. Një vajzë e shoë bizit , nuk dua të ofendoj njeri por një gazetare me rrogën e vet nuk do të blejë dot një Audi Q7, nuk mund të ketë një shtëpi në Bllok. Ajo mund të jetë e bukur, por këto mundësi ekonomike nuk i ka, që të jetë në top listë ngatërrohen me grupet kriminale. Grupet kriminale nuk do të thotë që kryejnë vrasje, janë tek pastrimi i parave, tek trafikimi, tek mashtrimi, tek shfrytëzimi i prostitucionit”, tha Hajdarmataj.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kilianët protestojnë kundër migrantëve nga Venezuela

Story i radhës

Dele Alli transferimi i parë i Lampardit

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish