Ushtaraku Hoxha: Plagët ende janë të freskëta / Një invadim në veri do të ishte fatal për Serbinë

February 1, 2022
min lexim

Ish Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hafir Hoxha, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur rreth situatës politike në vend.

Hoxha së pari e ka komentuar punën e qeverisë aktuale, me ç’rast theksoi se kjo qeveri është duke bërë punë shumë të mira. Ai thotë se kësaj qeverie i është dashur që të kthehet mbrapa për shumë gjëra, po ashtu ka pasur edhe aktivitete të policisë-bastisje-arrestime, gjë që qeveritë e mëhershme nuk e kanë bërë.

Sipas tij, epilogu i marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, dhe nëse dëshirojmë t’i shmangemi luftës duhet të ndryshohen kufijtë, dhe me këto ndryshime do të eliminohet ndikimi i Serbisë në Kosovë dhe i Kosovës në Serbi me pakicat e tyre në ato shtete.

I pyetur se sa mund të ndikojë situata në Ukrainë tek gjendja në Kosovë, përkatësisht kërcënimet nga Rusia dhe Serbia, Hoxha deklaroi se Rusia ka vërejtur luhatje politike brenda shteteve aleate të NATO-s, dhe është duke e menduar mundësinë e okupimit total të Ukrainës. Ai thotë se krahas kësaj pararoja e Rusisë, pra Serbisë i shkon në favor kjo situatë dhe duke llogaritur në ndihmën ushtarake ruse synon që ta marrë edhe Republikën Serbe në Bosnjë, dhe sa më shumë që është e mundur edhe një pjesë të Kosovës.

Gjithashtu, Hoxha si një ish-komandant i UÇK-së, ka treguar se sa është e përgatitur Kosova që të përballojë një ndërhyrje eventuale të Serbisë. Ai thotë se Kosova ka 5000 trupa të FSK-së, por nuk posedojnë armë kundër mjeteve të blinduara, dhe as armë për mbrojtjen kundërajrore. Andaj, një sulm eventual i shpejtë nga ajri, dhe me mjete të shumta të blinduara nga ushtria serbe, forcat tona nuk kanë mundësi t’i ndalin, sidomos sulmet nga ajri. Por, ai thekson se para se ta bëjë këtë Serbia, duhet ta dijë se si do t’i vijë fundi atij aksioni, jo vetëm fillimi.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni deri më tani punën e qeverisë aktuale të Kosovës?

Hafir Hoxha: Qeveria aktuale sikur edhe është pritur është duke qeverisur më ndryshe, për ndryshime që premtonte dhe për ndryshime që qytetarët dëshironin, për këtë edhe fituan me atë fuqi politike që morën. Por, ndryshimin nuk e kanë pasur në mendje të gjithë si koncept të njëjtë, prandaj sot është logjike që mundet të ketë qytetarë që këto ndryshime nuk mjaftojnë për ta, për disa janë rigoroze, për disa ndoshta të buta, por për mua që nuk i marr afër zemrës as premtimet para fushatës, por duke e analizuar gjendjen me mendje të shëndoshë pa emocione dhe pa anime politike mund të them se është duke bërë punë shumë të mira kjo qeveri. Për ta vlerësuar saktësisht punën e qeverisë duhet t’i kemi parasysh këto elemente:

Qeveria ka staf të ri që për herë të parë qeverisin, prandaj u merr kohë më shumë se 100 ditë që të adaptohen në detyrat e tyre, t’i mësojnë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, kolabotorët që ndikojnë në punën, funksionin e tyre.

Qeveria aktuale nuk e ka startuar punën sikur në maratonë me pistoletë, dhe të vrapohet drejt cakut. Kjo qeveri ishte e obliguar për shumë gjëra të kthehet mbrapa vijës së startit. Pra t’i gjejë, t’i analizojë dhe t’i ndryshojë shumë vendime të gabuara më herët, pra aty humbin kohë dhe energji t’i bëjnë ato përmirësime dhe ato punë nuk japin rezultat të shpejtë dhe nuk shihen shumë para vijës së startit.

Specifika e disa punëve e obligon Qeverinë të kthehen mbrapa. Nuk munden t’i shtyjnë ato procese, ato përmirësime nga pozita e tanishme, por duhet kthyer në fillim të punës.

