Në lidhje me përparimin mbresëlënës të Türkiyes në industrinë e mbrojtjes, kryetari i prodhuesit turk të dronëve “Baykar” tha se vendi tani ka një gamë të gjerë të familjes së municioneve, mjeteve të mbrojtjes ajrore dhe sistemeve luftarake, raporton Anadolu.
Duke folur në stendën e prodhuesit turk të raketave “Roketsan” në Panairin e 16-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) në Istanbul, Selçuk Bayraktar tha se panairi ekspozon në një vend produktet turke të mbrojtjes, gjë që e bën atë krenar.
Në ngjarjen 4-ditore, e cila filloi dje, po ekspozohen një sërë produktesh të industrisë së mbrojtjes, përfshirë automjete tokësore, armë, simulatorë, radarë, hidrolokatorë, zgjidhje platformash detare, sisteme aviacioni, raketa, automjete logjistike, pajisje, furnizime dhe sisteme të sigurisë.
Duke thënë se Roketsan ka prodhuar produktet e para të municioneve inteligjente të Türkiye, Bayraktar tha se firma prodhon gjithashtu municion të automjeteve ajrore pa pilot (UAV).
Baykar dhe Roketsan kanë bashkëpunuar që nga viti 2014 dhe ky bashkëpunim mundësoi prodhimin e dronëve të njohur, vuri në dukje Bayraktar.
Falë këtij bashkëpunimi janë prodhuar dronët luftarakë të “Baykar TB2” dhe “Akıncı”, tha ai, duke shtuar se dy kompanitë po punojnë për një të tretë, “Kızılelma”.
Murat Ikinci, shefi ekzekutiv i Roketsanit, tha: “Përdorimi i municionit tonë kombëtar në dronët tanë është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e gjithë industrisë sonë”.
“Ne përpiqemi të rrisim fuqinë goditëse, gamën dhe aftësitë e dronëve tanë me produkte të reja”, shtoi ai.