Ukrainë: Mbyllen qendrat e votimit për referendumet e rreme

min lexim

Zyrtarët e instaluar nga Rusia kanë mbyllur qendrat e votimit në katër rajone ukrainase, për të ashtuquajturat referendume për bashkim me Federatën Ruse.

Procesi i votimit ka zgjatur për pesë ditë.

Ukraina, Perëndimi dhe Kombet e Bashkuara, kanë thënë se nuk do ta njohin rezultatin, pasi këto të ashtuquajturat referendume janë joligjore sipas ligjit ndërkombëtar.

Votimet në rajonet ukrainase të kontrolluara nga Rusia – Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja – janë mbajtur teksa banorët lokalë janë ankuar se janë kërcënuar dhe detyruar që të votojnë.

Zyrtarët zgjedhorë i kanë bartur kutitë e votimit nga shtëpia në shtëpi, shpeshherë të shoqëruar nga ushtarët rusë.

Valentina Matviyenko, udhëheqëse e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, ka thënë se presidenti i shtetit, Vladimir Putin do t’i adresohet Parlamentit më 30 shtator, lidhur me këtë proces dhe se ligjvënësit mund të shqyrtojnë legjislacionin për aneksim më 4 tetor.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka quajtur këto referendume si të rreme dhe si “shkelje e ligjit ndërkombëtar”.

Stoltenberg ka thënë përmes një postimi në Twitter se ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe e ka bërë të qartë “mbështetjen e palëkundur të aleatëve të NATO-s për sovranitetin e Ukrainës dhe të drejtën për vetëmbrojtje”.

Tokat ku janë mbajtur votimet janë “Ukrainë”, ka thënë Stoltenberg.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka quajtur po ashtu këtë proces si “mashtrim” dhe asgjë përveçse “pretekst për të tentuar që të aneksohet Ukraina me forcë”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të shtojë sanksionet ndaj Rusisë dhe ka thënë se veprimet e Moskës nuk do të kenë ndikim në kundërofensivën e Ukrainës në fushëbetejë.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka pretenduar se të ashtuquajturat referendume janë organizuar për të “ruajtur popullin” në këto rajone.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Story i mëparshëm

Qeveria shkarkon drejtorin e SH.A “Ekonomia e Ujërave”

Story i radhës

Trepça eliminohet, 20 minutat e parë fatale në duel me ekipin gjerman

Të fundit nga