Në të gjitha këto punë retroaktive që shihen, pak Qeveria është duke u ballafaquar edhe me disa detyra që ndryshe i ka vërejtur nga opozita. Dhe tani kur është e para aty tani është duke kërkuar mënyra të tjera të qasjes ndaj atyre problemeve, prandaj ka takim me shumë gjëra të panjohura, andaj zvogëlohet ritmi i punës. Kur i analizojmë të gjitha këto e shohim se nuk ka pasur afera të keqpërdorimit të detyrës, afera të korrupsionit, afera të emërtimeve të padrejta në funksione të ndryshme të militantëve, ka pasur aktivitete të shumta policore në luftë kundër krimit, ka arrestime të shumta, krejt këto gjëra që nuk i kemi pa në qeveritë e mëhershme janë, pra këto shenja se kjo qeveri është në rrugë të mirë të punës dhe sa më gjatë vazhdojnë punën aq më shumë përfitojnë eksperiencë, më shumë stimulohen në punë dhe dal nga dal zgjidhet lëmshi i tollovive të mëhershmen dhe momentin kur para qeverisë mbesin vetëm punët e planifikuara pa u kthyer në punët mbrapa, atëherë ritmi i punëve do të jetë më i shpejtë dhe më i fuqishëm.

“Bota sot”: Aktualisht jeni mjaft i zëshëm kundër kritikave që i bëhen qeverisë Kurti nga opozita, përse ndodhë kjo?

Hoxha: Opozita e qeveris Kurti për momentin nuk ka koncept të qartë të bërit opozitë konstruktive, për momentin opozita “po luajnë fshehtazi, qok-rrok” duke e përcjellë punën e qeverisë sa është antiligjore, t’i gjejë, t’i zbulojë aktivitetet kriminale dhe korruptive dhe sa më shumë afrohet Qeveria tek një çështje, zbulon këta të opozitës. Pastaj opozita ngreh zërin në anën tjetër që të dekoncentron qeverinë, në zbulim. Opozita nuk ka fakte as ide konkrete opozitare dhe konstruktive, gabimet, vërejtjet opozitare dihet si i thuhen dhe ku i thuhen qeverisë, prandaj është Kuvendi dhe janë seancat. Tek ne kritikat dhe vërejte e opozitës dalin në media, në portale, në kafe duke u munduar që sa më shumë të rrisin numrin e qytetarëve të pakënaqur duke i nxitë edhe sindikatat që të reagojnë jashtëligjit ndaj pozitës dhe të rrisë numrin e të pakënaqurve, e jo të ndikojë në punën e qeverisë me fakte, me dënim të përmirësimit të punës së Qeveris për interes të qytetarëve. Një numër i konsiderueshëm i delegatëve opozitar mendojnë dhe sillen në opozitë, pasivisht, bile edhe me injorancë e sabotazh të punës së qeverisë vetëm që mos të jetë sukses puna e qeverisë, largohen nga punët, prishin kuorumet dhe faktikisht nuk e kuptojnë se detyra dhe funksioni i delegatëve të pozitës dhe opozitës duhet të jetë i njëjtë karshi detyrave dhe obligimeve të tyre ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen aktuale të Qeverisë në dialogun me Serbinë?

Hoxha: Qeveria aktuale për dialogun me Serbinë më duket se e ka kuptuar më mirë, këtë e ka thënë me kohë se nuk është punë primare e Kosovës, për çka edhe unë pajtohem plotësisht. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një kapak shumë i rëndë, i blinduar që nuk kanë mundësi vetëm Kosova dhe Serbia ta vendosin atë mbi zjarrë dhe të fiket zjarri. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të sigurojë njohjen reciproke, futjen e dy shteteve në paktin e NATO-s, këto nuk mund t’i arrijë asnjë qeveri e Kosovës, e as e Serbisë pa presion, obligim nga fuqitë e mëdha, kur presioni zhvillohet në Serbi ajo vetëm sa largohet nga hyrja në NATO, prandaj Kosova, Shqipëria dhe Bosnja duhet të bëjnë politikë që e qetëson situatën, që nuk e largo Serbinë nga dera e NATO-s, por që garantojnë ose lehtësojnë hyrjen e saj aty, derisa Rusia e stimulon Serbin të largohet edhe më nga NATO-ja, aleatët tanë e përforcojnë Kosovën për t’i bërë me dije se kthim mbrapa nuk ka me Kosovën.

“Bota sot”: Cili duhet të jetë epilogu i marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi?

