Tomas Tuchel u shkarkua nga Chelsea shtatorin e kaluar pas një fillimi të dobët të sezonit dhe vendin e tij e mori Graham Potter. Trajneri gjerman, i cili ka mbetur pa ekip që nga shkarkimi, ka refuzuar propozimin e Bayer Leverkusenit. Klubi gjerman ka kontaktuar me të, por Tuchel nuk ka qenë i bindur nga oferta.
“Aspirinat” kanë ende trajner Gerardo Seoane, por rezultatet e dobëta të skuadrës e kanë lëkundur pozicionin e tij.
Skuadra gjermane aktualisht renditet e fundit në Bundesligë dhe ka arritur vetëm një fitore këtë sezon. Sipas “Sport1”, drejtori ekzekutiv i Leverkusenit, Fernando Carro, i ka dhënë tashmë një ultimatum dhe trajneri është i detyruar të fitojë dy ndeshjet e ardhshme: kundër Portos në Champions League dhe kundër Schalkes në Bundesligë.
Skuadra gjermane po kalon një moment të vështirë. Ky sezon është shumë i ndryshëm nga i kaluari, të cilin “Aspirinat” e përfunduan në vendin e tretë në Bundesligë, duke siguruar pjesëmarrjen në Champions.
Tuchel e ka refuzuar propozimin me argumentin se “nuk është i interesuar”, por nuk dihet nëse kjo është për shkak të pozicionit të klubit në tabelë apo për shkak se dëshiron të pushojë dhe të qëndrojë për pak kohë larg futbollit.