Thomas Tuchel ka folur së fundmi rreth çështjes së transferimit të Harry Kane, largimin e Sadio Manes nga klubi, mesfushorët Leon Goretzka e Ryan Gravenberch dhe marrëveshjen për mbrojtësin Kim Min-jae.
Vazhdimisht po spekulohet për një transferim të Harry Kane te Bayerni, ndërsa Tuchel nuk konfirmoi bisedimet për yllin anglez por tha se klubi po e kërkon një sulmues.
“Nuk do të komentojë për lojtarët që nuk kanë kontratë me neve, por ne jemi duke kërkuar për lojtarë në atë pozitë. Nëse jemi të bindur se një lojtar mund të na ndihmojë, atëherë ne do ta marrim”, tha Tuchel pasi u pyet për marrëveshjen me Kane.
Ndërkaq për Sadio Manen, Tuchel tha se do ta respektojë vendimin e Manes për të qëndruar në klub.
“Mane ka kontratë dhe ai dëshiron të qëndrojë. Dhe ne e respektojmë këtë gjë. Por është vetëm dita e parë e stërvitjes dhe shumë gjëra mund të ndodhin në futboll”, tha Tuchel.
Më tej, Tuchel foli edhe për dy mesfushorët, Ryan Gravenberch dhe Leon Goretzka.
“Ata të dy kanë kontratë me neve. Ryan është ai që duhet të luftojë për vendin e titullarit. Ai duhet ta jep më të mirën në këtë rol. Leon kishte një fazë finale jo të mirë. Me statusin e tij, ne presim shumë nga ai. Ka shumë garë për vendin e titullarit”, tha Tuchel.
Për fund, trajneri gjerman foli edhe për marrëveshjen e arritur për Kim Min-jae.
“Ne duam ta zëvendësojmë Hernandez dhe nuk është sekret i madh se kush do të jetë. Nuk do t’ia përmend emrin sepse nganjëherë kjo gjë nuk ndihmon. Do të mundohemi ta zyrtarizojmë atë gjatë ditëve në vazhdim”, tha Tuchel.