Hoxha: Epilogu i fundit Kosovë-Serbi për mendimin tim nëse dëshirojmë t’i shmangemi luftës duhet të ndryshohen kufijtë, duhet dhënë Leposaviqi dhe Zubin Potoku, por Jo Mitrovicën, për Medvegjën, Preshevën dhe Bujanovcin, kështu që Qeveria Serbe do të arsyetohet se ka bërë punë të madhe që ka marrë një pjesë të Kosovës në Serbi, e të njëjtin arsye do ta bënte Qeveria e Kosovës se ka fituar tri komunat me shqiptarë. Me këto ndryshime mendoj se do të eliminohet ndikimi i Serbisë në Kosovë dhe i Kosovës në Serbi me pakicat e tyre në ato shtete.

“Bota sot”: Jeni dëshmitarë se Serbia në vazhdimësi po përkrahet me armë nga Rusia, ndërsa kërcënimet ndaj Kosovës nuk kanë të ndalur si e komentoni ju këtë?

Hoxha: Qysh kur është transformuar Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, Rusia humbi shumë shtete ku shumë prej tyre më vonë u bën anëtare të NATO-s, ndër to edhe ish-Republikat Jugosllave, pos Serbisë dhe Kosovës që ende nuk janë anëtare të saj. Që nga ajo kohë Rusia ka zhvilluar politikë degraduese dhe penguese në zhvillim ekonomik dhe përforcimin në ushtri, dhe siguri tek ato shtete që dolan nga pakti Varshavës. NATO në të njëjtën kohë ka insistuar t’ju ndihmojë të njëjtave shtete që të kenë udhëheqje politike, demokratike si dhe të përforcojnë sigurinë e tyre, duke u ndihmuar në reformimin dhe armatimin e ushtrive të tyre, dhe duke i bërë anëtare të NATO-s. Këtë nuk kanë mundësi ta bëjnë me Ukrainën dhe Serbinë, pasi aty kishin udhëheqjen proruse. Serbia u bombardua në vitin 1999, që të ndalet krimi në Kosovë, por ky bombardim e largoi edhe më shumë Serbin nga aleanca e NATO-s, dhe u përfolën lidhjet e saj me Rusinë, sidomos në aspektin ushtarak. Një gjë e tillë ndodhi edhe me Ukrainën ku Rusia një pjesë të saj të madhe e mban faktikisht në kontrollë me popullatën ruse në Ukrainë pjesën e Kremlinit pra.

“Botasot”: Sa mund të ndikojë situata në Ukrainë tek gjendja në Kosovë, përkatësisht kërcënimet nga Rusia dhe Serbia?

Hoxha: Sot Rusia ka vërejtje luhatje politike brenda shteteve aleate të NATO-s, dhe është duke e menduar mundësin e okupimit total të Ukrainës, pasi disa shtete europiane si Franca dhe Gjermania nuk kanë mundësi ta mbrojnë integritetin e Ukrainës, pasi varësia e tyre gjeostrategjike dhe ekonomike është me e ble shumë me Rusinë e sidomos për gaz. Këtë Rusia e dinë mirë, dhe pastaj mos zgjidhja e pararojës së Rusisë, pra të Serbisë i shkon në favor të Rusisë, e cila stimulon dhe ndihmon Serbinë ushtarakisht duke i ndihmuar që të marrë edhe Republikën Serbe në Bosnjë, dhe sa më shumë që është e mundur edhe pjesën e Kosovës. Pra, ekziston rrezik real nëse në Ukrainë nuk kanë sukses shtetet perëndimore me diplomaci dhe ushtri ta ndalin invazionin rus në Ukrainë, që edhe Serbia të rrezikojë të ndryshojë kufijtë ekzistues në Ballkan.

“Bota sot”: Si një ish komandant i UÇK-së, a na thoni se sa është e përgatitur Kosova që të përballojë një ndërhyrje eventuale të Serbisë?

Hoxha: Kosova ka 5.000 trupa të FSK-së aktive dhe 3000 rezervë, dhe ka rreth 9.000 pjesëtarë të policisë së Kosovës, staf aktiv. Armatimin që e posedon FSK-ja është armatim konvencional i kalibrit të vogël. FSK-ja nuk posedon armë kundër mjeteve të blinduara, nuk posedon as armë për mbrojtjen kundërajrore. Nuk posedon mjete të blinduara me armë, e as armë artilerike. Prandaj, një sulm eventual i shpejtë nga ajri, dhe me mjete të shumta të blinduara nga ushtria serbe, forcat tona nuk kanë mundësi ta ndalojnë. Por, ushtria serbe para se ta ndërmerrte një hap të tillë, ajo duhet ta dijë se si do t’i vjen pastaj fundi atij aksioni, e jo vetëm fillimi i tij. Por, nëse do të ndodhte një sulm i tillë, atëherë ato njësi nuk do të qëndronin gjatë në Kosovë, pasi nuk kanë mbështetje nga popullata civile. Shumë shpejt do të mbetnin pa furnizim në logjistikë, pasi njësitet tona do t’i bllokonin vijat, kanalet e tyre të furnizimit me derivate, ushqim e municion, pastaj njësitë tona do t’i sulmonin nga të gjitha anët ato struktura kështu që ato shumë shpejt do të dorëzoheshin, ose do të shkatërroheshin nga njësitet tona aktive, dhe nga këto rezerva që do të mobilizoheshin dhe do të udhëhiqeshin nga shumë ish-luftëtarë të UÇK-së. Këtë Serbia e dinë mirë, prandaj edhe po mos të ishin forcat e NATO-s, këtu ata nuk do të guxonin të merrnin një aksion të tillë. Aq më keq për ta kur tani do të vinte armatim i rëndë edhe nga Shqipëria, kështu që një synim i tillë serb do të ishte fatal, dhe do të rrezikonte më pas edhe Vrajën dhe Nishin. Plagët janë të freskëta, vështirë është me e ndalë rininë tonë tani, që t’i ndalte luftimet në kufirin aktual me Serbinë.

“Bota sot”: Armatosja dhe ngritja e kapaciteteve të FSK-së a mund të jetë ndihmë në këtë drejtim?

Hoxha: NATO-ja këtë e dinë mirë, dhe deri më tani e ka stimuluar Serbinë që t’i afrojë et aléa ces NATO-s por pa sukses. Në këtë rast i mbetet që ta përforcojë FSK -në dhe ushtrinë e Bosnjës, që të jenë të afta të mbrohen nga sulmet eventuale serbe, dhe të përshpejtojë anëtarësimin e FSK-së si pjesë e NATO-s, kurse Serbisë në kokëfortësinë e saj, t’i vendos masa disiplinore politike, kufizime dhe kushtëzime që ta kuptojë se një gjë e tillë nuk do t’i lejohet. Ne, pra Kosova dhe Bosnja duhet të zhvillojmë politikat tona në përdorim të NATO-s dhe të ketë sukses me bindje të Serbisë që të qetësohet dhe të mos gabojë. Krejt këto aktivitete në Serbi, Ballkan kanë lidhshmëri dhe varet nga fuqia ruse politike dhe ushtarake në Ukrainë dhe nga uniteti i BE-së dhe USA-s, që me diplomaci e nëse është nevoja me ardhë në ushtri, të mposhtin Rusinë në synimet e saja për Ukrainën dhe për Serbin e madhe.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale të sigurisë brenda Kosovës?

Hoxha: Kosova i ka njësitet e veta dhe organet e sigurisë që kanë profesionalizëm dhe të sigurojnë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Por, nuk posedon Kosova mjete dhe armatim ushtarak për të siguruar integritetin ajror të Kosovës? Pra, qiellin e Kosovës ne e kemi të zbrazët, sa i përket Kosovës, kush do të mundet të lëviz mbi qiellin e Kosovës dhe të lëshon ku do e çka do në sipërfaqe të Kosovës nga ajri. Pra, jemi tengjere pa kapak. Shpresojmë se për hapësirën qiellore mbi Kosovën të kujdeset NATO-ja, e për sipërfaqen tokësore ndoshta dikujt i shkon mendja me sulmu, këtë mund ta bëjë, por nuk mundet gjatë me e mbajt. E kur e dinë këtë besoj se nuk ka logjik as me ja mësy.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Taravari: Nëse nuk kandidon Sela, mund ta shqyrtoj kandidimin

Story i radhës

ShBA urdhëron familjet e diplomatëve të largohen nga Bjellorusia

Të fundit nga

Prishtina barazon me kampionin

Prishtina ka barazuar me rezultat 1:1 me kampionin në fuqi, Ballkanin e Therandës, në takimin që u luajt nën dritat e reflektorëve në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Futbollisti Bleart Tolaj ka
ShkoLartë